Dashuria në romanin "Lumi i vdekur" të shkrimtarit Jakov Xoxa

Kultura

Dashuria në romanin "Lumi i vdekur" të shkrimtarit Jakov Xoxa

Nga: Zymer Mehani Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

I. Hyrje

Vepra më perfaqësuese e shkrimtarit shqiprar, Jakov Xoxa  është romani: "Lumi i vdekur" të cilin  autori e botoi për herë të parë në vitin 1964, kurse subjektin e tij e vendos në vitin 1938, duke e nisur fillimin e veprimit në fshatin Grizë.
Në roman shkrimtari rrëfen se si nis shtegtimi i familjes së Pilo Shpiragut drejt Fierit, ku gjatë rrugës gratë e Shpiragajve shkojnë në Kishën e Shën Kollit në Mbyet, ku takohen me gratë e Cukollarëve dhe Papuçinjve, dy prej familjeve më të vjetra të qytetit të Fierit. Më pas, në udhëtimin e karvanit të qerres së Ikanakëve dalin Kisha e Shën Gjergjit, Ura e Kishës, Gjanica dhe më në fund Hani i Bishtanakës, që sipas autorit  ishte hapur nga 3 ortakët, ish- emigrantë në Amerikë: Vëllezërit Gjanica dhe Lako Zhullapi. Ndërkohë që këta 3 personazhe kanë qenë tre persona realë në qytetin e Fierit si vëllezërit Papai dhe tregtari L.Shallapi.Po kështu tek kapitulli i parë i "Lumit të vdekur" J. Xoxa, bën një analizë të hollë historike të ngjarjeve të zhvilluara në Fier në vitet 1920-1930. Midis të tjerave ai thekson ngjarjet e vitit 1924, kur tregtarët e Fierit u ngritën kundër Vrionasve, përfaqësuesin e të cilëve, beun Vrionas ai e quan në libër "Suat bej Verdhoma".
Lëndën e romanit ‘’Lumi i vdekur’’ shkrimtari i njohur shqiptar Jakov Xoxa e nxjerr nga atmosfera e gjallë dhe tipike e jetës, nga gjendja e vështirë ekzistenciale e njeriut tonë para Luftës së Dytë Botërore, për ta trajtuar me art njërën nga periudhat më të rënda të historisë sonë kombëtare. Autori zgjedh dhe shfrytëzon një lëndë shumë të pasur, të nxjerrë nga burime të ndryshme të jetës, historisë, mitologjisë etj., sepse ‘’fusha e artit është e gjithë jeta, gjithë ndjenjat , të gjitha vrojtimet
e të gjitha takimet’’, siç do të thoshte shkrimtari Henri Xhejms.
Në romanin ‘’Lumi i vdekur’’ shtrohet fakti historik i emigrimit të jashtëm, ndjekja e familjes kosovare të Sulejman Tafilit nga mbretëria jugosllave dhe vendosja e saj në Myzeqe, dhe emigrimi i brendshëm, dëbimi i familjes së Pilo Shpiragut nga beu vendës.Në vepër shtrohet gjendja e tërë jetës kombëtare brenda raporteve konfliktore historiko-shoqërore. Kjo jipet nëpërmjet të fatit të tri familjeve, asaj të Pilo Shpiragut dhe Koz Dynjasë (myzeqare) dhe të asaj të Sulejman Tafilit (kosovare).
Bota e madhe e romanit nis e shpaloset nëpërmjet të një atmosfere jete të braktisur. Familja Shpiragu e dëbuar nga beu, e mbetur në rrugë me gruan e sëmurë, kthehet në hanin e Bishtanakës. Episodi i qëndrimit në han përbën një kthesë në thurjen e mëtejshme të kompozicionit të veprës, ngase deri këtu, romani ka një shtrirje të njëtrajtshme fabulative. Tani ajo degëzohet në dy linja kryesore, në atë që përbën fatin e rëndë të fshatarësisë, dhe në linjën tjetër, të dashurisë në mes të Vitës dhe Adilit.

II. Dashuria e Vitës dhe e Adilit

Familja e Shpiragajve mbetet tërësisht pa mjete për të jetuar. I shtyrë nga rrethana të këtilla, Piloja si kryefamiljar detyrohet të mbështetet prapë te beu.Vitën e dorëzon në sarajet e tij. Arratisja e Vitës me Adilin, shpreh mohimin e një bote, e cila nuk u kishte ofruar dy të rinjve mundësi për të jetuar.
‘’Edhe dashuria e Adilit me Vitën, edhe pengesat e shumta në realizimin e saj, na e kujtojnë atë heroin e dikurshëm të epikës sonë legjendare, sepse figura e Adilit ngjan me ndonjë hero nga këngët tona kreshnike. Mbase ngjan me atë të Halilit edhe përnga bukuria, edhe përnga madhështia shpirtërore. Dashuria e madhe që e lidh me Vitën posa e takon, ngjan me situatat dhe qëndrimit e heroit epik, Halilit. Premtimi që duhet realizuar me çdo kusht, edhe nëpërmjet shumë sakrificash, apo vendosmëria që në kulmin e pamundësive për t’u realizuar dashuria, mendon të rrëmbejë Vitën, prapë na kujton figurën e rrallë dhe simpatike të Halilit. Ballafaqimi me rrethin e ri, me forcat e mëdha kundërshtare, rënia në burg, dalja prej andej në çastet më vendimtare për fatin e vajzës që dashuron, pastaj ardhja në ndihmë Vitës në situata të vështira, ngjan me gatishmërinë e Halilit kreshnik, për t’i ardhë në ndihmë dhe për ta shpëtuar vajzën që e dashuron, Tanushën, apo Dilberen e Bardhë.’’
Edhe vetmia e Adilit si hero kundër realitetit të caktuar na e kujton vetminë e ndonjë heroi nga epika jonë legjendare. Adili, sillet, qëndron dhe formësohet në rrethana konkrete dhe të ashpra të jetës.Ai është simbol i guximit dhe i bukurisë fizike, i shpirtit të pastër dhe i frymës luftarake që buron nga tradita e mirëfilltë e jetës së brezave.
Figurën e Adilit kosovar e plotëson ajo e Vitës, vajzës muzeqare. Po ka një dallim të dukshëm në ndërtimin e këtyre dy figurave. Deri sa Adili si karakter është krijuar nëpër situata reale, të vështira dhe bindëse, figura e Vitës shpeshherë del edhe nga rrethana, situata jo reale, që i afrohen iluzionit artistik, madje ndonjëherë nuk del edhe bindëse: ‘’Figura e bukur, e dashur, dhe, përgjithësisht, e realizuar e Vitës, qoftë në vetvete, qoftë në marrëdhënie me të tjerët, përmban disa elemente që e kanë dëmtuar natyrën e përgjithshme e realiste të veprës. Vitën, atë vajzë të thjeshtë myzeqare, të cilën ne e përfytyrojmë si të gjallë konkrete, si një qenie që gati hyn edhe në jetën tonë, më kot dhe pa menduar, autori e ka vënë në marrëdhënie eskluzive të heroinës së përrallave popullore, rreth së cilës vërtiten të gjithë, të mirë e të ligj.’’ Formësimin e karakterit të saj e karakterizon elementi i përrallës sonë, sidomos lidhur me vënien në jetë të së mirës dhe të së drejtës që e mundon njeriun.
Vita në kontekst të ngjarjeve të romanit jipet me ngjyra romantike. Besimin e saj nuk e mposht asgjë, as dashurinë e saj nuk mund ta pengojë asgjë. Ka një bukuri të rrallë dhe specifike, një sjellje karakteristike femërore. Ajo pak a shumë mbetet si hije përtej kundërthënieve të realitetit. Në moshë të re, kur i vdes e ëma, ajo e takon Adilin, ilind dashuria. Ajo që në rini të hershme jeton në mes të dy ndjenjave të tilla, të cilat e hutojnë dhe e nxisin në udhën e jetës. Varfëria e madhe jetësore nuk e ka penguar të rritet, të zhvillohet, të zbukurohet, të zgjojë lakminë apo xhelozinë e njerëzve.
“Vita, si të gjitha vajzat e bujqve myzeqarë, ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Po jeta ka rrugën e vet, që e ka filluar kushedi se ku e kushedi se si, saqë njeriu ngre supet përpara çudisë së saj. Grizarakja ishte zhvilluar aq mirësa që të kujtonte atë lakonin e bukur të kënetës, që del si për mrekulli mbi ujin e pocaqësur të moçalit.’’
Dy janë rrethanat kyçe që e ngatërrojnë jetën e saj: përkatësia klasore, shtresa e varfër të cilës i takonte, dhe dashuria specifike, e ndaluar, me një djalë kosovar dhe të një besimi tjetër. Këto edhe i kanë dhënë dimensione dramatike, jo vetëm figurës së saj, por edhe gjithë veprimit, gjithë konfliktit, shtrirjes së linjës, ku shquhet prania e saj si femër, vajzë fshatare dhe personazh që ka gëzuar posaçërisht simpatinë e shkrimtarit. Fati i saj ishte vështirë të qëndrojë e të ndryshohet, dashuria ishte vështirë të realizohet, jo vetëm nga aspekti i jetës sociale, por edhe nga rrethanat tjera të moralit të kohës. Nëpër çdo hap ngatërrohet nga paragjykimet, nga thashethënat, xhelozia, mëria, por ngjarjet e romanit, përspektiva e tyre, i japin besim, e mbushin jetë, guxim, që ajo të ecë dhe të ngadhnjejë në fund mbi gjithë atë botë të vjetër, e cila duhej të përmbysej për t’u zhdukur edhe pasojat e saj. Pesha e jetës rëndon shumëfish mbi të: është e një familjeje të dëbuar nga beu, ka mbetur jetime, e përcjell mëria e vëllait, Llazit, e lakmon beu, i cili e ka në dorë ekzistencën e tyre, e dënon fshati duke e akuzuar si shkaktare të shumë të këqijave që ndodhin në jetën e tyre. Vita, ndoshta është simboli rinisë që duhej të vijë. Ajo vazhdon drejt një kohe tjetër, drejt së ardhmes, andaj dhe ngjan me një heroinë romantike, e cila nuk zmbrapset, por bashkë me Adilin arratisen duke mohuar çdo gjë të botës së vjetër, për t’u flijuar në emër të një bote më të mirë, më të drejtë e më të denjë, në emër të një jete që nuk e patën etërit e tyre. Gjakimi i tillë jetësor realizohet pjesërisht në këtë vepër e do të vazhdojë të sendërtohet në veprat tjera të autorit.

III. Përfundimi

Motivi i dashurisë në romanin “Lumi i vdekur’’ është si një forcë shtytëse, motivuese për ta përballuar jetën, botën dhe për ta ndryshuar atë. Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash, prandaj gati receptohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale.Ajo më tepër përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet e fortë në krejt romanin, kurse bëmat dhe sjelljet shihen më pak. Zgjimi i ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, aq sa duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron atë. Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe zhvillimin femëror janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Edhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, kryesisht, janë marrëdhënie ndjenjash.Si bijë vuan dhimbjen e madhe për vdekjen e parakohshme të së ëmës, si motër provon herët dhembshurinë për vëllanë dhe motrën e vogël jetime; si vajzë e sinqert dhe pa paragjykime përjeton thellë dashurinë erotike për Adilin.
Dashuria për Adilin njëjtësohet me vetë jetën e saj, me kënaqësitë sublime, me bukurinë dhe lumturinë e jetës.
Vita, gjithashtu, është simbol i pasioneve rinore të vrullshme dhe të pandalshme, është simbol i dashurisë që cel edhe në kënetën e jetës, edhe në mes të fanatizmit, simbol i gëzimit dhe i përtëritjes së jetës; simboli i femrës që ngacmon erotikisht njerëzit dhe poetizon krejt mjedisin.
Në karakterizimin tepër dallues të personazheve një rol të madh luan gjuha dhe e folura e tyre.Si fjalori që përdorin, ashtu edhe mënyra e të folurit, përputhet me botëkuptimin dhe gjendjen e tyre shoqërore, me veprimtarinë jetësore, me ndjenjat, mëndësitë, karakterin, pasionet e tyre etj.
Figura e Adilit është dhënë në disa momente dramatike dhe të rëndësishme për strukturën e romanit. Mbi fëmijërinë e tij shkrimtari fare nuk hedh dritë. Figura e tij shpaloset në raport me rrethin e ri jetësor dhe në marrëdhënie me dashurinë ndaj Vitës. Ai provon mallin ndaj vendit (Kosovës), që e shpreh nëpërmjet të këngës, provon dashurinë ndaj Vitës dhe flijohet nëpër çdo hap për hir të dashurisëjo vetëm ndaj Vitës, por edhe ndaj vendit dhe jetës që e gjakonte.

LITERATURA:
Ismajli, Rifat, Poetika e prozës së Jakov Xoxës, Rilindja, Prishtinë, 1991;
Brahimi, Razi, Artikuj dhe studime mbi romanin, Tiranë, 1977;
Velça, Kudret, Vëzhgime kritike, Prishtinë, 1978;
Xoxa, Jakov, Lumi i vdekur, Tiranë, 1980.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat