Regjisori që heton anët e errëta të njerëzimit

Kultura

Regjisori që heton anët e errëta të njerëzimit

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 11:28
David Fincher

Me filmat e tij “Se7en”, “Zodiac” dhe “Fight Club”, David Fincher ka hulumtuar ligësinë e njeriut, shkruan Gregory Wakeman. Pjesë të shkrimit të tij:

Adhuruesit e David Fincherit kanë pasë arsye të jenë të gëzuar gjatë muajve të fundit. Shtatori e shënoi 25-vjetorin e filmit “Se7en” (Shtatë), një trileri psikologjik që e etabloi një 33-vjeçar si një nga regjisorët e rinj ikonoklastikë të Hollivudit. Por, u bënë edhe 10 vjet nga filmi “The Social Network” (Rrjeti social), ku Fincheri dhe skenaristi Aaron Sorkin e hulumtojnë lakminë e Mark Zuckerbergut dhe origjinën e Facebook-ut. Por, fakt më emocionues për adhuruesit e tij është ai se, pas më shumë se gjashtë vjetëve të premierës së filmit të tij të fundit, “Gone Girl” (E përhumbura), filmi “Mank” (Manku) nga sot do të jetë në Netflix.

Fincher ka pritur rreth 20 vjet për ta gjetur produksionin e duhur për filmin që u shkrua nga babai i tij Jack, në fund të viteve 1990. Por, pasi shumica e studiove të Hollivudit u tërhoqën nga ideja e një biografie bardhezi për skenaristin e filmit “Citizen Kane” (Qytetari Kejn), Herman J Mankiewicz, Netflix-i ia dha lejen Fincherit për të përmbushur vizionin e tij.

Vlerësimet e para për “Mank”-un janë jashtëzakonisht pozitive dhe Fincheri është një nga pretendentët kryesor për çmimin Oscar për regjisorin më të mirë. Çrregullimi i kalendarit kinematografik për vitin 2020, shkaku i koronavirusit, do të thotë që konkurrenca ndaj tij nuk është aq e fortë. Por, është turp i madh për çmimet e Akademisë amerikane se pse ky titan i filmit modern ka marrë vetëm nominime për regjisorin më të mirë për filmat “The Curious Case of Benjamin Button” (Rasti interesant i Benxhamin Batonit) dhe “The Social Network”. Përkundër kësaj, vendi i Fincherit në panteonin kinematografik është prej kohësh i sigurt. Askush si ai nuk e ka ekzaminuar tjetërsimin, depresionin, fiksimin dhe anën e errët të inteligjencës – me stil, qasje të thellë dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, qasje argëtuese.

Por, çfarë është ajo që e veçon punën e Fincherit nga ajo e kolegëve të tij? Për kineastin Jeff Cronenweth – i cili punoi për herë të parë me të në videoklipin e vitit 1989 të Madonnas, “Oh Father” (Oh baba), si ndihmës-kameraman para se të xhironte filmat “Fight Club” (Klubi i dajakut), “The Social Network”, “The Girl with the Dragon Tattoo” (Vajza me tatuazhin e dragoit) dhe “Gone Girl” – është mënyra se si ai e sfidon audiencën duke ia hetuar dobësitë.

“Ai i vë ato përpara, kështu që duhet t’i gëlltitim. Edhe pse nuk na pëlqejnë”, thotë Cronenweth, sipas të cilit, në fund të pothuajse çdo filmi të Fincherit do të pyesësh se cili ishte veprimi i duhur ose i gabuar, dhe nëse do të kishit vepruar edhe ju në të njëjtën mënyrë. “Këto dilema krijojnë diskutime dhe biseda të mira, por gjithashtu i bëjnë njerëzit të mos ndihen mirë”.

Reputacioni i errët dhe misterioz i Fincherit, i shkaktuar nga filmat e tij, është në kundërshtim me “djalin jashtëzakonisht të pasionuar e të ndjeshëm” të cilin Cronenweth e quan mik të shkëlqyeshëm. “Për shkak se zgjedh tema që prekin damarët e njerëzve, lehtë mund ta cilësoni si person të pashpirt, zemërgur dhe të errët. Në fakt, nuk është aspak kështu. Ai e di këtë. Është i vetëdijshëm për këtë. Ai e studion njerëzoren. Por, të thuash që filmat e tij janë të ftohtë dhe pa pasion apo pa njerëzoren, kjo dëshmon se nuk i ke parë filmat e tij. Ai i studion pjesët e errëta dhe na i paraqet ato. Kjo është e gjitha. Dëshiron t’i studiojë gabimet që të gjithë i kemi”.

Interesimi i Fincherit për këtë aspekt të psikikës njerëzore u nxit pasi u rrit në gjirin e San Franciskos, në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, ku Vrasësi i Zodiakut e terrorizoi rajonin. Ai e detajoi me përpikëri këtë periudhë dhe këtë histori në filmin “Zodiac” (Zodiaku) të vitit 2007, e pastaj vazhdoi të eksploronte procesin mendor të vrasësve serikë në serinë “Mindhunter” (Gjuetari i mendjes) në Netflix.

Këndvështrimi i Fincherit është padyshim unik, si dhe aftësia e tij për qenë në rrjedhat kryesore të Hollivudit, e po ashtu ngritja e tij nga videot muzikore dhe nga regjisori i reklamave në kinema. Profesori i studimeve filmike, Laurence Knappit, thotë se rrugëtimi i tij dhe etika e punës që kërkoi, e dallon nga kineastët e tjerë, si Kevin Smith, Quentin Tarantino, Steven Soderbergh dhe Richard Linklater, të cilët gjithashtu u shfaqën në mesin e viteve 1990.

“Ai ishte i zgjuar sa i përket hyrjes në videot muzikore dhe më pas kalimit të tij në filma. Ka një mjeshtëri dhe vëmendje për detajet, të cilat nuk i ndjeni aq shumë tek kineastët tjerë”, thotë Knapp. “Është shumë i njohur rsa i përket ndryshimeve dhe praktikave të industrisë filmike. Shikoni se si u hodh në Netflix, aq herët me ‘House of Cards’ (Shtëpia e letrave)”.

Teksa bënte reklama dhe video muzikore, Fincheri mësoi si të bashkëpunonte dhe t’i besonte ekipit të produksionit. Siç thekson Knapp, Fincher është një “krijues i përkryer i filmave”, “i vetëdijshëm për montazhin, tingullin dhe punën në tërësi”, por që gjithmonë ka dëshmuar një “lehtësi të jashtëzakonshme për bashkëpunim, duke e ruajtur të njëjtën kohë autorësinë”.

Por, si është të punosh me Fincherin? Laray Mayfield ka bashkëpunuar me të qëkur u angazhua si përzgjedhëse e trupës për “Fight Club”. Ajo thotë se aftësitë bashkëpunuese të Fincherit shtrihen edhe në anën tjetër të kamerës. “Ai me të vërtetë i do aktorët dhe di shumë për aktorët”. Mayfield ka vërejtur se Fincheri dëshiron të punojë me njerëz “vitalë dhe të rëndësishëm” që synojnë t’i zgjidhin problemet në skenën e tij. “Ne nuk punojmë për Davidin, ne punojmë me Davidin. Ne jemi atje për të mbështetur vizionin  e tij dhe që, me departamentet tona, të shkojmë para – madje edhe në momentet më të vështira”.

Për fat të mirë për Fincherin, shumica e filmave të tij janë adhuruar nga audiencat dhe nga kritikët. Knapp beson se ndikimi i tij shtrihet përtej mjeshtërisë dhe bukurisë së thjeshtë të imazheve apo nëntekstit të zgjuar dhe provokues që shtresohet gjatë gjithë punës së tij. Për të, Fincheri është “terapisti i shoqërisë amerikane”, një rol që ai e ka marrë nga frymëzuesi i tij, Alfred Hitchcock, meqë “ai është i vetëdijshëm për audiencën dhe është në gjendje të komunikojë me ta dhe ta shesë punën e tij”.

Ndërkohë, ajo që Mayfield e sheh si më frymëzuese për Fincherin, përtej faktit se filmat e tij nënkuptojnë që emri i tij është “gdhendur tashmë në historinë kinematografike si një nga regjisorët e mëdhenj”, është respekti i tij për atë që ia doli ta përmbush jetën si kineast.

“Ai e merr këtë shumë seriozisht. Është përgjegjësi e madhe. Njerëzit japin shumë para për të bërë një film. Davidi nuk e merr këtë si të mirëqenë. Është një gjë tjetër me të: nuk ka asnjë arsyetim për të mos bërë gjëra sa më mira me aftësitë që ke”, thotë ajo. 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat