Falënderime atyre që ma treguan heroin Ismail Raka

Kultura

Falënderime atyre që ma treguan heroin Ismail Raka

Nga: Rexhep Shahu Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 12:40
Kopertina e librit

Heroi Ismail Raka prehet i qetë në altarin e lirisë. Na sheh nga atje ku është me sytë e lirisë, me sytë e tij qiej me yje të përflakur dhe i gëzohet jetës tonë në Kosovën e lirë, për të cilën derdhi gjakun e tij. Heroi nuk ka nevojë për të gjallët, por ne kemi nevojë të përjetshme për të, kemi nevojë sot e mot për frymëzimin e herojve të vërtetë. Për shfaqjen e dimensionit të mirënjohjes, si një vlerë të çmuar, më burojnë nga zemra shumë falenderime për bashkëpunëtorë, shokë, miq e familjarë të heroit Ismail Raka, të cilët ma rrëfyen heroin njeri dhe më bënë që ta dua, më bënë të ndjej dhimbje e krenari, më bënë me krahë me dashurinë e mirënjohjen e tyre për të, më frymëzuan që ta shkruaj me dashuri këtë monografi për jetën e njeriut dhe heroit që frymëzon, që ndiçon e i bën dritë udhës tonë, të nesërmes tonë.

Fjalën e parë të falenderimit do ta nis për Naser Kuka, për shokun më të afërt e të dëshmuar të Ismail Rakës në Levizjen për çlirimin e Kosovës. E falenderoj përzemërsisht për nismën, këmbënguljen, vëmendjen e shtuar për këtë libër, për kujtimet e tij për Ismailin, për gjetjen e dokumenteve, për durimin e treguar, për kujdesin për të mos lënë pa përmendur asnjë shok e bashkëpunëtor të Ismail Rakës, për të mos nënvlerësuar asnjë vogëlsi, i bindur se “vogëlsitë” janë gurët e murit të kalasë, për ngulmimin e tij me i shprehë mirënjohje çdo banori të Kaçanikut, që në një mënyrë a një tjetër i ka kontribuar lirisë së Kosovës, për sigurimin e financave për këtë libër. Naser Kukan e njoh përsonalisht që në mars 1998, për angazhimin e tij serioz, si njeri institucional, trim, autoritar, i besës dhe i fjalës, ndërmjetës i rëndësishëm në mjaft ngjarje e procese, i dërmuar burgjeve e qelive serbe me gjithë bashkëshorten Hafiden, i angazhuar për Kosovën e lirinë e saj me gjithë qenien e familjen tij.

a mundur t’i përmend të gjithë, falenderoj ngrohtësisht shokët e Ismail Rakës, ata që munda të njoh e t’i takoj, bashkëpunëtorët e tij, që e ruajnë të shenjtë shoqërinë e miqësinë me të, që krenohen si fisnikë me të, si Bujar Bajra, Ekrem Kycyku, Misim Sopa, Idriz Krasniqi, Behlul Shehu, Faton Fiçi, Mustaf Ameti, Shaip Rexha ose “daja dreç”, mesuesi i tij Hebib Shehu, Iljaz Ramajli, Fatmir Qaka, Tahir Çaka, Hisret Kycyku, Myrteza Dogani, Esat Troni, Xhabir Zharku, Sevdije Shehu, Avdi Verbani, Ismet Koraçi, Luan Bajra, Fisnik Kyqyku, Rafi Halili, Abdulla Milaim Çollaku, policin Iljaz Gashi, eprorin në policinë e Ferizajt Mehmetali Hajdari, për nderimin që ruajnë për Ismail Rakën, që më shtynë më tej për këtë libër me frymëzimin e krenarinë e tyre dhe ma treguan, siç ishte, Njeriun, patriotin dhe heroin Ismail Raka.

Falenderoj ngrohtësisht gjithë ata që kanë shkruar libra e artikuj dhe që unë u jam referuar, i kam përmendur ose jo, por që më kanë ndihmuar për të hyrë në atmosferën e kohës për të cilën shkruaj në këtë monografi për Ismail Rakën. Naser Kukën për librin “Nga Levizja Ilegale te UÇK, kujtime e deshmi” dhe artikujt për Ismail Rakën botuar në shtyp që nga fillimet pas vrasjes së tij; Muhamet Reken e Sevdije Shehun për librin e tyre “Hebib Shehu – një jetë për Kaçanikun dhe Kosovën” libër që më futi në atmosferën e atyre viteve;

Hajrush Kurtaj për librin “Lufta e UÇK – së në ZON (Zonën Operative të Nerodimes)” ku mësova për vijimsinë e qëndresës së djemve të rajonit të Nerodimes e të Kaçanikut dhe të brigadës 162 “Agim Bajrami”; Berat Luzhën për shkrimet e tij e veçmas për shkrimin e botuar me 5 dhjetor 1994 për vdekjen e varrimin e Ismail Rakës; Hysen Shehun për shkrimin në broshurën e botuar me Naser Kukën në një vjetorin e vrasjes së Ismail Rakës dhe shkrimet në shtyp; Ferid Shehun që ka bërë dokumentarin për Ismail Rakën në RTSH, në vitin 1997 dhe për shkrimet e tjera;

Ramadan Asllanin për ciklin e shkrimeve për Ismailin, shokët e tij e levizjen ilegale e çlirimtare të kohës; etj., etj.

U jam shumë mirënjohës familjarëve të Ismail Rakës për rrëfimet e tyre. Mirënjohje të thellë Xhemile Rakës, gruas së Ismail Rakës e cila me dhimbje që dhemb e do të dhembë gjithmonë, ma tregoi Ismailin njeri, djalë, baba, prind, vëlla, bashkëshort shembullor, burrë trim, me të cilin krenohet ajo, vajzat e djemtë e tij, nipër e mbesa, sot e mot.

Shumë mirënjohje xhaxhait të Ismailit, Ferat Rakës, që e ka konsideruar Ismailin djalë të tij gjithmonë, i cili ende sot e gjithë ditën përlotet për djalin e vetëm të vëllait të tij Milaimit, por që krenohet me të, me trimërinë, atdhetarinë e heroizmin e nipit të tij. Mirënjohje vajzave të Ismailit, Vlorës e Liburnës, djemve të tij Labinot Raka e Shkelzen I. Raka Geni për rrëfimet e tyre të dhimbshme, për kujtimet e tyre të fëmijërisë kur e panë me sytë e tyre se si korbat ua morën për thonjsh babën duke zbardhë 29 nëntori 1994 dhe ua sollën në tabut pas 34 orësh të kobshme, në pasditën e 30 nëntorit 1994. Nga zemra një falenderim e mirënjohje çdo banori të Kaçanikut, pasi atje pashë se njerzit e nderonin Ismail Rakën dhe rruga me emrin e tij e vendi ku është vendosë busti i tij me përmasa njeriu e jo gjigandi a mbinjeriu, ishin bërë toponime të rëndësishme e të pranuara me dashuri prej njerzve.

Falenderime të përhershme meritojnë Këshilli i Komunës, autoritetet dhe drejtuesit e Komunës së Kaçanikut ndër vite, të cilët kanë ditë ta nderojnë e të krenohen me heroin Ismail Raka. Mirënjohje kryetarit aktual të komunës Kaçanik, Besim Ilazi, i cili e sheh dhe e nderon Ismail Rakën si simbol të qëndresës së kaçanikasve dhe si model frymëzimi për brezat e rinj.

Një falenderim special për Izet Durakun, mikun tim, redaktorin e këtij libri e të gjithë librave të mi, për orientimin e udhëheqjen e punës për këtë monografi. Ndjesë atyre që mund të më kenë ndihmuar qoftë me ndonjë rrëfim, me ndonjë fotografi apo dokument, por që s’po më vijnë ndër mend në këto çaste që po e mbyll këtë faqe falenderimesh.

Ndjesë lexuesit për pamundësinë e nxjerrjes në libër të mjaft dokumenteve, procesverbaleve, deshmive, informacioneve të familjarëve, të KMLDNJ-së së kohës për shkak se janë teknikisht të palexueshëm në format libri, ndonëse në format të madh apo në kompjutër lexohen. Kjo histori mbështetet edhe në ato dokumente që unë i kam përdorë dhe administruar në këtë libër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat