Jetë e gdhëndur në vepra

Kultura

Jetë e gdhëndur në vepra

Nga: Fran Gjoka Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 15:30
Fran Gjoka

Njё nga figurat mё tё shquara tё gazetarisё shqiptare dhe njёherit edhe tё fushёs studimore shqiptare, ishte edhe shkrimtari dhe gazetari i njohur Nuri Dragoi, i cili u nda nga jeta kohёt e fundit, duke lёnё njё emër të respektuar, bibliotekё tё pasur me libra dhe njё numёr tё konsiderueshёm artikujsh studimorё dhe problemorё tё botuar. Krijues i spikatur dhe gazetar i sprovuar, autor i veprave me vlera tё rёndёsishme letrare dhe historike. Gazetar prej gati tridhjetё vitesh, kryeredaktor pёr njё kohё tё gjatё i gazetёs sё njohur “Republika”, autor shkrimesh nё shumё nga organet tona tё shtypit, por edhe autor studimesh dhe librash monografikё me shumё vlera. Krijimtarinё e tij e ka përshkallëzuar në mënyrë interesante, në fillim monografi për figura të spikatura të krahinës së tij Përmetit dhe më pas një libёr voluminoz prej tre vëllimesh për vendlindjen e tij tё dashur, Dëshnicën. Pak kohё mё vonё botoi njё libёr me mjaft vlera “Eshtra që akuzojnë”, i cili pёrshkruante rastin tronditës të zhvarrimit të eshtrave në Kosinë të Përmetit. Shumё shpejt Nuri Dragoj do tё paraqiste para lexuesit librin tjetёr monografik “Kasëm Trebeshina dhe prapaskenat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”, i cili pati njё jehonё tё konsiderueshme mediatike. E gjithë vepra e Nuri Dragoit i kushtohet jetës shqiptare, dukurive të saj e në veçanti i kushtohet historisë së largët, por edhe asaj të sotme, kulturës, dokeve, traditave, figurave e personaliteteve të saj, me ato të rangut të trevës së Deshnicës e deri te ato kombëtare, u kushtohet luftrave, punës, përplasjeve, brengave, halleve, vuajtjeve, por edhe mbarësive e qëndresës së pashembullt të popullit tonë ndaj rrebesheve të historisë. Vepra publicistike e Nuri Dragoit ka tipar kryesor të vërtetën historike dhe reale tё jetës, ka realizmin dhe vërtetësinë. Ajo nuk mbështetet në hamendje, trillime e mashtrime. Kjo cilёsi e bën veprën e Dragoit të besueshme, të thjeshtё, tё kapshme dhe bindëse. Dragoj, nё kёtё rast, ka marrë në shqyrtim një temë sa të vështirë, aq edhe të ndërlikuar. Por vepra që e bёri tё njohur pёr trajtimin e ҫёshtjeve ndёrkombёtare qe “Prapaskenat e Konferencës së Londrës", botuar nё vitin 2013. Çështja shqiptare ka qenë gjithnjë e pranishme dhe çështje e shtruar për zgjidhje në kancelaritë perëndimore, pasi gjithmonë janë bërë plane, janë kurdisur prapaskena dhe janë marrë kurdoherë vendime në dëm të interesave jetësore dhe kombëtare të popullit tonë. Pikërisht këtij problem, që mbetet aktual edhe sot në ditët tona, i kushtohet libri historik i studiuesit tashmë të mirënjohur Nuri Dragoj “Prapaskenat e Koferencës së Londrës 1912–1913”, botuar nga SHB “Iceberg” pak vite më parë. Megjithëse në këtë material tejet serioz dhe të plotë trajtohen çështje tepër të rëndësishme, që ngërthejnë një hark kohor vetëm prej dy vitesh, pasqyrohen të gjitha përpjekjet e patriotëve dhe politikanëve tanë të kohës për ta bërë të njohur emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe për ta respektuar atë si shtet të pavarur si dhe përpjekjet e fuqive të mëdha jo vetëm për ta lënë në harresë lavdinë e këtij vendi, por çka është më e keqja, për ta coptuar atë. Me shumë të drejtë autori ndalet për të analizuar mbledhjet dhe konferencat që firmosën aktin tragjik të copëtimit të trojeve shqiptare, ato akte që në mënyrë tërësisht të padrejtë hodhën “shpatën e rëndë” të Demokleut mbi trojet tona, duke ndarë jo vetëm trojet, por edhe kombin tonë në pesë pjesë. Aktin më të turpshëm do ta ndërmerrte mbledhja e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha e 29 korrikut të vitit 1913, që vendosi copëtimin e trojeve tona, pa marrë parasysh vullnetin e sovranit të sapodalë nga lufta e egër pesëshekullore. Në këtë periudhë të vështirë, populli ynë vuante plagët e rënda të luftës, ai kishte nevojë për ndihmë dhe përkrahje dhe jo për një trajtim të tillë mizor siç po ia bënin Fuqitë e Mëdha këtij kombi nga më të lashtët në Ballkan, megjithatë patriotët tanë të sprovuar në situata të tilla të vështira, ditën t’u dilnin zot fateve të kombit. Është meritë e studiuesit Nuri Dragoj që pёrmes dokumentash të pamohueshme analizon dhe vlerëson me kujdes figura të tilla të spikatura si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Fan Noli etj., por edhe rolin e pazëvendësueshëm të patriotëve të mëdhenj si Sefulla Vllamasi apo Mehdi Frashëri. Mjeshtria e spikatur e studiuesit Nuri Dragoj pasqyrohet në çdo rresht, në çdo faqe, në çdo detaj të librit, ai ka ditur të ndërthurë me kujdes përshkrimin me faktet historike, të kaluarën me të sotmen si dhe të shprehë qëndrimet dhe ndjesitë personale për këta çështje kombëtare madhore për kombin tonë. Kështu autori krijon vizione të qarta historike kur pasqyron ngjarje para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së vendit, luftën për të konsoliduar shtetin e ri shqiptar në familjen e madhe europiane.

Nuri Dragoi i ndjere

Lëvizjet patriotike janë të shumta, ngjarjet po ashtu, kryengritja e gushtit 1912, që kishte përfshirë gati gjithë Shqipërinë, Memorandumi me 24 kërkesa i kryengritësve, Luftra Ballkanike e 8 tetorit 1912, kur Serbia do të sundonte krahinën e Sanxhakut, etj., por edhe përpjekjet e popullit shqiptar për të shijuar pak ditë liri ishin të mëdha. Në krye të këtij kombi të varfër ishin vënë patriotë dhe atdhetarët e vërtetë që dinin t’u dilnin zot fateve të Atdheut. Dhe Autori ndalet tek figura emblematike e lëvizjeve për pavarësi Isa Boletini, një nga udhëheqësit e lëvizjeve dhe pjesëmarrjes në Qeverinë e Përkohëshme të Vlorës të Dhjetorit 1912. Ishin pikërisht këta patriotë që u bënë ballë planeve ogurzeza të gjashtë Fuqive të Mëdha që aso kohe thuajse bënin ligjin në Europë. Ishte Londra, Moska, Berlini, Roma, Vjena dhe Parisi që kurdisnin plane dhe lëshonin vija sipas dëshirës mbi hartën e Shqipërisë, dyshimet mbi Pavarësinë e saj etj., të cilat studiuesi në mënyrën më të saktë dokumentare na e jep pёrmes bisedës së bërë nga Fairfax Cartëright (1857–1928) ambasadori britanik në Vjenë dhe ministrit të jashtëm austriak, Kontit Leopold Berchtold, në mëngjesin e 26 tetorit të vitit 1913, kur dhe nisin tratativat e famshme të masakrës territoriale të Shqipërisë, kur propozimet për copëtimin e tokave shqiptare, aneksimi i Sanxhakut, Plavës e Gucisë, Kosovës e deri edhe në portin e Shëngjinit, kalonin sa në një kancelari në tjetrën, derisa përfundonin në dosjet famkeqe të ministrit të jashtëm të Anglisë, Edëard Grey (1862–1933), një nga aktorët më të rëndësishëm të masakrës territoriale shqiptare të viteve 1913.

Studiuesi i njohur Nuri Dragoi, përmes dokumenteve historike përshkruan takimet, bisedat, mbledhjet dhe konferencat ku gatuhej e ardhmja e Shqipërisë, ku bëheshin plane për copëtimin e saj. Më 17 dhjetor 1913, do të hapte punimet Konferenca e Londrës, në të cilën do të merrnin pjesë ata burrat më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër, që do të coptonin trojet tona dhe do të vendosnin për fatet e këtij kombi të sapodalë nga lufta pesëshekullore. Ishin kasapët e Europës: Edëard Grey – ministër i jashtëm i Anglisë, Raymond Paincore, ministër i jashtëm i Francës, Leopold Bercitold, ministër i jashtëm i Austro – Hungarisë, i cili qe ndoshta ndër të vetmit që mbrojti çështjen shqiptare, ndoshta sepse më vonë mendonte të hartonte plane në kurriz të saj, Sergei Sozonov, ministër i jashtëm i Rusisë, Antonio Markjuis, ministër i jashtëm i Italisë, Eleftherios Venizelos, ministër i jashtëm i Greqisë, të cilët historia i dënoi dhe vazhdon t’i dënojë për terrorin që u bë para 100 vjetësh në këta troje.

Dhe në ballë të luftës për njohje të qeverisë shqiptare dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit tone qenë patriotët tanë, bijtë më të mirë të këtij populli, që luftuan dhe sakrifikuan për çështjen kombëtare. I tillë ishte edhe patrioti korçar, Nikolla Noga, i cili sapo dëgjoi se Konferenca e Ambasadorëve të Londrës do të shpallte njohjen e qeverisë shqiptare, pati brohoritur: -Rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit tim u shëruan! Tashti le të vdes! Zoti i madh na paska falur një vdekje të ëmbël! Dhe kishte dhënë shpirt patrioti i madh më 24 prill 1913. Kështu edhe atdhetari i shquar, Dhimitër Zografi, apo delegatët shqiptarë të Konferencës së Londrës, që bënë historinë, mbrojtën çështjen tonë kombëtare përballë Fuqive të Mëdha. Ndonëse emrat e tyre rrallë ishin artikuluar në të kaluarën, ata mbetën të pavdekshëm në mbrojtjen kombëtare. Sipas studiuesit Dragoj, në delegacion bënin pjesë Rasih Abedin Dina, Mehmet bej Konica dhe Filip Noga. Faik Konica ishte dërguar nga “Vatra” dhe Fan Noli nga Kisha Ortodokse e Amerikës. Janë të njohura ngjarjet që rrodhën në vitet e mëvonshme, sepse trojet shqiptare u copëtuan, marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjtë u acaruan akoma më shumë, madje edhe sot e kësaj dite mbetet në fuqi Ligji i Luftës me Shqipërisë, apo tendencat agresive të fqinjëve tanë veriorë, kujtojmë këtu edhe çështjen e pazgjidhur të Çamërisë, që sot e kësaj dite zvarritet e zvarritet pa fund. E të gjitha këto janë pasoja të kësaj Konference, që veprimtarinë dhe vendimet e saj i analizon aq bukur dhe me kujdes i mirënjohuri Nuri Dragoj, i cili ka krijuar tashmë profilin e tij të studiuesit me shumë vepra të këtij lloji. Në këtë vepër autori ka shënuar arritje të rëndësishme në fushën e studimeve, sepse me faktet e shumta, dokumentet e shfletuara, dëshmitë e analizuara sjell para lexuesit të dhëna të reja historike rreth synimeve të Konferencës së Fshehtë të Londrës dhe synimeve për copëtimin e Shqipërisë, por më e keqja është se këto synime dashakeqe janë gjallë edhe sot, prandaj edhe libri i Nuri Dragojt është një apel kundër këtyre synimeve të shteteve europiane. Pena e tij ka nxjerrë libra me vlera, që u shërbejnë shqiptarëve vetëm për të mirë, që ua thellojnë njohjen për historinë e kulturës tonë, që ua rritin krenarinë për vendin dhe personalitetet shqiptare. Nuri Dragoi ishte qetë, fjalëpak, me sytë që vetëm qeshnin e shprehnin shumë dashuri për të tjerët, mbase për botën mbarë, i palodhur, i papërtuar. Kërkonte, kërkonte me durim të jashtëzakonshëm nëpër arkiva e biblioteka atë që e shqetësonte për çështjen kombëtare dhe atë të vendlindjes së vet, Përmetit, për ta hedhur më pas në libra, që të mbetej e shenjtë ikonë apo gor në murin e lartësuar të historisë së kombit. I thjeshtë në madhësinë e shpirtit të vet altruist, idhtar i së vërtetës dhe i ndershmërisë,, larg papajtueshmërisë me vlerat e të tjerëve, ai punonte, punonte dhe shpesh harronte që duhet të kujdesej edhe për veten. Nuk e njihte egoizmin dhe egocentrizmin, dhe kjo është arsyeja që unë sot po shkruaj për të si për njeriun e vlerave shumëhapsinore,, si njeriun që e donte atdheun dhe vendlindjen e tij, si njeriun që e donte përparimin dhe nderin e Shqipërisë së vogël dhe asaj të vërtettës, Shqipërisë etnike. Kjo e bën edhe më të paharruar kujtimin e tij. Veprat e këtij autori burojnë nga jeta, historia, kultura e shpirti i shqiptarëve. Kësisoj ato do të mbeten përherë të lakmueshme për lexuesit, do të zbukurojnë gjithnjë bibliotekën e tyre. Publicistika e Nuri Dragoit është e mbështetur në të vërtetat jetësore, në të dhëna e dëshmi të bollshme dhe prandaj është bindëse, tërheqëse, informuese, formuese dhe e përvetësueshme kënaqshëm nga lexuesi. Kështu, një nga librat e tij të fundit, “Eshtrat që akuzojnë…”, na bind më së miri se autorit i rrihte zemra fort për çdo veprim të lig, për sjellje fyese dhe përbuzëse që u ndodhin shqiptarëve, të kryera nga politika mesjetare shoviniste të fqinjëve ose të veprimeve të papërgjegjshme të politikanëve të vendit tonë të kohëve të ndryshme. Le tё mbetet ky shkrim modest njё homazh pёr jetën dhe veprёn e pavdekshme studimore dhe krijuese tё shkrimtarit tё shquar dhe shumёdimensional, Nuri Dragoj. Kuptohet, që është e veshtirë, që brënda një shkrimi të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figuren infiklopedike dhe vepren e gjërë e të gjithanashme të një përsonaliteti të tillë si Nuri Dragoi. Do të duhen që figura e shkrimtarit e historianit te talentuar te një modeli të cilësisë dhe dashurisë njerëzore te ndriçohet në thellësi e gjërësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti dhe vlerësimi ndaj tij por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Kjo e ben edhe më të paharruar kujtimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat