Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Kultura

Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 8 nëntor 2020 Në ora: 21:11
Marjeta Shatro Rrapaj

Ep i mallit për Itakën...

Mendimet shpesh tjerrin frikërat

e i mbledhin ankthet në boshtin e kohës,

për dhuratë Penelopave të reja

që thurin pëlhurat e durimit

në pritjet për bashkim

me Odisetë e rinj të kohëve moderne!

Çdo agim një poezi

Këndoj e dehem mëngjesit

me këngën e ëmbël të zogjve

që sjellin agimin në sqepa

e shkruaj për gëzimin

që rrjedh çurg

e zgjoj ata që e duan jetën

e i ndez mendimesh

për puthje qielli,toke,ajri,

për bekim dite

me bardhësi shpirti

me melodi deti...

Marjeta Shatro Rrapaj

Fshihet çasti...

Të paprekura,

mendimet e së shkuarës,

si kujtesa hermetike

në dritën e heshtjes,

ku vështrimet mblidhen lëmsh,

ku mbarojnë ngjarjet

e ku ndalojnë ëndrrat,

përtej mallit që nuk kalon

nuk ndodh asgjë.

Çasti i përket përjetësisë.

Malli i pritjes...

Jetuakemi edhe pa njëri-tjetrin

në anët e kundërta të kohës

si skaje kundërshtie

në kaltërsinë e largët

në pritje të shpërthimit të dritës

shkundur nga supet e diellit

në kërkim të lumturisë së çastit,

përtej erës...

"Turn off"

Virtualja,botë ireale

që tret ëndrrat e lindura çastit

e i kthen në pluhurin e së djeshmes

të hapësirës absurde të mendimeve të sëmura

të tronditura nga mëkati i pafaj i kohës së falur

në tjetërsimin e qenieve në lakuriqësinë e imazheve,

në zhveshjen e fjalëve,

në shpërfytyrimin e mitikes mashtruese,

në magjinë e lundrimit kibernetik,

venitur nga rrjedha e mundimeve

e maktheve të padukshme

ku merr fund ankthi dantesk

vetëm me "Turn off".

Marjeta Shatro Rrapaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat