Pjetër Bogdani- shkrimtari i shquar filobiblik

Kultura

Pjetër Bogdani- shkrimtari i shquar filobiblik

Nga: Zymer Mehani Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 12:00
Pjetër Bogdani

331 vjet më parë, më 6 dhjetor 1689, ndërroi jetë shkrimtari filobiblik, Pjetër Bogdani. Ai u lind në Gur të Hasit, më 1625. Ishte humanist, ipeshkëv i Shkodrës dhe arqipeshkëv i Shkupit (1677-1689). Doktoroi për filozofi e teologji në Romë. Vepra kryesore e tij është “Çeta e profetëve” (1685), ku spikasin idetë humaniste, skolastike, kozmogonike, astronomike dhe pedagogjike. Vdiq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë. Varri i tij (te oborri i Faltores Arbërore) në prishtinë u dhunua dhe u shkatërrua nga osmanët. Ai u zhvarros nga turqit dhe eshtrat e tij iu hodhën qenve.

Vepra “Çeta e profetëve”

“Çeta e profetëve e shkrimtarit filobiblik, Pjetër Bogdani, është e ndarë në dy pjesë (Pjesa I: “Çeta e profetëve”dhe pjesa II: “Jeta e Jezus Krishtit dhe bëmat e tij”). Këtë ndarje autori e bëri duke u bazuar edhe në vetë ndarjen e Biblës në dy pjesë (Dhjata e vjetër dhe Dhjata e re). E botoi në Padovë të Italisë, në vitin 1685 me ndihmën e një mikut të tij, kardinal Barbarigut, të cilit edhe ia kushton.

Vëllimi i parë flet për krijimin e botës, për jetën e profetëve dhe të Sibilav, profetesha romake e pagane. Kjo pjesë është e shkruar në formë të një traktati filozofik e teologjik, me argumentime e citate autorësh antikë e mesjetarë.

Në bazë të tematikës, të strukturës dhe të funksionit të tyre në sistemin e të menduarit të veprës “Çeta e profetëve”, poezitë e Bogdanit mund të klasifikohen në:

-poezi të krijimit;

-poezi të sibiliane dhe

-poezi të kushtimit.

Poezia e krijimit është një vjershë me vlera antologjike, që përbëhet prej dy strofave. Strofa e parë, nëpërmjet të koncepteve, të figurave themelore të krijimit: Dheut, Detit, Qiellit e Zjarrit, paraqet dramën fillestare të krijimit të botës. Strofa e dytë, këtë krijim e bën më të kapshëm, sepse del si refleks i jetës së gjallë, nëpërmjet të ndijimit dhe të perceptuarit e botës.

Poezia e krijimit është e para poezi mendimtare-filozofike në letërsinë shqiptare.

Poezia sibiliane (ose e Sibilave) bën lidhjen ideore të dy pjesëve të veprës së Bogdanit. Ajo vjen si këngë e muzave pagane (Sibilave) për ardhjen e Krishtit, shpëtimtarit të botës. Këto këngëtare (Sibilat) mesdhetare dalin si motërzim (varianta) i muzave antike. Në parathëniet e këtyre poezive Bogdani flet për burimet e këtyre teksteve, që janë marrë nga të diturit, “dotorët”, siç i quan ai, nga librat, prandaj ky tip i poezisë së tij nuk mund të quhet përkthim, por rikrijim në vargje.

Poezia sibiliane e Bogdanit ka dy karakteristika:

-formulimet poetike themelore shprehin doktrinën (mësimin) biblike të autorit;

-figura origjinale poetike, më së shpeshti krahasimi, i mbështetur në mjedisin konkret shpreh origjinalitetin e autorit në shkrim.

Formulimet biblike zakonisht japin thelbin e idesë së vjershave.

Vlerat poetike të këngëve të Sibilave dalin më pas, kur përshkruhen mjediset, gjendjet shpirtërore. Nëpërmjet ndjeshmërisë së autorit teksti merr trajtën lirike e dramatike, njëherësh, duke arritur në disa raste një harmoni të vërtetë poetike e dramatike.

Shqipërimin e tekstit dhe të figurës poetike Bogdani e bën duke i emërtuar këngëtaret mitike, Sibilat me emra vendesh të njohura shqiptare, si: Hasjanja, Prizrenjanja, Shkodranja, Shkupjanja, Lezhjanja, Zadrimorja, Kosovarja. Ky shndërrim figurativ origjinal tregon krijimin poetik të Bogdanit, që niset nga ideja fetare dhe kalon në rrafshin e idesë atdhetare, me kushtimin dhe figuracionin, që bëhen themel i poezisë.

Për nga forma, të gjitha këngët e Sibilave te Bogdani janë në stance (formë tradicionale poetike në tetë vargje me skemën e rimës ABABABCC dhe vargun njëmbëdhjetërrokësh). Ky bëhet model zotërues në shkrimin poetik të këtij autori.

Formalisht, strukturalisht dhe figurativisht, vjershat e Bogdanit janë në nivel të lartë artistike, ngasi ai kishte kryer studime të larta, prandaj përdor vargjet e modeleve të letërsive të zhvilluara.

Poezia përkushtuese –tip i tretë i vjershave të Bogdanit.

Një poezi autori ia kushton Andria Zmajoviqit, ndërsa dy të tjerat janë përkushtime për vetë Bogdanin. Njëra nga Lekë Suma prej Shkodrës dhe tjetra, më e rëndësishmja, nga kushëriri i tij, Lukë Bogdani. Kjo e fundit ka vlera poetike antologjike. Ajo është një përmbledhje poetike e temave shpirtërore dhe atdhetare, të lidhura ngushtësisht me figurën krijuese të Pjetër Bogdanit.

Dy katrenat (strofa katërvargëshe) e para himnizojnë Prizrenin; dy të tjerat heroizmin, duke përmendur Skënderbeun; dy të tjera krijojnë madhështinë e Bogdanit duke ngritur kultin e krijuesit dhe të dijetarit; tri katrena himnizojnë natyrën, mitologjinë nëpërmjet figuracionit autentik: Zana blegtoreshë; tetë katrena portretizojnë tri qytete shqiptare: Prizrenin për trimërinë, Shkodrën për zotësinë, Shkupin për dritën e pasurinë; dy katrena paraqesin idenë themelore të veprës duke u shqiptuar si lutje për kryq e flamur (fe e atdhe), që bashkë me gjuhën bëjnë trinomin e identitetit kulturor të shkrimtarëve të vjetër. Në katrenën e fundit del himni fetar dhe shpresa për shpëtim. Nëpërmjet figurës së Zanës bëhet një krahasim i vendlindjes së poetit, (Prizrenit) me Venedikun.

Në poezitë e veta Bogdani përdor tri lloje figurash: kosmogonike (filozofike), biblike dhe autentike (origjinale).

Në aspektin e metrikës (rregullimit të vargut) dalin poezitë me tetërrokësh e katrena, por mbizotërojnë forma të letërsisë së shkruar të huaj e të kultivuar, si njëmbëdhjetërrokëshi dhe stanca (tetëvargëshi), që do të shfaqen më vonë në letërsinë shqiptare të Veriut.

Me lartësinë e stilit, me nivelin e ideve, me strukturën e veprës Bogdani ngrihet në nivelin e kulturës fetare e filozofike të kohës së vet. Mendimet e thella, gjuha dhe stili në shqip, e bëjnë atë autorin më të denjë për kohën, kurse veprën e tij një nga monumentet më të mëdha të kulturës së shkruar në gjuhën shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat