Skicë për portret, Rashit Nikçi

Kultura

Skicë për portret, Rashit Nikçi

Nga: Hasan Qyqalla Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 22:48
Rashit Nikçi

Ishin vitet e "Shtetit Deklarativ" gjatë periudhës së '90-tave, të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Vite mishërimi me IDEALIN E VIZIONIN E PRESIDENTIT, DR. IBRAHIM RUGOVA, ku minimumi i kompromisit me Serbinë, do ishte KOSOVA E PAVARUR E SOVRANE. Kjo preambulë, ishte edhe premisë e filozofisë politike Rugoviane, që u sensibilizua denjësisht tek populli autokton dardan (siç e quante vetë Rugova), pastaj në botën e emigracionit shqiptarë, sikur gjithandej ku frymohej shqip. Megjithatë, numri i emigrantëve sa vinte e shtohej masovikisht. Volumi i bashkëmërgimtarëve tanë veçanërisht në Gjermani, inicoi përmes vullnetit e gatishmërisë, formimin e organizmave të para të shtetit.

Filluan të hapen shoqata, që lehtësoi nismën e mekanizmave të para për shtetin e Kosovës. Kjo, ishte rrjedhojë e dis-favorshme e politikës serbe, se në skriptat e tyre kundrejt kombit tonë, mes tjerash shkruanin: "shqiptarëve duhet fshirë miellin në magje që të nënshtrohen"! Andaj, këtë nënshtrim nuk e lejoi kurrë mërgata shqiptare nga e gjithë bota e emigracionit. Mbase, ata ndanë kafshatën e familjes së vet, vetëm të mos gjunjëzohet kombi ynë para okupatorit serbo-sllav. Filluan edhe mobilizimet e para duke e ndihmuar në çdo formë organizative Kosovën tonë. Veç aksioneve të shumta monetare, "familja ndihmon familjen", "ndihmë për arsimin shqip", etj.; forma e parë organizative e emigrantëve shqiptarë në Gjermani, ishte ajo institucionale, që njihet si "Fondi i Achenit", në krye të cilit u emëruar z. Marjan Tunaj, pastaj ajo që njihet si "Fondi për Republikën e Kosovës", pra "FONDI I QEVERISË NË MËRGIM" prej 3 %-ësh, ku kryeministër ishte z. Bujar Bukoshi kurse në të njejten kohë Ministër për Financa ishte z. Isa Mustafa.

Në këto rrethana nismëtare organizative, u njoha për së afërmi edhe me kryetarin gjeneral të 3%-shit, për Gjermani e më pastaj edhe për Europë z. Pjetër Coli që bëri një punë vetëmohuese. Por, ai që ishte promotori kryesor për intensifikimin dhe organizimin për landin Rheinland-Pfalz-it, është doajeni e veprimtari i devotshëm, z. Rashit Nikçi. I prajshëm në komunikim, i afërt në bashkëveprim, i dëlirë nga komplekset, e bënin të dashur dhe bindës drejt prekjeve të idealeve kombëtare, përkatësisht detyrave kombëtare që kishte marrë përsipër.

Të diturit do thonin: "modestia është virtyt i mëdhenjve"! Prandaj, përton të flas në vetën e parë njëjës. Baca flokëthinjur, siç e quajmë me përkdhelësi e admirim, thinjat nuk i kishte nga mosha por nga qasja, veprimtaria e mishërimi deri në çlirimin definitiv të KOSOVËS. Rrugë me plot sfida e të papritura, por kurrë se zbrapsen Bacen idealist. Pra, e kishim sinonim e frymëzim doajenin e jetësimit të FILOZOFISË RUGOVIANE. Ishte besnik, i sinqertë dhe sakrifikues për detyrat që merrte deri në çlirimin e shtetëformimin e KOSOVËS DARDANE, siç edhe ish zotuar, personazhi i ynë vetëmohues. Ai, pra baca simpatik me flokët e thinjura, nuk kurseu veten as jetën, që të thuhet një ditë se ishte dhe mbeti NJERI I KOMBIT E PATRIOT ME TABAN. Fundja, emri i Rashit Nikçit, na bënte NDERË neve, kombit e shtetit, krahas përkushtimit me veprimtarinë e tij të bujshme. Baca qimethinjur, gëzon respekt, mund sfilitësit, duke ju treguar ngjyrën jeshile të çlirimit të Kosovës nga okupimi serb,vetëm me përqasje serioze institucionale. Ai, lëvizi gjithandej autostradave të gjata të Europës, duke vizituar e kur kërkohej edhe protestuar kundër barbarisë serbo-sllave me mjete vetanake.

U dërgua si emisar nga mërgata shqiptare në Gjermani drejt Tiranës, ku mjetet e dërguara (fshehurazi e me rrezikshmëri të lartë, që kurrë nuk i tha!). Dhe ia doli faqebardhë, siç thotë populli. Më në fund, i dërgoi mjetet monetare të grumbulluara vullnetarisht, në vendin e predestinuar, për ç'gjë së shpejti do të dalim edhe me një MOGOGRAFI, mbase Rashiti thot edhe sot: "edhe shtatë jetë të kisha, të tetën do ia falja prapë LIRISË E ATDHEUT"! Kjo nuk është më vetëm një FRAZË, por është betim e bekim prej PATRIOTIT, ashtu siç është personazhi i kësaj skice, Rashit NIKÇI! Rashiti, nuk heshtë as sot, por kërkon përgjegjësi institucionale, jo nga prepotenca prej veprimtarit të devotshëm, por të arsyetohet para atyre që i bindi të ndihmojmë e financojmë për çlirimin e formësimin e shtetit tonë, qoftë si "infuzion" prej 3%-shit, apo edhe forma e aksione të ndryshme. Ai nuk struket nën hijen e askujt prej veprimtari por na bëri që ne të strukemi nën hijen e tij si nën hijen e një LISI shekullor. Rrudhat e tija në ballë, reflektojnë shtigjet e mundimshme por edhe të lavdishme që ia bënin nurin të ndritshëm e plot hare.

Shih për këtë, më në fund u kujdes edhe i pari komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri, prej nga vjen edhe vet personazhi ynë Baca Rashit, e dekoroi me MIRËNJOHJE, "për aktivitetin e tij kombëtar nga vitet e 70-ta, si aktivist i shquar i mërgatës shqiptare në Gjermani, angazhimin e tij për organizimin dhe mobilizimin e mërgatës shqiptare, themelimin e Fondit të Republikës së Kosovës për Gjermani, për grumbullimin e mjeteve për luftën çlirimtare deri në çlirimin e pavarësinë e Kosovës"! Gjej rastin t'i urojmë, mbase është më e vogla e mundshme për një PËRSONALITET të madh, siç është Rashit Nikçi. E gëzofsh edhe moshën e tretë me plot shëndet, Baca i ynë!

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat