Mësimdhënësit dhe norma gjuhësore

Kultura

Mësimdhënësit dhe norma gjuhësore

Nga: Zymer Mehani Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 08:08
Zymer Mehani

Hyrje

Në rrugën e zhvillimit të tyre kombet dhe shtetet janë kujdesur për të krijuar një formë sa më të njësuar gjuhësore, që t’u shërbejë gjithë anëtarëve të shoqërisë, të lehtësojë komunikimin ndërmjet tyre dhe zhvillimin e kulturës kombëtare.
Edhe për ne shqiptarët shqipja standarde vijon të kryejë rolin e saj në jetën politike, ekonomike, shoqërore e kulturore dhe është varianti i vetëm që mësohet në shkollë.Po ashtu, në shkollë jepet mësim lënda e letërsisë, e cila përfshin edhe tekste të shkruara në variantet e gegërishtes.
Siç dihet, me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 u vendos që shqipja do të ketë një normë drejtshkrimore të vetme dhe kështu u përcaktua që do të kemi një gjuhë standarde, ose të quajtur ndryshe, gjuhën letrare kombëtare apo edhe gjuhën letrare të njësuar. Norma u bë e detyrueshme në të gjitha fushat e jetës publike dhe u pranua nga shqiptarët në Shqipëri,  në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe te arbëreshët. ‘’Kjo formë e njësuar gjuhësore quhet gjuhë standarde’’.

Të folurit dhe të shkruarit e arsimtarit gjatë orës së mësimit

Shkolla është vendi më i autorizuar ku nxënësit, ndër të tjera duhet ta përvetësojnë përdorimin e drejtëtë gjuhës standarde si në formën e shkruar, ashtu edhe në formën e folur. Pikërisht për këtë, arsimtarët në veçanti arsimtarët e gjuhës shqipe, kësaj çështjeje, duhet t’i japin rëndësi më të madhe në punën mësimore-edukative. Ata duhet të zgjojnë te nxënësit kërshërinë dhe interesimin për t’u pajisur sa më shumë me kulturën gjuhësore. Për të realizuar drejt edhe këtë synim të lartë të shkollës shqipe, ata, së pari, duhet të kenë vetë njohuri të duhura gjuhësore.  Mirëpo, nga praktika pedagogjike mund të vihet re se shumë mësimdhënës sikur nuk i japin rëndësi të duhur përdorimit të drejtë të gjuhës letrare dhe kështu në orë të mësimit gjatë shpjegimit të njësive mësimore, përdorin trajta dialektore të gjuhës shqipe, si p.shngoni (në vendtë dëgjoni, dhami (për dhëmbi), kena mësu (kemi mësuar), me lexu (të lexojmë ose për të lexuar), jena vonu (jemi vonuar), me bërë (të bëjmë ose për të bërë), reth (për rreth), mer (për mer), mësus (mësues), pytje (pyetje), kena thanë (kemi thënë), ën shkollë (në shkollë) etj., të cilat mund të përdoren në stilin e të folmeve popullore, por jo në rastet e përdorimit zyrtar të gjuhës standard, aq më pak në shkollë, prej nga duhet të burojë kultivimi i kulturës gjuhësore.Shembujt e sjellë janë marrë në orët e mësimit. Ose: shumë i shpeshtë është përdorimi i gabueshëm i disa mbiemrave prejpjesorë, të cilëve, pa të drejtë u pasvihen morfemat formëformuese tashmë dialektore, si p.sh., mur ose:-mun ose: -un, p.sh., të pamurit ose të pamunit, të thënunit, të qenurit etj.
Trajtat e drejta të mbiemrave të nënvizuar prejpjesorë janë: të parët, të thënët, të qenët etj.
Në rrethana të zhvillimit plotësues të gjuhës shqipe në mërgatën tonë, ku nxënësit e bëjnë shkollimin e rregullt në gjuhë të huaja, çështja e mësimit të gjuhës shqipe bëhet edhe më aktuale dhe do një përkujdesje më të madhe në radhë të pare nga arsimtarët, por edhe nga prindërit.
Po ashtu në shkollë përdoren edhe trajta dialektore, qoftë nga arsimtarët, qoftë nga nxënësit, duke mos i kushtuar kujdes përdorimit të drejtë të gjuhës letrare. Kështu p.sh., gjatë procesit mësimor mund të dëgjohen apo edhe të shkruhen fjalë e shprehje dialektore,
Gjuha standarde jepet mësim në shkollë, domethënë norma e saj drejtshkrimore, e mbështetur me gramatikën dhe fjalorin. ‘’Gjuha standarde, kjo vlerë e lartë gjithkombëtare, në disa shtete me traditë të gjatë të arsimit, të kulturës e të shkencës, mbrohet me ligj nga shkarjet e ndryshme në përdorimin zyrtar të saj’’. Mendoj se kjo duhet të vijojë të jetë rruga e shkollës shqipe edhe në të ardhmen. Shqipja letrare që kemi shërben sot si shenja kryesore e identitetit kombëtar dhe me të do të përfaqësohemi si zë me peshë në familjen europiane, që do të jetë e përbashkët edhe për ne. Përndryshe do të ndodhemi përballë ndërlikimeve të mëdha.
Po të shikijmë gjendjen e sotme në shkolla  nga aspekti i gjuhës standarde, pa dyshim se vërehet njëfarë shkujdesjeje tej mase ndaj disiplinës gjuhësore, Po të vështrojmë përdorimin e shqipes, qoftë në të shkruar dhe qoftë në ligjërimin e folur, hiq disa probleme që kanë të bëjnë me tipare të veçanta fonetike (mungesa e qiellzoreve q,gj; varietete të shqiptimit të ë-së së theksuar; elemente të hundorësisë tek e-ja e theksuar dhe e lëvizjeve tek shqiptimi i zanores a e ndonjë tjetër), po jo edhe tek përdorimi i grupit të zanoreve ua, i fjalëve me rotacizëm, i përdorimit të ë-së së theksuar në kushte të caktuara, - tipare këto të shqipes standarde, bazuar tek toskërishtja, në fushat e tjera – si në morfologji e në fjalëformim dhe në çështje kryesore të ndërtimit të fjalisë, - standardi i shqipes kryesisht është zotëruar në një shkallë të mirë nga gjeneratat e reja.
Shembuj të tjerë të gabimeve që bëjnë nxënësit mund të gjejmë në fushën e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit, të fjalëformimit, të përshtatjes së gjymtyrëve në fjali, të paranyjëzimit, të shumësit të emrave, të përdorimit të trajtave të shkurtra të përemrave vetorë etj.p.sh: Arsimtari i tha nxënësve shumë gjëra.  Këtu është bërë një gabim te përdorimi I trajtës së shkurtër: Në vend të përdorimit  të trajtës së shkurtër të përëmrit vetor të vetës së tretë shumës të rasës dhanore – u, është përdorur pa të drejt dhe gabimisht trajta e shkurtër e përemrit vetor e vetës së tretë njëjës – i. Prandaj do të ishte drejt kjo formë: Arsimtari u tha nxënësve shumë gjëra.

Gjuha amtare si lëndë mësimore dhe si gjuhë mësimore

Gjuha amtare, përveç se është lëndë mësimore, njëkohësisht është edhe gjuhë mësimore. Kjo e dhënë i obligon edhe arsimtarët e lëndëve të ndryshme mësimore që përdorimit të gjuhës standard shqipe t’i kushtojnë vëmendje shumë më të madhe.Sepse, edhe mësimdhënësit e lëndëve të tjera, në një mënyrë, janë arsimtarë të gjuhës shqipe, ngase përmes gjuhës amtare, i shpjegojnë njësitë mësimore.Ndërkohë, është e ditur në teorinë e mësimit se nxënësit janë të prirur t’i përvetësojnë shprehjet gjuhësore të arsimtarit, të bindur se ato janë të drejta.
Arsimtari, në orë të mësimit, duhet ta flasë dhe ta shkruajë drejt gjuhën standarde. Ai duhet të flasë rrjedhshëm, qartë, t’i ketë gjithnjë aprasysh aftësitë psikologjike dhe fizike të nxënësve dhe stilin që përdor para tyre, t’i zgjedhë konstruktet gjuhësore sipas përjetueshmërisë së tekstit dhe të ndodhive që i zbërthen, të mos përdorë fjalë dhe shprehje të pakuptueshme për nxënësit, p.sh.,  në një orë mësimi në klasën e pestë, arsimtari përdor, ndër të tjera, edhe këto fjalë: promovim, ese, opus, symbol, atribut etj., të cilave, sit ë pakuptueshme që janë për nxënësit e shkollës fillore, duhet t’ua sqarojë domethënien ose t’i përdorë sinonimet e tyre më të kuptueshme për aftësitë e nxënësve të këtij niveli shkollor; të shprehet me fjalë më të shkurtra dhe të mbështetura mire nga ana semantike e sintaksore, të bëjë nyjëtimin e tingujve gjuhësorë sipas parimeve fonetike-fonologjike në aparatin e të folurit dhe këtë t’ua shpjegojë edhe nxënësve,  t’i korrigjojë trajtat e gabuara gjuhësore të nxënësve në të folur dhe në të shkruar në tabelë, në fletore etj., të ndjekë me interesim literature më të re gjuhësore si dhe ndryshimet eventuale si rezultate të hulumtimeve të reja shkencore-gjuhësore etj.
‘’Në gjithë veprimtarinë e shkollës është e domosdoshme që të përdoret një gjuhë standard e përpiktë, e pastër dhe e kulluar, duke synuar që jo vetëm gjuha e teksteve të jetë plotësisht e normuar, e njësuar, por edhe që të folurit e mësuesit e të nxënesit të çlirohet nga të gjitha luhatjet e ndikimet dialektore, të vihet në përputhje të plotë me gjuhën e tekstit’’.
Në shpjegimin e çështjeve gramatikore, shembujt duhet t’u prijnë rregullave, ashtu siç e kërkon metodika e gjuhës dhe përkufizimet t’i mbështesë në shembuj, që të jetë më shumë praktik dhe më pak teorik e që është në frymën e parimeve didaktike-mësimore dhe të mësimdhënies së reformuar;
Shembujt për shpjegimin e njësive gramatikore duhet të merren nga konteksti i veprave letrare ose nga teksti i përpiluar nergut për njësinë e caktuar gramatikore, sepse është më praktike dhe më e kapshme për nxënës dhe jo me fjali të shkëputura, siç veprohet shpesh në orët e këtilla;
të organizojë punën në grupe të vogla nxënësish dhe, pas shpjegimeve përkatëse, t’u jepen detyra që vetë nxënësit ta përmirësojnë njëri-tjetrin, strategji kjo e mësimdhënies, e cila aktivizon vetë nxënësit dhe nxit punën e pavarur të të gjithë nxënësve.
të zgjojë të nxënësit interesimin për krijimtarinë letrare për fëmijë, t’i udhëzojë nxënësit për ta kërkuar dhe për ta krijuar shprehjen e bukur artistike dhe të organizojë edhe orë letrareë
t’i formulojë drejt dhe në mënyrë precise pzetjet që ua shtron nxënësve, sepse, në pyetje të përgjithësuara, siç bëhen shpesh, p.sh., ’’Na thuaj diçka për republikën e Kosovës’’? etj., nxënësi nuk di nga ta fillojë përgjigjen;
t’i ketë parasysh: mënyrën e të shprehurit dhe teknikën e të folurit: tempoja, toni, sipas nevojës, intonacioni, pushimi, shenjat e pikësimit etj.

Përfundimi

Nga këto që u thanë, përfundojmë me faktin se gjuha standarde në shkollë, posaçërisht përdorimi i drejtë i saj, duhet të jetë detyrë parësore për mësimdhënësit në përgjithësi, ë veçanërisht për arsimtarët e gjuhës shqipe, në mënyrë që këta të jenë model i kultivimit të kulturës gjuhësore si në të shkruar, po ashtu edhe në të shprehur, në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë rëndësinë që ka gjuha shqipe dhe gradualisht t’i përvetësojnë rregullat gramatikore të saj. Nga kjo pikëpamje, pa përjashtim, të gjithë mësuesve dhe arsimtarëve u vihet përpara obligimi që të flasin dhe të shkruajnë sa më mirë në gjuhën standarde, sepse shkolla është vendi më i përshtatshëm për ta kultivuar kulturën gjuhësore.
Prof. dr. Hasan Mujaj me të drejtë thotë se ‘’Shkolla është vendi më i autorizuar ku nxënësit, ndër të tjera duhet ta përvetësojnë përdorimin e drejtë të gjuhës standard, sin ë formën e shkruar, ashtu edhe në formën e folur’’

LITERATURA:
G. autorësh, Gjuha letrare shqipe (Elemente tënormës  së sotme letrare), Prishtinë, 1984;
Hasan Mujaj, Favorizimi i antivlerave, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012;
Emil Lafe, Panorama, Tiranë, 2005.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat