Hamit Ajazi, luriani model në punë dhe në jetë

Kultura

Hamit Ajazi, luriani model në punë dhe në jetë

Nga: Gëzim Loka Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 22:33
Hamit Ajazi

Teksa ndjek gjurmët e bijve më të mirë lurianë, në udhëtimin e tyre në histori dhe përditshmëri, më parakalojnë para syve personazhe dhe emblema luriane, njerëz që si dje ashtu dhe sot kanë qenë model në punë dhe në jetë dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kohë. 

Hamit Ajazi është një nga bijtë më të devotshëm lurianë, që me punë e urtësi, me përkushtim e mençuri, e ka ulur veten në odën e vlerave jo vetëm të Lurës e të Dibrës, por dhe më gjerë. Mësues i talentuar, drejtues arsimi me vizion, zotërues i psikologjisë dhe mentalitetit lurian në oda e ndjenje luriane e më gjërë, njeri me botë të pasur shpirtërore dhe intuitë e zgjuarsi sa natyrale, aq dhe të formuar nga shkollimi dhe librat. 

Njeri i fjalës së mbajtur dhe punëve të mbara të dheut lurian, kudo që ka punuar ka lënë gjurmë për korrektesë, profesionalizëm, mirësi e fisnikëri. Ai mishëron shkollën e Lurës, të folmen e saj me rrotulla, mprehtësinë dhe inteligjencën natyrale, largpamësinë dhe vetëdijen e krenarisë së rrënjëve dhe degëve luriane.   

Ky profil, kaq i thjeshtë dhe i pasur njëherësh, e ka bërë me shumë miq e shokë, i ka dhënë impulse dhe shtytje të reja në rrugën e jetës, të punës, profesionit dhe veprimtarive shoqërore në dobi të Lurës sonë. 

Atë do ta gjesh kudo ku jetojnë e punojnë lurianët e tij, duke mbajtur gjallë traditat, ritet, zakonet tona të lashta e të reja dhe promovuar frymën e përbashkimit shqiptar, në këtë epokë të integrimit të madh, ku Lura vjen me histori dhe përditshmëri të shkëlqyer. 

Ne lurianët jemi gen e gjak i pastër  shqiptar, që ndezim në oxhakun ku mblidhemi në tubimin e radhës zjarrin e  bashkimit dhe plotësimit e  bashkë me flakët, fjalët e mira, sinqeriteti dhe spontaniteti ngrohnin mrekullisht të gjithë lurianët, ku prania e Hamit Ajazit është mbresëlënëse.

Ai u lind me 29.3.1947 në Arrmallë ku dhe kreu shkollën fillore e 7-vjeçaren e përfundoi në Fushë-Lurë, kurse Pedagogjiken ne Peshkopi e përfundoi në qershor 1965.Studimet e larta me shkëputje nga puna i filloi në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër në vitin akademik 1973-1974 dhe i përfundoi në qershor 1977, për lendet gjuhe shqipe e letërsi. 

Ka punuar si mësues fillimisht ne Fushë Alie e pastaj në fshatrat e Reçit e të Lurës. Nga nëntori 1969-nëntor 1971 ka mbaruar shërbimin ushtarak. Pas studimeve, ka punuar drejtues shkolle në Lajthizë për dy vjet, mësues në Arrmallë në periudhën gusht 1979 gusht 1981. Ne gusht 1981 gjer në shtator 1994 ka punuar drejtor shkolle në 8-vjeçare e të mesme Arrmallë. Kohën tjetër ka punuar mësues ne Arrmallë, duke përjashtuar kohën nga shtatori 2003 -shtator 2007, në të cilën ka punuar në administratën e Komunës Lurë dhe nënkryetar i saj. Pas 41 viteve punë, doli në pension në mars 2010 2. 

Puna e tij plot përkushtim dhe përgjegjshmëri nuk mund të mos vlerësohej nga institucionet e kohës, ku ndër vlerësimet për punën veçojmë: -Në vitin 1984 Ministria e Arsimit i jep distinktivin "Mësues i dalluar". Në vitin 1989 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor ka marre Medaljen "Naim Frashëri". Në vitin 2014 Këshilli i Kumunës Lure e shpalli Hamit Ajazin “Qytetar Nderi”.

Hamit Ajazi është një intelektual aktiv, i lidhur me fatet e Lurës, me historinë e saj, me traditat dhe vlerat e kësaj treve ku ka shërbyer rreth një gjysmëshekulli dhe ku ka lënë gjurmë të dukshme, të vlerësueshme nga brezat në kohën luriane. 

I kudogjendur në kafenetë dhe ndenjet e lurianëve, në Tiranë, Durrës, Lezhë, në vendin e origjinës dhe të rrënjëve ku e pret oxhaku i ndezur dhe fjala e ëmbël luriane, ai është një model i intelektualit aktiv dhe të përkushtuar që nuk resht së bëri, siç mund të thoshte Nënë Tereza, çdo ditë “punë të vogla me dashuri të madhe” për Lurën e tij… 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat