Tradita të vjetra shqiptare: Të merrje nuse në Rugovë, duhej përgatitur si për luftë

Kultura

Tradita të vjetra shqiptare: Të merrje nuse në Rugovë, duhej përgatitur si për luftë

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 20:34
Vesel Nikqi

Vesel Nikqi ka dekada që është valltar i njohur, njëkohësisht udhëheqës i ansamblit “Rugova”.

Jo vetëm që është i pasionuar për të ruajtur muzikën popullore por edhe traditat që e veçojnë vendlindjen e tij.

“Etnoregjioni i Rugovës është një prej gjashtë etnoregjioneve që e specifikojnë etnikumin shqiptar në Kosovë. Të gjitha këto tregojnë se shqiptarët kanë një kulturë jashtëzakonisht të vjetër dhe ajo është ndër më të ruajturat në Ballkan dhe Evropë”, tregon Vesel Nikqi.

Për dallim nga odat në rrafshin e Dukagjinit, Rugova ka praktikuar Kanunin e Malit dhe mikpritja është bërë në ambientin ku të pranishëm janë të gjithë familjarët.

“Mysafiri është pritur në dhomën e ditës ku ka jetuar e gjithë familja. Nuk kanë pasur ndonjë odë të ndarë. Aty nuk ka pasur as ndarje mes grave dhe burrave siç ishte specifik në etnoregjionet tjera. Mysafirët janë pritur me bukë, krip e zëmër. Nuk kanë bërë dallime nga familjarët e tjerë por thjesht çka kanë pasur. Edhe të nesërmen kur është përcjellë mysafirit i është dhënë buka me vete pasi nuk është ditur ku e zë dita apo nata”, tregon Nikqi.

Mysafiri është konsideruar aq i rëndësishëm saqë edhe kur ka shkuar është përcjell deri në dalje të fshatit.

“Mysafiri ka qenë nën mbrojtje të zotit të shtëpisë. Ai është përcjellë deri në dalje të zonës se mos po i ndodh diçka e përgjegjësia binte mbi nikoqirin”.

Martesa ka pasur një ceremoni të veçantë, por duke pasur parasysh që Rugova është një vend malor, gjithmonë krushqit, personat që kanë shkuar për të marrë nusen është dashur të përgatiten si për të shkuar në luftë.

“Gjatë shkuarjes krushqi janë bërë lojëra të ndryshme. Por gjatë rrugës gjithmonë është bërë kujdes mos po dalin piratët apo siç quheshin cubat e malit e ua marrin nusen. Nëse cubat kanë qenë të fortë ua kanë marrë nusen dhe i kanë lënë krushqit pa nuse. Ka pasur edhe luftë mes palëve. Janë edhe varrezat e krushqve si dëshmi. Në të kaluarën ka pasur edhe gjëra të tilla. Pra kur është thirr dikush për të shkuar krushqi ai është dashur të përgatitet sikur të shkojë në luftë. Nuk ka shkuar gjithkush krushqi, por më i pashmi, më i forti etj.”, rrëfen më tej Nikqi.

Të shumta kanë qenë edhe rastet kur vajzat janë grabitur. E në këto situata përfundimet nuk kanë qenë të mira deri në momentin kur nuk janë pajtuar dy familjet.

Nikqi thotë se në rastet kur nuk kanë mundur të bëhen pajtimet, që fshatrat të jetojnë në paqe personat që ishin në hakmarrje kanë jetuar në kullat e njohura si të ngujimit.

Mes tjerash, ai tregon që një grua në familje ka pasur një vlerë të madhe saqë ka ndaluar edhe konflikte.

Burrnesha është term shumë i dëgjuar, por jo i preferuar e Vesel Nikqin shpjegon domethënien e tyre.

Madje, tregon se si femrat e tilla kanë martuar burrat e tyre.

Me 70 vite mbi supe uron që gjeneratat e reja ti ruajnë traditat dhe ti kujtojnë ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat