“Tirana 100 vjet kryeqytet”

Kultura

“Tirana 100 vjet kryeqytet”

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 09:57
Tirana

“Tirana 100 vjet kryeqytet” titullohet libri i autores Ana Shpuza – një guidë turistike e kryeqytetit shqiptar, i promovuar në Muzeun Historik Kombëtar.

Promovimi i librit u shoqërua edhe me hapjen e një ekspozite me rreth 120 foto nga historia e zhvillimit të Tiranës deri më sot, si dhe pesë makete me rrugëtime konkrete brenda qytetit, që janë rrugëtime sa turistike, dhe historike.

“Çdo gjë lindi nga një tryezë. Në një bisedë që patëm me drejtoreshën e Institut Italian të Kulturës, Alessandra Bertini, diskutuam për mungesën e një libri të formatit guidë turistike për italianët e shumtë që vijnë në Tiranë dhe duan të vizitojnë gjëra që nuk i shikon syri i lirë, apo nuk i di përpara se të vijnë në kryeqytetin tonë”, ka thënë presidentja e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi. “Duke shfrytëzuar edhe faktin që Tirana mund të bëhet vetëm një herë në jetë 100 vjeç, ne u përpoqëm që të linim gjurmën tonë me punën tonë të përditshme duke sjellë në dritë një libër. Një libër të shkruar nga arkitektja Ana Shpuza, e cila e ka të lidhur punën e saj me Italinë dhe Shqipërinë. Është vajzë shqiptare dhe ka studiuar në Itali për arkitekturë, në Universitetin Politeknik të Torinos, dhe që ka bërë një punë kërkimore të rëndësishme në raport me historinë e Tiranës në disa aspekte kryesisht në atë historik e arkitekturor”.

Guida është në gjuhën italiane dhe shoqërohet nga një aplikacion që mund të shkarkohet në telefon dhe në këtë aplikacion turisti italian mund të marrë të gjithë informacionin e duhur për të vizituar Tiranën. Në të ardhmen kjo guidë do të përkthehet edhe në gjuhë të tjera, si në anglisht e frëngjisht.

Ekspozita që u hap me rastin e përfundimit të këtij projekti do të qëndrojë e hapur për disa ditë rresht në Muzeun Historik Kombëtar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat