Një letër kujtese nga Leze Ndrejaj Koçeku

Kultura

Një letër kujtese nga Leze Ndrejaj Koçeku

Nga: Fatbardha Saraçi Mulleti Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 16:05
Leze Ndrejaj Koçeku

Në këtë periudhë Covid-19 (periudhë pandemie) më erdh një letër e dërguar nga zonja Leze Ndrejaj (Koçeku).

Është një letër kujtese. Kujtesa është gjëja më e çmuar që ka njeriu. Ajo tregon për jetën e saj. E lindur në vitin 1946, e internuar në vitin 1948, bashkë me nënën dhe motrën, sepse i ati kishte kaluar kufirin shqiptar.

Është një letër kujtese, që të magjeps për mënyrën e të shkruarit. E falenderoj për këtë dhuratë të çmuar që i shtohet kolanës së librave “Dhimbje” ose “Kalvari i grave në burgjet komuniste, botuar nga ISKK.

Histori e tmerrshme

Unë që po shkruaj këtë letër jam Leze Ndrejaj e bija e Palit dhe e Prendës, datëlindja 1946, linda në Tropojë, sot banuese në Shkodër.

Në këtë letër po shkruaj historinë e jetës sime, se si na poshtëruan dhe na persekutuan gjatë gjithë jetës.

Babai im, Pali, nuk mundi me durue regjimin komunist. Ai luftoi me mjetet e veta, në zonën e Veriut, që nga vitit 1944 iu bashkua Nik Sokolit të Batoshës.

Janë mbledhë të gjithë shokët tek Guri Murg. I kanë paditur dhe i rrethuan, krisi pushka e mitralozi. Plumbat i kanë rënë nëpër këmbë... Nuk e kuptuan si kanë shpëtuar. Vetëm Zoti i ka ndihmuar.

Image

U detyruan të largohen, se po të kapeshin nga forcat e ndjekjes, në Shqipërinë që sundonte Enver Hoxha, do i kishin pushkatuar.

Babai im u larguan nga Atdheu, por familja i mbeti në Shqipëri. Pas largimit të babait, ne na erdhi jeta shumë e vështirë.

E kanë thirrur nanen Prendë në Degën e Punëve të Brendshme Tropojë, e kanë pyetur për babain. Ajo iu përgjigj:-Nuk e dijë ku ka shku.

E kanë torturuar në mënyrë të tmerrshme, duke përdorur dhe korent elektrik.

E thirrnin natën, kur e lironin detyrohej të ecte natën e vetme, nëpër male. Në shtëpi kishte dy vajza të mitura; Zoja 5 vjeçe, Lezja 2 vjeçe, dhe një plakë 85 vjeçe, që ishte gruaja e xhaxhait të babait. Ishte e moshuar, e vetme, se djali i saj ishte frat françeskan dhe jetonte në Itali. Kështu ajo jetonte me ne, dmth nëna ime, dy vajzat e mitura dhe zonja e nderuar 85 vjeçare.

Tre muaj rreshtë e kanë thirrur nënën në polici, duke e torturuar.

Ne fëmijët qanim gjithë natën dhe ditën kërkonim nënën. Ecte e ecte nëpër natë të mbërrinte tek vajzat e saj që ishin të vogla. Kjo ishte jeta e jonë, të tmerruara që në moshë  të njomë.

Ka ardhur policia në orën 12 të natës, na kanë marrë nga shtrati, siç ishim me rrobat e natës, na kanë tërhequr zvarrë nëpër shkallë dhe na nxorrën në oborrin e shtëpisë. Nuk e lejuan nënën tonë të na vishte. Ajo ju tha:- Më mbarojnë fëmijët. Ata iu përgjigjen:- Le të mbaroni, se keni me vdekë.

Na shembën shtëpinë, na grabitën të gjithë pasurinë. Na nisën për në Tropojë. Binte shi. Nuk lejuan të merrnim bukë dhe ujë. Nëna mori dy vajzat e i vendosi në kurriz, ndërsa plakën, nanë Sutë e mori për dore.

Gjithë naten ecëm nëpër rrugë dhije. Shiu vazhdonte të binte. Nuk na lejuan të pushonim nën ndonjë lis, sa të pushonte shiu. Sa ka dalë drita mbërritëm në Tropojë. Plaka e shkretë nuk ishte në gjendje të ecte, por ata i drejtonin kamxhikun.

-A keni gjyshe në shtëpi?! -i tha nana- Edhe kjo është nënë e dikujt. Nuk i kemi bërë gjë askujt. Na mbyllën në kazerma, terr e tmerr. Na internuan në Kala të Beratit.

Racioni ushqimor ishte 500 gr bukë misri, banonim në kasolle. Tre herë në ditë bëhej apeli. Punë e detyruar në hapje kanalesh, punë në arat e mbjella.

Zonja e moshuar, nanë Sute 85 vjeçare vdiq në Kala të Beratit. Nana Prendë Palja shkoi tek prifti i Beratit, iu lut që ta ndihmonte me varros. Ajo i tha:-Kjo zonjë e nderuar është nana e një frati françeskan, që jeton në Romë (Itali). Ndoshta, ndonjëherë i vjen i biri e i merr eshtrat e nënës së tij.

Prifti e dërgoi nënën tek seksioni me marrë dërrasa dhe e varrosëm tek kisha e Beratit. I biri i zonjës Sute vdiq në Romë dhe nuk u takua asnjëherë me nënën e tij.

Zonjës Sutë i humbi varri, dmth mbeti varrhumbur.

Forcat e ndjekjes na mbyllën në burg, terr e tmerr. Ishim të pafuqishme, po kështu erdhi jeta jonë, ishte tmerri i shqiptarëve të ndershëm.

Provuam kampin e Tepelenës, jetuam në kapanone, me qindra njerëz, pa dallime seksi e moshe. Djemtë prisnin drutë në malin e Turanit, ndërsa gratë të ngarkuara i zbrisnin në fushë dmth punonin në transport drurësh. Bënin zhvarrimet  e të vdekurve, që kishin ndërruar jetë para gjashtë javësh...punonin të internuarit nën tytën e pushkës së ushtarit, era e kufomave të dekompozuara (të prishura), mblidhnin familjarët copat e mishit, i vendosnin në batanije ose arka druri.

Binte shiu dhe i merrte kufomat me vete, shumë përfunduan në lumin Vjosa, çfarë mbetej nga kufomat, që qëndronin mbi majat e dheut, i hanin qentë e Tepelenës.

Ushtonte zëri i nënave për fëmijët që vdisnin, pa dalur drita e diellit. Vaji i nanave të reja që humbnin fëmijët ngrihej lartë në qiell. A mund të harrohen ulurimat e tyre?!

Apelin e bënin pa zbardhur drita. Kush nuk dilte në apel rojet i godisnin me hunj, trupat e pajetë i tërhiqnin nga këmbët dhe i  tërhiqnin zvarrë. Pastaj thirrnin nënën tonë për t’i groposur. Ajo duhej të hapte gropën dhe gjatë punës e godisnin me shqelma. O zot! Sa njerëz kanë vdekur urije.

Nanën time e venin ku ishin punët më të vështira, më të rënda, sepse quhej gruaja e reaksionarit.

Ishte një dhimbje e pafund se sistemi komunist i mësoi njerëzit të na përbuznin, na keqtrajtonin, na fyenin, na shkaktonin shumë dhimbje. E mësuan shoqërinë shqiptare që të na urrenin.

Provuam shumë dhimbje.

-A kishte drejtësi në shtetin komunist shqiptar?!

-U morën me gra, fëmijë, foshnje, më të moshuar, të verbër, që ishin qorra e nuk shihnin, të sakatuar që s’ishin në gjendje të ecnin, të tjerë me probleme mendore.

Kazerma që ishte terr dhe tmerr. Unë- Lezja- provova jetën në këto kazerma që në moshën dy vjeçare, për nëntë vjet rradhazi kam provuar racionin e bukës (300 gr), supën që kishte më shumë lëng, që brënda saj kishte jashtëqitje minjsh, tre fasule, tre kokrra oriz, treqind krimba, që së bashku i zienin në një kazan të madh.

Mandej na ndanin këtë lloj supe, nga një garuzhdë, për të gjithë ne, banorët e kazermave të kampit të Tepelenës.

E kemi quajtur Kampin e Tepelenës, një kamp çfarosës. Vdisnin foshnjet, fëmijët, minorenë, të moshuar (gra e pleq), të reja që vetvareshin.

Një kamp çfarosës që i mbante të miturit pa bukë, pa ujë dhe fjetja ishte sikur të ishin bagëti, në tokën e shtruar me sanë. Jemi ushqyer me lëndë ahu dhe bungu, ishin të idhët si helmi, por s’kishim çfarë të bënim, se po vdisnim urije.

Kemi ngrënë kokrrat e misrit që i nxirrnim nga baglat e kalit. Kjo ishte jeta jonë, e errësirës e mijëra të internurve. Ndodhën shumë vdekje nga urija dhe epidemitë.

Unë, nana ime Prendë Palja dhe motra ime- Zoja, patëm fatin të kishim nandajën dmth gjyshen nga nëna, që erdhi të na shohë dhe të na ndihmojë. Ajo quhej Lulë Sadrija, ka ardhur 18 herë me na taku në Kampin e Tepelenës e ngarkuar me 25 kg ushqime, në veçanti miellin e kavërdisur me gjalp, që mos të prishej.

E takonim vetem tek telat e kampit, nuk e lejonin të hynte brenda, detyrohej të largohej, të flinte nën urat e Tepelenës.

Kjo ishte jeta e jonë.

Nana jonë vuajti shumë, e caktonin ku ishin punët më të rënda dhe përherë i thonin “gruaja e diversantit”.

 

E mjera Shqipëri, burrat e dheut i kanë thënë “Zonjë e randë” dhe e kanë thirrur “Nanë”- po tashti?!

Nana ime më ka thënë:-“Kur më internuan peshoja 75 kg, kur u lirova nga internimi peshoja 35 kg.

Racionin e bukës nuk e hante për vete, por e ruante për fëmijët e saj, se kishte frikë se mos i vdisnim në Tepelenë. Hante c’të gjente në mal.

Ky vend për ne ishte i tmerrshme, më i tmerrshmi në botë sepse përdorej për çfarosjen e popullit të tij.

Nanën e kanë detyruar të bënte punë të rënda, të transportonte lisa, që peshonin 70 kg. Zbriste nga mali e ngarkuar. Gjatë rrugës iu këput laku i ngarkesës që kishte mbi shpinë. Ka ardhur polici dhe ia ka vendosur ngarkesën në qafë. Ajo është rrëzuar dhe është bërë e gjitha me gjak.

Ajo iu lut policit që të mos ia vendoste ngarkesën në qafë, por ai e urdhëroi të ecte.

Kur e pamë nanën tonë të gjakosur, kuptohet kur erdh në kapanon, ne dy vajzat e vogla ia dhamë vajit.

Nana jonë u detyrua të presë flokët, bishtalecat i kishte deri tek këmbët, i gërshetoi me fijet e kanopit. E punoi gjithë natën deri në të zbardhur të ditës.

Ai litar i punuar me flokët e saj, nuk iu këput më.

O Zot, nuk e di si jemi gjallë, më mirë të na kishin vrarë, se sa na lanë gjithë jetën në vuajtje.

Ishin pushtetarë të pa shpirtë. Vetëm në një natë në kampin e Turanit vdiqën 33 fëmijë.

Nënat u detyruan të mos tregonin për vdekjen e fëmijëve, që të merrnin racionin e bukës.

Në gjithë ato vite pa u larë, pa u ndrruar dhe kishim frikë dhe nga kafshët e egra.

Një të moshuar nga Mati, rojet i gjetën morrin në këmishë, ia futën në gojë. I thanën: –Haje.

Na mblodhën ne të gjithë fëmijët që ishim në kazermë, na kanë urdhëruar ta pështyjmë.

Ne të gjithë e pështymë të moshuarin.

Prendë Torqukja kishte një djalë dy vjeç. Ajo e linte të voglin e saj vetëm, sepse ishte e detyruar të shkonte në punë për të transportuar trungje drurësh (ishte urdhër i komandës). I vogli dy vjeçar bëri nevojën në rrobat ku qendronte. Erdhi polici, mori nevojën e djalit dhe e futi në kuti (në enën e gatimit). Kur erdh e ëma në kazermë, polici ka marrë kusinë me nevojën e djalit dy vjeçar dhe ia ka vendosur në qafë. E kanë shetitur nëpër kapanon, përsëri policët na detyruan me pështy nënë e ngratë. Asaj i vdiq i biri nga urija. Pesë gra ishin nga Selca ku kam lindur unë Lezja, Lulë Zefja kishte dy vajza, njëra i vdiq në kampin e Tepelenës. Pesë gra ishin nga Selca, ku kam lindur unë Lezja. Lulë Gjon Balçi i vdiq djali nëntë vjeç nga urija, Cutaj Brahimaj me djalin e saj Pjetër, nëna ime Prendë dhe Sutë Markja që vdiq në kalanë e Beratit. Si mund të quhen fajtorë foshnjet dhe fëmijët?!

Ishin dy djemë binjakë, trembëdhjetë vjeçarë. Nëna i vdiq në kampin e Tepelenës, ndërsa babai i tyre ishte i humbur. Nuk kishin njëri që t’i ndihmonte.

Një ditë në apel mungonin të dy djemtë. Hynë policët të pajisur me hunj në kapanon, u binin trupave të djemve, i tërhoqën zvarrë, ndërkohë që ata ishin të vdekur.

Ah! Ishin dy djem si drita, nga zona e Matit.

Nana u nis për në punë, por e thirri polici e i tha:- Prendë eja me i futë në gropë dy binjakët trembëdhjetë vjeçarë, se kanë dhënë shpirt.

Tregonte nëna:-Kurrë s’e ka ndie vetën ma ngushtë se atë ditë që kam groposur ata dy fëmijë dhe i vajtova:-Tepelenë o gurë i zi, mbyte gra e fëmijë, medet ç’iu bane djemve të rinj, iu mbyllën dyert me dry.

Erdh polici dhe e pyeti:-Çfarë u the tek varri?!

Përgjigjet:- I vajtova, se nuk kishin pranë asnjë të afërm. Polici e tërhoqi zvarrë nënën.

Ajo i tha:- Mos më prek. A je shqiptar, a ke familje, se këta ishin fëmijët e dikujt. Kështu veprojnë njerëzit e pafytyrë, që mbysin popullin e vet.

Vuajtjet tona mos i provoftë njëri. Kemi fjetur në sanë, si bagëtija. Kemi shkuar në shkollë të zbathët, të zhveshur, duke ecur nëpër gurë. Shkolla ishte një ndërtesë e prishur, nuk kishim libra, as fletore. Në klasë ishte një dërrasë e zezë, ne ishim të ulur për tokë.

Mësuesi na godiste me thupër ndër duar, na bënin terror. Na merrnin përpara si ushtarë, na futnin në kazerma, pa bukë, pa ujë, në terr, nuk kishte drita.

Kur ktheheshin nënat tona nga puna cfilitëse, me zor na gjenin se ku ndodheshim.\

Nana tregonte:- I kam mbajtur dy vajzat e mia, në gjoksin tim.

Fryente një erë e tërbuar që të merrte frymën, klima e ashpër, me ngrica.

Jetova në këtë kamp rrethuar me tela me gjemba, me roje me pushkë. Fëmijë të internuar!!

Apeli bëhej pa zbardhur dita, polici lexonte ngadalë emrat. Kanë vdekur me qindra njerëz të moshuar nga urija dhe foshnjet e sapo lindura nuk jetonin.

Një i moshuar po vdiste nga urija.

Vasili, një Korçar i sillte e ëma makarona. Ai sa po i hante i villte, nuk ia pranonte stomaku, ishte i sëmurë.

Në këtë moment plaku i uritur i thotë:- Vesel a ka mundësi t’i hajë unë makaronat që volle?!

Vasili i tha:- Po.

I shkreti plak i hëngri, dhe lëpiu edhe çimenton.

Urinë e provuam që të vogla. Kemi bërë jetë të tmerrshme. Kemi marrë frymë vetëm me një racion buke. Po si mund të veprojnë njerëzit që kanë armët në dorë, që lejonin të vdisnin foshnjet e sapo lindura?! –Këta njerëz ishin të pashpirtë, torturuan njerëz të pafajshëm dmth ishin kriminela.

Jetova nëntë vjet në internim, provova urinë, etjen dhe si familje (tre femra të vetme) të persekutuara, të torturuara nga qeveria komuniste. Ishim të pafajshme.

Nëna ime tregonte:- Kur kanë vrarë Bardhok Bibën i kanë sjellur mirditorët në Tepelenë, ishin shtatëmbëdhjetë makina, ndër ta edhe shumë fëmijë dhe foshnje (të shumtët ishin në djep).

Djepa të hedhur nga makina, thyheshin dhe foshnjet binin për tokë. Gratë shtatëzëna i hidhnin nga makina dhe të zezat dështonin foshnjet.

Duhet një jetë e tërë me shkrujtë vuajtjet tona dhe të gjithë shqiptarëve edhe shkrimtari më i Zoti nuk mundet të shkruaj për vuajtjet tona, për kalvarin e pafund që pësuam.

Na kanë varrosur për së gjalli, të jetosh nëpër kazerma, me erën e kufomave dhe vdekje fëmijësh.

Gratë u treguan trimëresha, burrnesha, nuk turpëruan vetën, familjet dhe krahinat e tyre.

Tepelena- vendi i tmerreve. Na futën aty. Më mirë të na kishin vrarë të gjithëve, sesa me na vra përditë.

Ishte një burg i keq, unë e quaj më të keqin e Shqipërisë dhe të botës, që na vranë pa bukë e jo me plumba. Ne fëmijëve na vranë shpresën që pa u rritur.

Shqipërinë e kthyen me kokë poshtë, një pjesë të mirë të popullit e burgosën, e internuan. Bënë terror. Kështu vepruan me popullin e vet. Terroristët që na shkatërruan Atdheun.

Jemi rritur me levore lisi, në lëngun e kazanit të gjellës që kishte krimba, minj. Na u thante goja e nuk flisnim, na binte lëkura e gojës dhe na pengonte të shqiptonim fjalët.

Të ftohtit ishte i padurueshëm. Kanë vdekur njerëz, ngrinin nga të ftohtit. Në kamp na vinin kafshët e egra, ndërs rojet e kampit ia kalonin egërsirave. Këta njerëz ishin më zi se Serbi, se ai nuk mbyti njerëzit e tij, ndërsa këta mbytnin njerëzit që ishin të një gjuhe, të një atdheu, dmth popullin e tyre.

Kur mora të shkruaj në letër të gjitha vuajtjet tona, m’u kujtua si e kalova femininë, si e jetova rininë?!

Rrethuar me tela me gjemba.

Kalova  një jetë ferri, më shkatrruan jetën.

Që në fëmijëri u rritëm pa bukë, pa ujë, pa shtroje e mbulesë, pa dritë, në errësirë, me erën e kufomave që vdisnin në kapanonet e internimit. Qanim të gjithë fëmijët, vajtonim përherë, nuk kujdeseshin për ne, s’kishte njerëz që të na ndihmonin.

Sa kanë vuajtur nënat tona, të izoluara në kampe internimi, me punë të detyruara, të padënuara nga gjykata. Kjo na vazhdoi për afro pesë dekada.

I kam shkruar këto vuajtje me pika loti, me ka pikuar zemra gjak.

Po sa shpejt erdh pleqëria.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, kurrë nuk harroj vuatjet e mia (edhe të njerëzve si unë), që duhej të punonim shumë, me folë pak, me ngrënë sa për të mbajtur frymën gjallë.

Ne tre femra të reja, pa pasur asnjë përkrahje, ishim si tre qyqe që këndojnë në degë të thatë.

Po si jeton njeriu ashtu në terr dhe tmerr, jeta e jonë ishtë një ferr i vërtetë.

Në fund na nxorrën nga kampi famëkeq e çfarosës i Tepelenës dhe na nisën me kamiona, në drejtim të Lushnjes. Na ulën në Savër, na vendosën në një kasolle kashte, që më parë kishte shërbyer për derrat e fermës.

Na futën në këtë kasolle tridhjetë gra e fëmijë, pesë gra ishin nga Tropoja, të tjerat nga Dukagjini, Malësia e Madhe, të tjerat nga jugu i Atdheut tonë.

Nuk kishim ku të flinim, nënat tona na mbanin në prehër të mbështetura për kasolle.

Nëna e jonë Prenda u mbështet në derën e kasollës që të mos na hynte njëri brenda për të na trembur.

Në këtë mënyrë mbyllëm derën.

Në orën dymbëdhjetë të natës na erdhi kapiten Selfo, i ra derës.

-Kush është- pyeti nëna Prendë.

-Jemi policia.

Katër burra qendronin tek dera. Nëna mbylli derën.

Dëgjohet zëri i kapterit:- Hape derën, se të piu e zeza. Dua që këta katër burra të futën në kasollen tuaj, se nuk kam ku t’i çoj.

Nëna përgjigjet:- Jemi gra e fëmijë, a ke turp, a ke familje në shtëpinë tënde?!

Ajo shkoi tek Drejtoria dhe i tregoi për veprimin e kapter Selfos, dhe i tha:- A keni gjak shqiptari?!

Në kasolle flinim për toke, nuk kishim as vende për nevojat tona.

O Zot më mirë të na kishin vrarë, se sa të vuanim tërë jetën.  Nënat kanë vuajtur shumë, vuajtje të pafund.

Nënën Prendë e trajtonin shumë keq, sepse burrin e saj e quanin të rrezikshëm për shtetin komunist.

Nënën e kanë futur në Kënetën e Tërbufit, në ujë deri në bel, për të mbjellur oriz. E hëngri miu i keq, i doli shumë gjak, e nisën për në spital kur ishte në gradën e fundit.

Një javë, ne, dy vajzat e vogla nuk dinim ku e kishim nënën, nuk e dinim a është gjallë !! Gjithë ditën vetëm qanim, vajtonim pa pushim... Nuk kishim asgjë për tu ushqyer.

Qendronim të mbuluara me batanijen, që na e kishte sjellë nandaja kur ishim në kampin e Tepelenës.

Kur erdh nëna nga spitali na gjeti të uritura, nuk kishim forcë as me folë, gati po vdisnim.

Në Nikaj-Mertur kishte mbërritur lajmi tek Nana Daja që vajzën e ka të shtruar në spital.

Udhëton gjyshja e jonë e dashur dhe erdh të na takonte.

Solli një dhi me kec.

Nuk kishim enë për të vluar qumështin, ia kërkuam një zonje të moshuar.

Qumështin e ndanim me bashkëvuajtëset.

Kapter Selfoja nuk lejoi të mbanim dhinë.

Lutjet tona nuk e thyen zemrën e kapterit.

E shitëm dhinë.

Vuajtje të pafund. Më mirë të na kishin vrarë, se sa na vranë në çdo moment, në çdo ditë, gjithë jetën.

Nënës i dhanë vetëm një javë pushim. E urdhëruan të dilte në punë, duhej të pastronte të gjithë puset e Lushnjes, që ishin të thellë me tre pashë shkallë. Pesëdhjetë kova me mbeturina nxirrte nga një pus, i dilnin dhe gjarpërinj.

Ne, vajzat e vogla qëndronim në kasolle, vetëm qanim, kishim frikë se po na mbytnin nënën.

Polici vinte në kasolle na rrihte, na godiste me grushta në fytyrë, na hidhte për tokë.

Kur erdh nga puna nëna i tha policit:- A ke fëmijë ti !? A ke zemër njeriu?!

Ajo vazhdoi:- “Këta fëmijë, dmth dy vajzat e vogla nuk kanë asnjë njeri që t’i shoqërojë, t’i ndihmojë, t’i bijë mbrapa, vetëm unë jam nëna e tyre, janë zemra, shpirti im e ardhmja ime.

Këto ishin trajtimet që na u bënë kur na sollën në Myzeqe, pasi kishim provuar kampin çfarosës të Tepelenës.

Unë- Lezja, një ditë, kur dola nga shkolla isha duke vdekur nga urija. Vrapova drejt kasollës, më dolën përpara pulat e fermës me zogj. Gjatë vrapimit shkela një zog pule. Vrapoja dhe mendoja se po vjen policia të më burgosë. Shkova në kasolle, u mbështolla me batanije, kisha shumë frikë.

Më kishte zënë një gjumë i rëndë...

Nga frika kam fjetur 12 orë.

Kur erdh nëna nga puna nuk më ka parë. Sapo më doli gjumi ka thirrur:- O nanë, kam shkelur një zog pule të fermës, kam frikë se më burgosin.

-Jo, jo- tha nana- Çka don me të blerë?!

Përgjigjem:- Jo jo nuk dua asnjë send, veç mos të më fusin në burg.

O Zot ! Si e kemi bërë jetën, duke u dridhur nga frika. Na liruan nga internimi. Nuk kishim ku të shkonim. Kemi ecur një javë, këmbë zbathur, gjysëm të zhveshur, ecëm nëpër gurë, duke fjetur nëpër ferra në anë të rrugës.

Gjatë udhëtimit rrugës në mal, nëna kishte frikë se mos na hanin kafshët e egra. Ajo nuk flinte, na mbante në prehërin e saj, na mbronte. Një vuajtje e madhe.’

Mbërritëm në Tropojë. Nuk kishim ku të shkonim.

Shtëpinë tonë e kishin shembur. Nuk na pranonte njeri, nuk na u hap asnjë derë se na quanin reaksionare.

Iu afruam murit të shtëpisë sonë dhe tokën e kishim shtroje e qiellin mbulojë.

Erdh gjyshja- nana daja- e na mori, që të mos vdisnim nga urija. Shkuam në Nikaj- Mertur.

U detyrua nëna të dilte të lypte, se nuk kishim ç’të hanim.

Rrugës e kanë sulmuar qentë e Currajve të Epërm, e hëngrën qentë. E sollën nënën me mushkë, sepse nuk ishte në gjendje të ecte, këmbët i kishte me plagë. Atë natë që nëna erdh e plagosur, është bërë mbledhja në fshatin Curraj.

Dajën, që ishte njëzet vjeç e urdhëruan ta largonte nga shtëpija e tij të motrën, përndryshe e dëbonin nga fshati. U larguam dhe shkuam tek muri i shtëpisë sonë. Sa kemi vuajtur me ndërtuar një dhomë, nuk na ndihmoi njeri. Jemi rritur me shumë vuajtje.

Kështu ka vuajtur nëna ime Prenda nga Nikaj-Merturi, kjo ishte nëna Prenda Dedndrejaj e thirrnin në Tepelenë ose Prendë Palja me emrin e burrit. Kjo ishte mbretëresha e maleve, e pavdekshme e asaj krahine. Nuk iu përul askërkujt, qëndroi e fortë deri në momentet e fundit të saj, ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare. Nëna që vajtoi në kampin e Tepelenës me vargjet: “Tepelenë mor guri i zi, mbyte gra, pleq e fëmijë, medet ç’u bërë djemve të rinj, ia mbylle dyert me dry, e i le nënat me duar në gji.”

Familja jonë vuajti afro 50 vjet, tortura të pafund, u torturuan në mënyrë ç’njerzore gra e fëmijë të pafaj. Kjo ishte drejtësia e shqiptarëve nën sistemin komunist.

Kam shkruar pak, se nuk kam shumë shkollë, nuk më lejuan, thonin:- E ke babain kundër Enver Hoxhës.

E kam shkruar këtë letër me pika loti dhe duke më pikuar zemra gjak.

Vuajtjet tona nuk mbaruan asnjëherë, asnjë shkrimtar nuk mund të shkruaj për vuajtjet tona. Nuk e dij si jemi gjallë, por ishte Zoti Ai që nuk na harroi.

Patëm një nënë që s’e ka pasur njeri në botë, e ka ndihmuar besimi në zot, gjithmonë është lutur për ne dhe për babain tonë.

Historia e Ferrit vazhdon:

Në vitin 1957 sapo ishim liruar, një kushërirë e babait që jetonte në Shkodër, Katrina jetonte në shtëpinë e saj tek Arra e Madhe. Ishte rrobaqepëse. Më mori në shtëpinë e saj. Sapo kisha mbushur të nëntë vitet e jetës sime. Më qepi një fustan të bukur me dy zemra të bardha dhe më bëri një fotografi.

Kjo ishte fotografia e dytë e jetës sime, të parën e patëm bërë ( kur na hoqën nga kampi i Tepelenës) në internim në Myzeqe.

Më regjistori edhe në shkollë. Sa u gëzova se do jetoja në këtë famijle që më donin. Ky gëzim zgjati vetëm një javë. Pas një jave zonjën Katrina e thirrën në kryesinë e lagjës dhe e detyruan që të mos më mbante në shtëpinë e saj. E kërcenuar se do ia hiqnin djalin nga puna. Ishte nëna e profesorit të nderuar Zef Pjetër Deda. U largova nga Shkodra. U bashkova me nënën time te dashur tek muri i shtëpisë që e kishin shembur. Vitet kaluan dhe unë u rrita.

Më thotë nëna:- Duhet të martohesh se nëna nuk jeton përgjithmonë” dhe mbetesh e vetme dhe pa familje dhe nuk dëshiroj dhe s’dua më ta humbur jetën, sepse ke vuajtur shumë. Duhet të formosh familjen tënde, që është gjëja më e çmuar në jetë. U fejova ose më mirë më fejuan, dhe gjithmonë vajtoja, qaja e qaja, lotët nuk kishin mbarim. Gjithmonë mendoja si do ta lej nanën vetëm.

U caktua dita e martesës. Mendoja për vetminë e nënës time, nërsa babai ishte i tretur dmth larg atdheut, nuk dihej ku është, si jeton, a jeton?!

Si me t’u ndarë zemra për gjysëm, me u nda nga nëna që më ka rritur me shumë mundime, që provoi burg e internim.

U bëra nuse, erdhën dasmorët e më morën.

Por ndodhi çudia, dasmorët u larguan nga oborri i shtëpisë, morën vesh që nusja është e përsekutuar.

Flisja me vete:- O zot, ki mëshirë për ne, se nuk po na don asnjëri. U rritëm në Tepelenë, në internim për gazep, e kishim plagën të hapur. Biografia e jonë na ishte shkruar që në moshën fëminore, ishim të padenja për shoqërinë socialiste.

E prishën dasmën. Në mbledhje burri im jua tha:” Po e ndaj nusen, sepse nuk dua të ndahem prej shoqërisë. Ju kam pyetur kur doja të fejohesha dhe me thatë:- Merreni, ndërsa tani më prishët dasmën.

Mbledhja vazhdoi deri në orën 12 të natës. U vendos që komunistët dhe familjarët e tyre nuk duhet të mërrnin pjesë në dasëm, nuk duhet të bashkohen me të prekur politikë.

Dasma u kthye në vaj, sepse të afërmit e tyre nuk morën pjesë. Nuk e kam parë vetën më ngushtë. Mendoja dhe i thoja vetës:- Ky është një tmerr. Zot si kemi jetuar, nuk na ka dashur njëri, kishin frikë të na afroheshin. Me buzë në vaj tërë jetën. Nuk na përkrahu njëri. Ç’ ishte kjo luftë klasore, kjo luftë e tmerrshme, në kohë paqe, nuk na u nda për afro pesë dekada, na cilësuan me epitetin “ të prekur, dmth të sëmurë, të pashëruar, të rrezikshëm si sëmundja ngjitëse e tuberkulozit .

Shteti shqiptar që po ndërtonte shoqërinë socialiste dmth po formonte “Njeriun e Ri”, na bëri të vuajmë të pafajshmit dhe na shkatërruan jetën.

Lufta e klasës vazhdoi edhe tek fëmijët e mi.

Ishin nxënës të shkëlqyer, me të gjitha notat dhjeta. Nuk i lejuan të vazhdonin studimet e larta.

Fëmijët e mi. Marija një nxënëse e shkëlqyer në shkollën e mesme Breg Lumi- Dukagjin. Po kështu dhe vajza Shaqe. Vajza e tretë Drane iu dha leja nga Breg Lumi për të vazhduar Institutin Bujqësor, dega ekonomi në Tiranë. Ishte një studente e shkëlqyer. E përjashtuan sepse ishte familje e prekur. Po kështu dhe dy djemt Niko e Prelë nuk e patën të drejtën për studime të larta.

Vazhdonte refreni komunist: “Keni gjyshin kundër Enver Hoxhës.”

Si mund të ndodhë kjo ?! Kur nëna e tyre nuk e ka njohur babain e saj, sepse ai kur u largua nga atdheu, e ka lënë atë një vogëlushe dy vjeçare.

Si ishte e mundur që ajo të jetë fajtore që e ndoqi lufta klasore gjithë jetën dmth fëmijët ia panë sherrin, vuajtën sepse nëna e tyre ishte me biografi të keqe.

Kalon, e mira harrohet, e keqja nuk harrohet.

Për këtë tragjedi të pameritueme edhe pas vitit 1990 nuk u përgjigj shteti për asnjë send. Për çfarë drejtësie shqiptare të flasësh?!

Kur fitoi demokracia mësuam që babai kishte pësuar aksident në Francë. Babai erdh në Shqipëri pas 50 vitesh. U takuam pas një gjysëm shekulli.

Sa zbriti nga avioni tha: “Faleminderit demokracisë që erdh në vendin tim, se kam lënë dy fëmijë të vegjël kur u largova e tash nuk i njoh.

A ka më zi kur babai nuk njeh fëmijët e tij, kuptohet dhe fëmijët nuk e njihnin atë, atin e tyre.

Jetoi më së dhjetë vjet, vdiq në moshën 92 vjeçare. E përcollëm në banesën e fundit të afërmit, ata të diasporës, që nuk e harrojnë këtë shqiptar të ndershëm që i shërbeu vendit të tij.

Plagët tona janë të hapura, ende rrjedhin gjak, nuk sherohen sepse asnjë qeveri nuk kanë lejuar sherimin e plagëve. Si ndihen vëllezërit e motrat tona që na ndoqën me luftën klasore, që ishim të të njëjtës racë njerëzore?!

A kërkoi njeri ndjesë për jetët e humbura?!

Me nderime,

Lezja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat