Brilant Milazimi, fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes”

Kultura

Brilant Milazimi, fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes”

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 16:02
Foto nga Alban Nuhiu: Artistët Brilant Milazimi, Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka

Brilant Milazimi është shpallur fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 që jepet nga Stacioni – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

Në garë për këtë çmim ishin edhe dy artistët e tjerë të rinj Laureta Hajrullahu e Shkamb Jaka.

“Juria ishte e impresionuar në mënyrën se si finalistët zhvilluan idetë e tyre për ekspozitën dhe si reaguan ndaj hapësirës së Klubit e Boksit. Secili artist ka vizionin dhe qasjen e veçantë që ne besojmë që do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në praktikat e artit bashkëkohor në Kosovë dhe tutje”, thuhet në komunikatë.

Për këtë ekspozitë Brilant Milazimi kishte paraqitur një grup pikturash dhe një vepër të re skulpturore që në mënyrë imagjinare i përgjigjet kontekstit të Klubit të Boksit.

“Këto vepra ndeshen me funksionin e kujtesës, si personale ashtu edhe kolektive, dhe shprehjen e saj në piktura që duken edhe të njohura edhe të çuditshme. Idetë rreth traumës, shpresës, përballjes dhe lirisë shprehen në mënyrë implicite dhe poetike të përcjella në këtë seri të punëve, duke shfaqur interesimin e tij për botën e nëntokës psikologjike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se duke pasur parasysh fuqinë e punës të secilit prej finalistëve, çmimi i këtij viti u debatua gjerësisht nga juria.

“Duke marrë parasysh të gjitha kriteret për çmimin, juria arriti në përfundimin se çmimi i këtij viti duhet t'i jepet Brilant Milazimi. Po ashtu, juria beson se në këtë fazë të zhvillimit të artistit, Milazimi do të përfitojë shumë nga konteksti që qëndrimi dy-mujor në New York do t’ia sigurojë”, thuhet në njoftim.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat