“Një tragjedi kosovare” nga Biser Mehmeti

Kultura

“Një tragjedi kosovare” nga Biser Mehmeti

Nga: Faton Mehmeti Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 17:56
Kopertina e librit

Romani i Biser Mehmetit me titull sa interesant aq edhe metaforik, “Një tragjedi kosovare” bën pjesë në mesin romaneve që për temë kanë tragjedinë apo thënë ndryshe tmerrin nëpër të cilin ka kaluar populli shqiptar i Kosovës. Prej faqes së pari deri në faqen e fundit shihet se autori ka bërë përpjekje maksimale që përmes një gjuhe sa më të figurshme para lexusve të shpalos tabllo sa më të fuqishme nga realiteti i  Kosovës së robëruar, duke përfshirë një periudhë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Autori i këtij romani, brenda 224 faqeve të veprës së tij, ka paraqitur vërtet një nga tragjeditë më të mëdha që e ka pllakosur popullit shqiptar të Kosovës për shumë vite si pasojë e okupimit dhe e dhunës që ka ushtruar okupatori për shumë vite. Tema e arratisjes nga atdheu si rezultat i përndjekjes që u janë bërë shqiptarëve sidomos para periudhës së luftës, është në qendër të rrëfimit të këtij autori, i cili sikur nuk ka mundur të qëndrojë indiferent ndaj gjithë atyre sakrificave, po edhe vuajtjeve që kanë përjetuar shqiptarët gjatë rrugës për të ikur nga atdheu për të arritur në “Tokën e premtuar” në të cilën sikur shpresonin se do të fillonin një jetë të lumtur duke përjetuart edhe “aromën” e lirisë.

Në qendër të rrëfimit autori ka paraqitur një familje shqiptare, e cila është vënë në shënjestër nga regjimi okupues. Kjo familje gjendet në rrethana të tilla që duhet luftuar kundër okupatorit, i cili ka vendosur që të gjithë t’i shfaros nga faqja e dheut. Për të shpëtuar “lëkurën” nga ushtarët okupues familja, e cila përbëhet nga 5 anëtarë, vendos të gjejë një mënyrë për t’u arratisur përtej kufijve të atdheut të dashur, për lirinë e të cilët është angazhuar. Autori në disa raste ka paraqitur fakte që tashmë janë të njohura për të gjithë shqiptarët e Kosovës, sidomos për ata që janë larguar nga atdheu në forma të ndryshme. Familja në fjalë të vetmen mënyrë për t’u arratiusr nga atdheu duhet të shfrytëzojë rrugën klandestine, e cila është një “ fushë e mbjellë me vdekje”.  Pjesa më e madhe e këtij romani përshkruan me një gjuhë të zgjedhur, në raste të shumta me figuracione të ndryshme letrare, fillimi i daljes nga shtëpia deri në destinacionin përfundimtar përtej kufirit të atdheut, i cili është i rrethuar me gjemba vdekjeprurëse. Shkrimtari prej këtij çasti sikur gjendet prapa kësaj familje, e cila “rrugën nëpër ferr” e bën jo vetëm gjatë natës, po edhe gjatë ditës. Gjatë gjithë kësaj kohe anëtarët e kësaj familje, në mesin e të cilëve është edhe një fëmijë 5-vjeçar, ushqehen me dyshimin sa pas çdo hapi do të ndeshen me “fytyrën e vdekjes”, e cila i ndjek pas ngado që të shkojnë. Autori gjatë përshkrimeve që i bën në këtë roman mundohet të na paraqes një gjendje mjaft të dhimbshme, e cila shpeshherë është e mbushur edhe me sfida që i tejkalojnë përshkrimet reale duke u ngjarë atyre joreale. Anëtarët e kësaj familje, e cila ndeshet në të shumtën e rasteve në fatkeqësi të tmerrshme, shpesh nuk është në gjendje të besojë se ato gjëra vërtet mund të ndodhin në këtë botë që është “përmbysur nga dhuna e shfrenuar”. 

Një nga ngjarjet që autori duket sikur i ka kushtuar më së shumti rëndësi në këtë roman është përshkrimi i një grupi kriminelësh, i cili merrej me transportimin ilegal të familjeve shqiptare për në vende të ndryshme të Evropës, e të cilët për këtë shërbim kërkonin shuma të mëdha të hollave, të cilat familjet i siguronin duke shitur çdo gjë që kishin e duke mbetur pa shpresë se një ditë do të mund të kthehen në atdhe. Natyrisht që ky grup kriminel kishte lidhje të fuqishme me organet e shteteve të ndryshme të Evropës. Megjithatë në të shumtën e rasteve ky grup shqiptarët e mjerë, të cilët me vete merrnin edhe mallin për atdheun, i lenin në gjysmë të rrugës, madje në kushte çnjerëzore, sidomos nëpër male, kurse familjet shqiptare duhej të kalonin jo vetëm ditën, po edhe natën nën qiellin e hapur. E vetmja gjë që ata i mbante gjallë ishte shpresa se një ditë do të mund të largoheshin nga ai vend në të cilin e ndjenin veten të humbur. Megjithatë disa herë ndodhte që edhe shpresa t’i braktiste dhe ata të mbeteshin në mëshirë të askujt...

Shumica e ngjarjeve që autori i ka përshkruar në këtë roman duket sikur i ka marrë nga ngjarjet që disa nga familjet shqiptare i kanë përjetuar gjatë kësaj “golgote” të mundimshme, duke i përshkruar me një gjuhë të zgjedhur, madje në disa raste edhe përmes figurave stilistike dhe në këtë mënyrë ka arritur të paraqes një kronikë të rëndësishme të popullit të Kosovës. Megjithatë ngjarja që më së shumti të bën përshtypje është vdekja e një fëmije, i cili përjeton dhimbje të tmerrshme gjatë kohës sa priste në mesin e malit të vinte një ditë që të largoheshin përtej “shtatë kodrave”. Fëmija vdes para syve të prindërve të gjorë, të cilët nuk kanë mundësi ta shpëtojnë nga kthetrat e vdekjes, sepse nuk kanë çka t’i japin për të ngrënë. Kjo është tragjedia e vërtetë që e kanë përjetuar shumë shqiptarë të Kosovës kur merrnin rrugën e mbushur me vdekjes për të kërkuar një vend ku do të fillinon një jetë të re, pa frikë se ushtarët e huaj do t’ju hynin nëpër shtëpi dhe t’i vrisnin vetëm pse flisnin një gjuhë tjetër... Një tragjedi tjetër brenda kësaj tragjedi është edhe vdekja e Profesorit, i cili ishte detyruar të arratisej nga atdheu me shpresë se mund të shpëtonte nga vdekja që i kanosej nga okupatori, pasi që angazhohej për lirinë e atdheut. Edhe Profesori e gjen vdekjen në malin e mbushur me korba, aty ku ishin varrosur edhe shumë shqiptarë tjetër, të cilët nuk kishin mundur të kalonin në anën tjetër të kufirit...

Shikur në përgjithësi romani i fundit i Biser Mehmetit “Një tragjedi kosovare” është një lloj kronike e një kohe të rëndësishme për popullin shqiptar të Kosovës dhe si e tillë është realizuar përmes një gjuhe mjaft të zgjedhur me firguracione letrare. Sikur të mos kishte vlerë sigurisht që Këshilli i Librit që vepron në kuadër të MKRS-së nuk do ta kishte financuar për botim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat