Letra e një burri drejtuar të gjitha grave

Kultura

Letra e një burri drejtuar të gjitha grave

Më: 7 nëntor 2020 Në ora: 18:45
Foto Ilustrim

Nuk ka rëndësi se sa peshon, është joshëse të prekësh, të përqafosh dhe përkëdhelësh trupin e një gruaje. Ne burrave nuk na bën përshtypje të dimë sesa peshon një grua.  As ia kemi idenë se çfarë mase ka ajo apo nëse është apo jo “në formë”. Kuptimi ynë mbi format është i ndryshëm. Neve nuk na intereson gjatësia në centimetra, është çështje proporcionesh, jo masash. Një grua me formë të mirë duhet të jetë e rrumbullakët dhe me tule. Ky është ai lloj trupi që ne, pa dyshim, e vëmë re në çast. Vajzat e holla që sfilojnë nëpër pasarela ndjekin tendencën e dëshiruar nga stilistët, të cilët, që të flasim hapur, duket sikur i urrejnë gratë dhe konkurrojnë me to. Modelet e tyre janë dëshpërimisht të thata.

Grimi është shpikur që gratë ta përdorin. Përdoreni pra! Po të qe për fytyra “ujë e sapun”, na mjaftojnë tonat. Fundet janë shpikur për të nxjerrë në pah këmbët tuaja fantastike. Ka një arsye pse natyra ju ka bekuar me forma dhe, e përsëris, na pëlqeni kështu. Të mbulosh këto forma është njëlloj si të mbash në bodrum divanin më të mirë.

Është ligj i natyrës që të gjithë ata që martohen me një grua të dobët, anoreksike, bulimike dhe nervoze, më vonë kërkojnë një të dashur topolake, simpatike, që duket sikur shpërthen nga shëndeti. Të rejat janë padyshim të këndshme. Por ato pas të dyzetave? Për to jemi gati ta marrim oqeanin me not.

Trupi ndryshon, moshohet. Mos bjer në dëshpërim nëse nuk të bën më fustani që kishe kur ishe 18 vjeçe. Një grua 45-vjeçare që hyn në fustanin që kishte kur ishte 18 ka probleme zhvillimi ose është duke shkatërruar veten.

Neve na pëlqejnë gratë që kanë një jetë të ekuilibruar dhe dinë të kontrollojnë ndjenjat e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur duan të hanë, hanë me shije (dieta fillon pas shtatorit, jo më parë) dhe kur duan të mbajnë një dietë, e bëjnë me qejf (pa dëmtuar veten dhe pa vuajtje). Neve na pëlqejnë gratë që momentet intime me partnerin i shijojnë ngadalë; na pëlqejnë gratë që kur duan të blejnë diçka e blejnë dhe kursejnë kur duan ta bëjnë një gjë të tillë.

Disa rrudha në fytyrë, disa shenja në bark e nëpër këmbë nuk të bëjnë më pak të bukur.  Ato janë dëshmi se keni bërë diçka në jetën tuaj dhe nuk e keni kaluar kohën nëpër qendra estetike. Keni jetuar!

Trupi i gruas është i shenjtë, prej tij ka lindur i gjithë njerëzimi. Ndaj, kujdesuni për veten dhe dashuroni. Kjo është bukuria!

Leter anonime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat