"Veshalla nëpër shekuj", një thesar i çmuar trashëgimie

Kultura

"Veshalla nëpër shekuj", një thesar i çmuar trashëgimie

Nga: Merxhan Jakupi Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:51
Merxhan Jakupi

Sipas defterëve të arkivave të Perandorisë osmane, por edhe sipas disa historianëve, një ndër katundet më të lashta të Malësisë së Sharrit, është ai i Veshallës. Për fat të keq, për katundin Veshallë që i takon Tetovës, deri më tash ka munguar një monografi, një studim etnografik, etno-kulturor dhe demografik. Banorët e Veshallës shumë pak dinin për historikun, origjinën, fiset dhe kush ishin të parët që vunë gurin e themelit të këtij katundi, pasi që çdo herë ka ekzistuar një skepticizëm, shkaku i deklarimeve të disa pseudo-historianëve, të cilët pretendonin se në fillimet e këtij katundi kanë jetuar sllavët. Duke parë këtë zbrazëtirë dhe këtë nevojë imediate, prof. dr. Vebi Bexheti, i cili ka lindur në këtë fshat, në një familje të madhe bujare e fisnike, i lidhur shpirtërisht me të dhe me kujtimet e rinisë, i hyri kësaj pune të madhe, me një inspirim të veçantë dhe pasion të pashuar, për të mbledhur materiale për një monografi. Monografia "Veshalla nëpër shekuj" tashmë e ka parë dritën e botimit.

Kjo monografi e autorit prof. dr. Vebi Bexheti, është një studim shkencor voluminoz dhe një fryt i punës shumëvjeçare. Autori ka konsultuar shumë arkiva, defterë dhe dokumente deri në Stamboll. Ka marrë shumë prononcime nga pleq të katundit, bashkëkohës dhe trashëgimtarë të personaliteteve të shquara, për të hartuar një libër prej 700 faqesh. Katundi Veshallë që gjendet në një lartësi mbidetare prej 1300 metrash, i strukur në masivin e malit Sharr, rreth më rreth me bjeshkë të larta, mes Tetovës dhe Prizrenit, në vijën gjeografike. Këtë katund e përcjell mallkimi i shpërnguljes së banorëve drejt qytetit, në Tetovë, por edhe në vende të tjera, në të shumtën evropiane, sidomos nga radhët e pjesës më vitale të popullatës, që ka marrë rrugën e kurbetit në Zvicër, Gjermani etj., me gjasa të vogla për t'u kthyer, sepse atje kanë blerë patundshmëri, shtëpia e banesa.

Që nga fillimi i të '60-tave, kurbetçinjtë e parë të këtij katundi morën rrugën për të siguruar ekzistencë për familjet e tyre. Sot mbi 90 për qind e kurbetçinjve veshallas janë në Zvicër dhe Gjermani. Atje tashmë gjendet gjenerata e tretë e atyre kurbetçinjve. Gjeneratat e parë është në moshë të shtyrë dhe po rrallohet gjithnjë e më shumë. Gjeneratat më të reja janë në një udhëkryq të humbjes së identitetit. Së këndejmi, kjo monografi, me gjithë atë histori deri tash të pashkruar e të panjohur për banorët e këtij katundi, në saje të punës së palodhshme të prof. dr. Vebi Bexheti, të shkrirë në monografinë "Veshalla nëpër shekuj", sidomos për më të rinjtë, do të bëjë të mundur që të njihen me origjinën e tyre, historinë, traditën, ritet, dasmat dhe doket e tjera si trashëgimi kulturore kombëtare. Meqë një pjesë e të rinjve shqiptarë nga ky fshat, të cilët kanë lindur në shtetet e perëndimit, nuk e përvetësojnë fort mirë gjuhën shqipe, kjo monografi do të përkthehet edhe në gjuhën gjermane, madje edhe për shtetasit që flasin gjermanisht. Duke shfletuar këtë monografi, ata do të mësojnë më shumë për tokën e të parëve të tyre, atje ku kanë lind gjyshër e stërgjyshër. Do të dinë më shumë, kur ta vizitojnë këtë katund, për ograjat, shtëpitë, stallat, kullosat, shkëmbinjtë, burimet, kudo nga kanë ecur të parët e tyre dhe si kanë jetuar në kohë të kaluara.

AUTOKTONIA DHE IDENTITETI I MALËSORIT

Duke lexuar monografinë e prof. Bexhetit, për Veshallën, si bashkëvendës i tij, ku kam kaluar një pjesë të rinisë sime, kam përjetuar emocione të thella, sepse nga thellësia e shpirtit u ripërtërirën ndjesitë e kodifikuara të një malësori autokton. Jam tepër i lidhur, shpirtërisht, me këtë katund. Autori thekson në një pasazh të monografisë, se si në kohën e korrje-shirjeve, gratë, nuset dhe vajzat me drapër në dorë shkonin për korrje të grurit. Vashat visheshin me tesha të reja dhe kur arrinin te shkëmbi i madh, preheshin duke kënduar këngë të vjetra që i kishin dëgjuar nga nënat e tyre. Këto shkrime ndjellin kujtime të paharruara. M'u kujtua momenti që mbeti larg në kohë për një gjysmë shekull, kur nëna ime, me disa gra të tjera, në mesin e tyre edhe vajza, të cilat gjatë rrugës u ndalën në një kodër dhe ja nisën këngës. Ky moment ma kujtoi gishtin e vogël të dorës, të cilën e preva me drapër dhe për një moment hodha shikimin te dora, ku ende vërehej gjurma e prerjes.

PAS MONOGRAFISË PASON FILMI DOKUMENTAR

Kjo monografi është mbërthyer në katër faza. Autori fillon me pushtimin e Perandorisë osmane, kur banorët e këtij katundi dhe disa të tjerëve u konvertuan në islam, duke ruajtur kështu etnokulturën, traditat dhe kodet identitare, më shumë se sa në vendbanimet më të mëdha të rrafshit. Pjesa e dytë përfshinë atë të jetës nën pushtetin e monarkisë jugosllave, e cila, edhe pse edhe vetë sapo kishte dalë nga robëria osmane, ushtroi një pushtet edhe më të egër ndaj shqiptarëve. Pastaj, duke shkruar për fazën e tretë, ndalet në zhvillimin e pushtetit federal jugosllav, i cili kishte qenë po ashtu i ashpër, por në mënyrë të kamufluar. Në etapën e katër përfshihet jeta në tri dekadat e fundit. Kur në këtë fshat arrin rruga, rryma dhe infrastruktura tjetër, por, mjerisht, të rinjtë po vazhdojnë të largohen dhe fshati mbetet gjithnjë e me më pak oxhaqe.

Në këtë monografi, autori ka nxjerrë në shesh shumë tema tabu dhe mistere. Disa pseudo-historianë dhe ASHA e Maqedonisë po mohojnë në shkrimet e tyre autoktoninë e shqiptarëve në këto anë të malësisë, pra edhe të banorëve të fshatit Veshallë. Ata konsiderojnë se shqiptarët e konvertuar në islam kanë qenë vasalë dhe mercenarë të Perandorisë, të cilët kanë ardhur në këto krahina nga veriu i Shqipërisë. Gjoja se kanë bërë pastrim etnik dhe kanë pushtuar këtë katund. Mirëpo, e vërteta është krejt tjetër. Sipas shumë historianëve, këto katunde të malësisë kanë qenë të banuara gjithmonë nga shqiptarët. Historiani, akademiku dhe pacifisti anglez Noel Malkolm, mbështetur në arkiva dhe dokumente të kohës, ka theksuar se këto katunde të malësisë së Sharrit, pavarësisht nga toponimet sllave, kanë qenë të banuara me shqiptarë (Alban etnikum). Malkolm shkruan më tej se në vitet e 60-ta kishte ndërmarrë një ekspeditë udhëtimi nëpër viset e Ballkanit perëndimor, duke kaluar nëpër rrugën e vjetër Tetovë-Prizren, pranë këtyre fshatrave të malësisë, ku ka qenë i mahnitur nga bukuritë e kësaj ane.

Monografia "Veshalla nëpër shekuj" e prof. Bexhetit do të mbetet një thesar i artë e tepër i çmuar, mbështetur në një studim serioz që sjellë vlera të njëmendta trashëguese, kulturore e kombëtare, që do t'u mbetet brezave të rinj. Veshallasit, pas kësaj monografie, synojnë të bëjnë edhe një film dokumentar për katundin e tyre, të cilin e ka marrë përsipër ta bëjë gazetari dhe regjisori i ri, Ixhet Lutfiu, që me origjinë është nga ky fshat. Ai si autor i disa filmave dokumentarë, ka deklaruar se i ka borxh një film dokumentar për fshatin Veshallë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat