Intervistë me instrumentisten Ines Memisharaj: Shteti ynë nuk e ka muzikën dhe sportin ndër të preferuarit e tij

Kultura

Intervistë me instrumentisten Ines Memisharaj: Shteti ynë nuk e ka muzikën dhe sportin ndër të preferuarit e tij

Nga: Albert Z. Zholi Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 17:15
Ines Memisharaj

-Dita më e vështirë ka qenë dita e konkursit në Akademi ku, sapo hyra në sallë u bllokova

- Në botë nuk ka dallim femër apo mashkull, mjafton të jesh i zoti dhe profesionist në atë që bën

-Idhujt e mi janë Yuri Bashmet dhe Maxim Vengerov

- Koncerti im i parë ka qenë me orkestrën e "Virtuozët” të Zhani Cikos

U dashurua me isntrumenstin e zemrës që në moshën 6-vjeçare me shtysën e babait dhe që prej asaj dite ajo s’është ndarë prej saj. E shohim gjithmonë si pjesë e orkestrës së ‘Top Chanel’ ku ajo me elegancën, sharmin dhe harmoninë e lëvizjeve na sjell kënaqësi. Në vitin 2000 ka qenë pjesë e orkestrës sinfonike së RTSh deri në vitin 2007. Në vitin 2004 nisi puna e saj si violë në orkestrën e ‘Top Channel’ ku është ende sot. Ja si shprehet Ines për “Telegraf”:

Si lindi dëshira për të marë violën në dorë, kush ishte shtysa?

Dëshira ishte e babait tim të studioja për violinë që në moshën 6 -vjecare. Ai ishte shtysa ime.

-Kur ishte hera e parë që e morët në duar violinën, si jeni ndjerë dhe çfarë pjese keni luajtur?

Hera e parë ka qenë në moshën 6- vjeçare Pjesët e para kanë qenë Etyde për fëmijë, program shkollor .

-Si vazhdoi rrugëtimi i edukimit tuaj me këtë instrument ku u shkolluat dhe kush ishin mësuesit tuaj?

Më pas kam filluar shkollën 8- vjeçare "Kongresi i Përmetit" me mësuese Zana Alimemeti, e cila më impostoi duart në violinë dhe e falënderoj shumë. Më pas nisa Liceun artistik "J. Misja" ku studiova në klasën e Pranvera Kullollit për violë (instrument pak më i madh se violina dhe me tingull më të plotë) vazhdova studimet në Akademinë e Arteve ku dhe u diplomova në klasën e profesor dr. Arian Paço.

- Cili ka qene koncerti juaj i parë me cilin formacion orkestral dhe ku është zhvilluar?

-Koncerti im i parë ka qenë me orkestrën e "Virtuozëve të Zhani Cikos" si pjesë e këtij formacioni ku kemi qenë fitues të shumë çmimeve nëpër festivale në Europë.

- Në sa koncerte keni marë pjesë deri tashmë dhe cili ka qenë më i rëndësishmi?

Kam qenë pjesë e orkestrave të pedagogëve të Akademisë dhe shumë koncerte të zhvilluara me ta. Në vitin 2000 kam qenë pjesë e orkestrës sinfonike së RTSh deri në vitin 2007. Viti 2004 nisi puna ime si violë në orkestrën e ‘Top Channel’ ku jam ende sot.

- Tashmë pjesë e formacionit orkestral në ‘Top Channel’ si u bëtë pjesë e tij me konkurs, apo miqësi?

- Nisja ne ‘Top Channel’ ishte një dëshire e Dritan Hoxhës për të pasur një bandë të plotë me të gjithë elementët e duhur. Dhe për mua ishte një rastësi nga kolegu Land Fusha, i cili më lajmëroi për të qenë pjesë e orkestrës. Dhe që prej asaj dite jemi gjetur të gjithë bashkë e vazhdon kjo punë me pasion dhe përkushtim dhe sot.

-A është e vështirë sot të jetosh me këtë instrument në kushtet e vendit tonë?

- Një instrumentist i vlerësuar mendoj që ja del dhe pse duhet thënë se po të jetonim në një vend tjetër të botës me këtë volum dhe mjeshtëri pune, do të ishim shumë më tepër të vlerësuara, sepse shteti ynë nuk e ka muzikën dhe sportin ndër të preferuarit e tij dhe kjo sjell si pasojë pagat e ulëta për aq shumë vite studim dhe mund për ne, në Shqipëri. Pasioni është ai që na mban gjallë dhe na bën të ecim përpara. Artist lind dhe s’mund të bësh ndryshe .

-Aktualisht në botë a janë të preferuara femrat në orkestrat me famë në raport me meshkujt?

Nuk mendoj që në botë ka dallim femër apo mashkull, mjafton të jesh i zoti dhe profesionist në atë që bën.

-Cilët janë idhujt tuaj në këtë instrument në botë?

-Ndër idhujt e mi si violist klasikë janë Yuri Bashmet dhe Maxim Vengerov. Për muzikën që tashmë luaj më së fundi, preferenca ime janë 2 cellos, Stjefan dhe Luca .

-Sa angazhim kërkon në ditë viola?

-Çdo instrument kërkon shumë angazhim për të qenë aty ku duhet, dmth. studim nga dita e parë që e mer në dorë dhe deri sa ndalet, nuk ka asnjëherë pushim. Është një instrument shumë delikat dhe do përkushtim .

-Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

-Nuk jam ndjerë kurrë e zhgënjyer që jam në këtë instrument.

-Kur je ndjerë më keq në këtë rrugëtim?

-Një nga ditët e mia më të vështira ka qenë dita e konkursit në Akademi ku...sapo hyra në sallë për të nisur konkursin, pata një “blackout” dhe s’po mundja të nisja. Ngarkesa emocionale bëri të veten, por gjithçka kaloi për pak minuta dhe çdo gjë shkoi shumë mirë ..

-Po dita më e bukur?

Ditët e bukura janë pa fund. Nuk di kë të zgjedh. Jam shumë e lumtur me instrumentin tim dhe kjo reflektohet dhe në portretin tim, besoj…

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat