Poezi nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Kultura

Poezi nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 10:22
Marjeta Shatro Rrapaj

Pa ngjyrë...

Pafajësia lëngon

prej brejtjes së mërive

nga çmenduria e botës

që nuk njeh pendim

po i jargavitet pushtetit të parasë

që tjetërson trajtat njerëzore

në molisje të pashpresë ardhmërie,

fshehur ajzbergëve të bashkëpunimeve

në udhëkryqin e jetëvdekjes

ku takohen kufomat e gjalla

pranguar prej mëkatit të përfitimit

që pa ngjyrë vërshojnë rrymës së kohës.

Kokrrat e ftonjve

Në ëndërr vjeshte,si Adami e Eva

ecim të dy në kopshtin me ftonj.

Kokrrat e verdha na ftojnë në mëkat,

veç nuk i kafshojmë

se janë shumë të forta

si e pamundura që na tundon shpesh,

por nuk e prekim dot

e të uritur mbetemi gjithmonë...

Vakumi ideal

Çast bosh,

që pret të mbushet

me të pathënat e heshtura

të misterit të errësirës,

që pret përthyerje drite

në pasqyrën e ajrit

të larë prej lotëve të Qiellit

ku nga përjetimi i zbrazëtisë

fillon ndjesia e mbushjes graduale

e shpërndarjes së eterit

prej ngjeshjes së çasteve të tilla

në vakum shpirtrash të derdhur

nga kupat prej mishi e ashti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat