Një zë që nuk shuhet kurrë

Kultura

Një zë që nuk shuhet kurrë

Nga: Ramazan Çeka Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 21:25
Ismet Peja

Si çdo lajm i hidhur edhe ky lajm që mora për ndarjen nga jeta të këtij kolosi të këngës popullore shqiptare, gjakovarit Ismet Peja edhe unë u trishtova si të gjithë të afërmit dhe dashamirët e tij, pasi njohjet e mia me të kanë qenë përtej bashkëpunimit, kanë qenë edhe më shumë se miqësore, për mua kanë qenë vllazërore.

Unë jam më i ri në moshë, por prania tij në të gjitha rastet e panumërta ka qenë aq e afërt sa që të dy në këtë drejtim e kemi ndjerë veten të barabartë.

E ndjej për detyrë ta bëj këtë shkrim për të madhin Ismet Peja ashtu siç e kam njohur unë, jo si nekrologji, por si një "in memoriam" që natyrisht në rreshtat e më poshtëm nuk do të arrij t'i them të gjitha.

Ismet Peja ishte një ndër zërat më të suksesshëm të këngës kosovare dhe asaj shqiptare. Thuajse tërë jetën e tij ai ia kushtoi këngës popullore, duke u bërë një nga mjeshtrat më të shquar të saj. I nderuar me çmime e dekorata për kontributin e tij solistik dhe si përfaqësues dinjitoz i ahengut gjakovar, por edhe më gjërë, deri tek jaret shkodrane.

Titullin, dekoraten dhe çmimin më të madh atij ia ka dhënë populli, ndaj dhe ai për popullin këndoi një jetë të tërë.

Po aq sa është vlerësuar për këngët e bukura që ka sjellë para publikut në vite, po aq vlerësime mori edhe në moshë të thyer, i cili vazhdoi të këndojë përsëri si atëherë, me një vokal si në vitet e largëta dhe të suksesshme. Baca Ismet, siç e thirrnin të gjithë me dashamirësi e respekt, mbetet një ndër këngëtarët kosovar më të njohur të të gjitha kohërave.

Zëri i tij brilant ka zënë vend në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Në bisedat me të shikje se ai ishte gjithmonë i qeshur dhe plot humor, këtë vitalitet ai e transmetoi edhe në këngët që na përcillen aq të bukura dhe befasuese.

Ismet Peja ka fituar një popullaritet të gjërë si këngëtar i mirënjohur i këngës tradicionale qytetare gjakovare. Ndërmjet emrave të shquar që e lidhin talentin dhe përkushtimin e tyre me këtë trashëgimi, Ismet Peja shquhej për individualitet artistik, që e bënte atë të dallueshëm prej të tjerëve.

Në një emisin televiziv të organizuar në "Shkodra Tv1" i titulluar "Aromë Shkodre" ku ishte i ftuar këngëtari e famshëm Ismet Peja, djali i tij Visari dhe "Nderi i Kombit" Bik Ndoja, u fol për muzikën "Tallava" i cili ndër të tjera tha: "Nuk përputhet me shijet personale, por gjithsecili bën zgjedhjen e vet në jetë. Ajo nuk është në preferencat e mia tha baca Ismet, por që ka njerëz që e pëlqejnë e nuk i ndalon dot, kjo dihet. Ka shumë faktorë, por rolin më negativ këtu e luan media, kryesisht kanalet që japin muzikë. Nuk mund të lejohet që televizionet të transmetojnë këngë të tilla. Sot shumë këngëtarë këndojnë me CD Play-back. Kjo kërkon revolucion të të kuptuarit. Individualiteti dhe origjinaliteti kombëtar, mungon ndjeshëm dhe thuajse po shkon drejt pikës zero. Mendoj se koha, tha ai është seleksionuesi më i drejtë.

Për vite e dekada zëri i këngëtarit të madh gjakovar Ismet Peja jehoi fuqishëm në skenën e këngës popullore, në radio e televizion, duke u bërë aq i dashur e i pranishëm edhe në vatrat shqiptare, e kudo në Diasporë. Ai u rrit bashkë me këngën popullore qytetare, duke u bërë njëkohësisht edhe një interpret i shkëlqyer dhe njohës deri në ind i ahengut gjakovar.

Qysh në vogli u aposionua me këngën popullore, kur mësoj dhe mënyrën e të kënduarit. Repertorin e këngës popullore gjakovare ai e konsideroj diçka të shenjtë, ndaj dhe u edukua t'i qëndrojë besnik, i bindur se kështu respektonte një traditë të vyer të brezave të tërë kompozitorësh e këngëtarësh popullorë.

Shumë i suksesshëm ka qenë Ismet Peja në të gjitha skenat shqiptare, aq sa u arrit të mos përfytyrohej një mozaik këngësh popullore apo edhe një koncert i mirëfilltë i kësaj natyre pa zërin e Ismet Pejës.

Ismet Peja qe i kërkuar shumë nga Diaspora, ku sidomos këngët patriotike e ato kushtuar figurave të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare e të kombit tonë, çonin peshë zemrat e dhjetra e mijëra shqiptarëve dhe i bënin më trima me kërkesat e tyre të drejta e legjitime për liri, drejtësi e pavarësi.

Nuk mund të gjendet një gjakovar që të mos e ketë parë e dëgjuar këngëtarin Ismet Peja. Me aftësitë e tij interpretative, ai mblodhi rreth vetes mijëra simpatizantë, të cilët e respektonin për zërin e kontributin që ai dha në ruajtjen e transmetimin brez pas brezi të këngës dhe ahengut gjakovar, duke ua kultivuar edhe brezave më të rinj.

Vite më parë ai kishte një ëndërr. Pas kaq vitesh legjenda e këngës popullore Ismet Peja, kujtoi me nostalgji ato vitet e largëta dhe ëndrrën e tij, që nuk e linte për asnjë çast të qetë, ishte një ëndërr që mbeti e tillë deri sa me një tekst të shkruar nga unë dhe me kompozim dhe orkestrim të muzikantit shkodran Luan Dagistani realizoi një këngë kushtuar mjeshtrit të jareve shkodrane, "Nderit të Kombit" Bik Ndoja, të titulluar: "Nuseron jarja me ty". Ishte puna e pa lodhur dhe plot pasion, me profesionalizëm e shije të rrallë e Producenti të Tv Blue Sky Music, z.Gëzim Brahusha, i cili nën kujdesin e tij, bëri të mundur realizimin e kësaj ëndrre shumvjeçare, duke realizuar një videoklip me përmasa të gjëra artistike, dedikuar ikonës së jareve shkodrane artistit të merituar Bik Ndoja.

Për këngëtarin nga Gjakova Ismet Peja, ja si shprehet djali i tij Visari: "Nuk kam çajre pa e zgjatë në këtë status.... prej se di për veten e di qe baba Ismet e ka pas idol të muzikes z.Bik Ndojen dhe me të vërtetë njëra nga dëshirat e Ismetit ka qenë që mos t'më lëshoft shpirti pa i këndu Bikut. Dhe arriti një ëndërr nga shumë të tjerat dhe sigurisht që pa ndihmen e miqve nuk kishte me e ba... një rrespekt të posaçëm për Ramazan Çeken dhe Gëzim Brahushen, si dhe për Luan Dagistanin ai që bëri notat për këtë këngë. Po e dëgjoj tërë kohen dhe në fund e sheh që muzika të zgjat jeten njëri 90 e tjetri 78 ajajajajaja.... histori Shkodër-Gjakovë ...."

Tre vite më parë në 80-vjetorin e lindjes së doajenit gjakovar, legjendë e këngës popullore shqiptare Ismet Pejanë pata fatin të isha atje dhe të përjetoja nga afër këtë festë të madhe, të organizuar si një spektakël madhështor, i ftuar nga Komuna e Gjakovës, së bashku me kompozitorin e shquar shkodran maestro Ilir Zoga dhe këngëtarja tashmë ikonë e këngës popullore shqiptare Mukades Çanga "Mjeshtre e Madhe".

Ftesa jonë lidhej pikërisht me një këngë që kemi krijuar vite më parë për këngëtarin e madh të këngës shqiptare, legjendën e gjallë të kësaj kënge, Ismet Peja, i cili në këtë natë magjike u nderua me çmimin jashtëzakonisht domethënës "Gjakovari i ndritur", si dhe me një Mirënjohje të veçantë në emër të Kuvendit Komunal të Gjakovës.

Kështu Ismet Peja, me 80 vite mbi supe, por me një eksperiencë të madhe artistike, me një reputacion të pakrahasueshëm, u ngjit në skenë vital, sikur të ishte shumë vite më i ri dhe surprizoi të gjithë të pranishmit kur ai interpretoi këngën e parë të fillimit të karrierës së tij, të kënduar në vitin 1954, titulluar "Këndo o zogu i malit", por tashti së bashku me djalin e tij Vegimin dhe nipin Leonardin, për të treguar kështu se tradita në këtë familje vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Më pas ai këndoi edhe një nga perlat e këngës popullore shqiptare "Kur t'i shoh dy sytë e shkruar".

Këngëtarin Ismet Peja e shoqëruan edhe breza të tjerë këngëtarësh si: Zenel Doli, Shkëlzen Jetishi, Edi Furra, Edi Ermeni, Afrim Muçiqi, Xhavit Sadiku etj, shoqëruar nga orkestra e mrekullueshme nën drejtimin e maestro Vllaznim Buxhovi, me një potpuri këngësh popullore nga perlat e kësaj shoqërie, ku këngëtari më i dashur i Kosovës Shkëlzen Jetishi u shkëput nga ansambli i këngëtarëve duke iu drejtuar publikut të mrekullueshëm në sallën e tejmbushur dhe me një emocion të papërshkruar dhe të jashtëzakonshëm, me një dashuri e respekt për virtuozin Ismet Peja tha: "Aiii a është gjynah bre me u plak ky farë zanit?"

Publiku me këto fjalë magjike të Xenit shpërthei në ovacine dhe duartrokitje që nuk munguan gjatë gjithë këtij spektakli.

Moment i veçantë dhe befasues me plot dashamirësi ishte kur Baca Ismet i fton nga salla "Mjeshtren e Madhe" Shkurte Fejza e Miranda Hashanin, për t'u bashkuar me ansamblin e këngëtarëve në interpretimin e këngës tshmë "Himn" për shqiptarinë "N'xhamadanin vija-vija".

Por ajo që kulmoj në këtë mbrëmje madhështore, ku agrepat e orës nuk kishin më vlerë, ishte momenti kur doli në skenë këngëtarja e madhe shkodrane Mukades Çanga.

Ishte momenti më interesant dhe më i bukur i këtij spektakli madhështor, kur ajo me zërin e saj brilant interpretoi një këngë kushtuar këtij virtuozi të këngës shqiptare, titulluar "Zemrat pesh' çon zani jot", që erdhi në këtë spektakël si një dhuratë nga Shkodra, nga qyteti, këngët e të cilit, Ismet Peja i këndoi për gjithë jetën.

Në këtë koncert kaq madhështor Baca Ismet iu drejtua me humorin që e karakterizon, këngëtarëve më të ri në moshë, duke i falenderuar ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë natë magjike dhe duke iu premtuar se do të vinte të merrte pjesë edha ai në 80-vjetorin e tyre. Kjo batutë u prit me shumë duartrokitje dhe me të qeshura në sallë.

Edhe unë si autor i këtij shkrimi, simpatizant por dhe mik i Ismet Pejës dhe i ahengut gjakovar, duke njohur mirë rrugën e tij artistike, gjej rastin t'i dhuroj këto pak vargje këngëtarit të madh popullor, legjendës së Kosovës, Ismet Peja:

Një jet' tanë për ne këndove

Këngë të vjetra e të reja.

Kënga jote popullore

E ka emrin Ismet Peja.

Në Kosovë e Shqipëri

E ku ka shqiptar ne Botë,

Je legjendë e krenari

Zemrat peshë çon zani jot.

Unë jam shumë i nderuar dhe i respektuar që pata mik një njeri kaq të mrekullueshëm, një burrë me të gjitha virtytet e shqiptarit e pos këtyre një artist që do të mbetet në panteonin e muzikës popullore mbarëkombëtare.

Pushofsh në paqe miku ynë i paharruar!

Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat