Takim me japonezin

Kultura

Takim me japonezin

Nga: Fatmir Lohja Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 09:45
Fatmir Lohja

Një ditë të shtune, paradite, me Gimin, po pinin kafe me bisht, te Pazari i Ri. Na gjeti në tavolinë bisnesmeni Gani. Me ardhjen e tij i varëm pak turinjtë. Ka fjalë shumë. Nuk pushon duke u vetëlavdëruar. Ndënja me atë ka edhe dy të mira; e para, nuk shan askënd; e dyta, nuk të lë të paguash tavolinën.

Na ra në sy shetitja e turistëve aziatikë. Gania ka mbaruar studimet në Japoni. U ngrit për të marrë vesh se nga cili shtet janë . Kur foli bukurgjatë me grupin, një nga turistët na e solli në tavolinë. Ne na prezantoi si shkrimtarë, ndërsa mikun e largët inxhinjer i elektronikës.

E nisëm duke i kërkuar përshtypjet për Shqipërinë. Si burrë i zgjuar, nuk la gjë pa lavdëruar te ne. Nga çfarë tregonte për Japonine, nuk po e zbukuronte si për Shqipërinë. Edhe shoqëria japoneze, pavarësisht nga zhvillimet në elektronikë,teknologji, standarte jetese,… , sipas tij edhe ajo ka shqetësimet e veta .

Në fund të pyetjeve njohëse, nuk mu durua pa e pyetur:

Me këto standarte të larta, ka pasur probleme ,që e kanë shqetësuar shoqërinë japoneze?

Gania në fillim hezitoi ta përkthejë. Këmbëngulja e mikut e detyroi ta përcjellë te ai pyetjen time .E priti me buzëqeshje përkthimin. Ngadalë-ngadalë, nisi të na tregoi se përpara disa kohëve , si komunitet kanë pasur problem shumimin e minjëve. Tregonte për dëmet që u sillnin në familje, bisnese,….. Në fund, i gëzuar,tregoi se edhe ky shqetësim u zgjidh.

E si u zgjidh?- nuk iu durua Gimit.

Ai tregoi se me kolegët e vet, krijuan minjë elektronikë. Robotët i ndjellin minjtë në çdo vrimë, për t’i tërhequr nga pas deri në detë. Komuniteti, të mbyturit, në mbrotje të mjedisit , i merr menjëherë, dhe i dërgonte në kadavra. Me hirin e tyre ushqehen tokat japoneze me azot. Nga çfarë dëgjonim nga përkthimi i Ganisë, mua me Gimin na hipi një gaz i marrë.

Miku serioz nuk po na kuptonte tërë atë gaz. Ganija i shqetësuar na u drejtua:

Pse qeshni si fëmijë?

Thuaji mikut tënd, a mund të na prodhojnë politikanë elektronik shqiptarë ?- i doli nga shpirti pyetja Gimit.

Pas përkthimit të Ganisë, filloi miku të qeshë me zë të lartë.

Fatkeqësisht nuk mund t’u ndihmojmë për kërkesën. Në Japoni është drejtësia që e zgjidh shqetësimin tuaj,- dhe u ngrit duke tokur duart me shumë ngrohtësi me ne.

Pas pak çasteve, kur ai u bashkua me grupin, japonezët na përshendetën me levizjen e duarve lart. Se çfarë u tha ai shokëve, një Zot e di. Ne na ra në sy, se turistët japonezë hipën në autobus shend e verë. Për të mos pasur shqetësim nesër me drejtësinë, po e theksoj ,se është Gimi , që kërkoi ndihmë nga teknologjia Japoneze. E për ta mbyllur një herë e mirë këtë humor, Gimi është thjeshtë përsonazh artistik , të cilin zgjuarsija popullore e emërton “Humorist Anonim”, për të shpëtuar nga censura shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat