Motivika dhe tematika e poezisë së Esad Mekulit

Kultura

Motivika dhe tematika e poezisë së Esad Mekulit

Nga: Zymer Mehani Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 08:32
Zymer Mehani

Esad Mekuli  është poet i popullit, ngase shkroi për  problemet më qenësore të shoqërisë. Poezia e tij është karakterizuar si poezi sociale dhe patriotike në të njëjtën kohë, si poezi në të cilën i është kënduar fatit të popullit të shtypur shqiptar, qoftë nën regjimin e mbretërisë jugosllave apo edhe nën sundimin e fashist.

Poezia e tij është protestë për gjendjen e mjerueshme dhe thirrje për luftë e përpjekje. Ajo është dhembje për vuajtjet e padijen e gëzim për  "ditët e agimet e reja’’ dhe si e tillë  bart brenda vetes ngjarjet dhe trazimet që kaluan shqiptarët në luftën e tyre për ekzistencë në trojet e veta.

Vargjet e Mekulit, në përmbledhjen ‘’Për Ty’’ trajtojnë anë të ndryshme të jetës, duke filluar nga ajo sociale, morale, ekzistenciale etj., prandaj për t’u dhënë jeta në tërësinë e saj, për t’u krijuar iluzioni i vërtetësisë dhe bindshmërisë së saj, në to çdo gjë motivohet.

Motivet më të shpeshta në vëllimin ‘’Për ty’’ janë motivi social, ekzistencial, psikologjik, motivi i lirisë, i dashurisë, antifetar etj. Brenda gërshetimeve të këtyre motiveve qëndron njeriu, populli, fati i tij midis jetës e vdekjes, midis ndjenjës dhe detyrës, midis dashurisë dhe urretjes, midis frikës dhe idealit, midis veprimit dhe ndërgjegjes etj.

Këto situata përcaktojnë gjendjen jetësore dhe ekzistenciale të njeriut.

Motivi qendror dhe i vazhdueshëm i përmbledhjes ‘’Për ty’’,me të cilin lidhen edhe motivet tjera është motivi social, lufta për të jetuar, që shërben si një agens që e vë në lëvizje jetën. Shqiptari i ndjekur nga pushteti antipopullor ish-jugosllav pa shtëpi dhe pa tokë, lufton për të jetuar, për të ekzistuar brenda raporteve të shtypjes dhe shfrytëzimit klasor, shoqëror dhe kombëtar. Motivi i këtillë është përsëritur shumë herë në përmbledhjen në fjalë, për ta vënë sa më të plotë gjendjen e vështirë sociale të shqiptarëve brenda asaj atmosfere të caktuar të kohës.

Mjafton të përmendim poezinë e tij të njohur dhe me vlera antologjike ‘’Kush i pari bani...’’ të shkruar me 1936, në të cilën poeti ynë do të këndojë për hallet e shqiptarëve që jetonin në qendrat e ndryshme botërore, gjithmonë të përvuajtur dhe të shtypur nga regjimet antinjerëzore. Në qytetin e bardhë, që në realitet është Beogradi,  jetonin me mijërsa gurbetqarë. Esad Mekuli do të ndeshë shqiptarët me sharrë në krahë duke kërkuar punë që të mbajnë familjen e tyre, në mëngjesin që është zgjim i ithët, plot ëndërrime për bukë, ‘’do ta shohë kurbetçiun, vllaun tim kurban mjerimi’’.  Kjo poezi  është padyshim një ndër poezitë më me frymëzim dhe  me ndjenja të fuqishme sociale, morale e mbi të gjitha humane. I shtyrë nga ky motiv vepron punëtori shqiptar, i cili në asnjë mënyrë nuk mund ta sigurojë ekzistencën, prandaj duhet të bredhë rrugëve të Beogradit me ‘’sharrë në krah’’:

‘’Po të shoh prap – me duer t’mërdhime nën sjetull,

me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e

mpreftë të rrasun në shokë     (…bishti i saj ka dalë

mbrapa setrës dhe duket…) Vallë mos për këtë na

quajtën ‘’njerëz me bishta‘’?! 

pyet poeti i trishtuar nga këto pamje të bashkëvendësve të tij  duke u endur ‘’rrugëve të këtij qyteti të bardhë’’.

Motivi i ruajtjes së dinjitetit, i veçorive të traditës kombëtare, bëhet shkak i një vargu ngjarjesh tjera, të cilat të kthyera në pasojë shtrihen në tërë përmbledhjen. Dëbimi i shqiptarëve nga Kosova për në Turqi, kushtëzohet nga ky motiv.

E njëjta gjë do të përsëritet edhe pas Luftës së Dytë Botërore, më konkretisht në vitet '50, kur shumë shqiptarë u detyruan të deklarohen si turq me qëllim që të shpërngulen për në tokën e premtuar në Anadoll:

‘’O ku na sjellin-përcjellin?

O ku na çojnë-dëbojnë?

Ku e pritëm këtë ditë-ligë…’’

Ndërsa fati i popullit tonë është i lidhur ngusht me motivin e ruajtjes së qenies fizike dhe morale të njeriut, me ruajtjen e traditës dhe të dinjitetit kombëtar.

Edhe në pikëpamje të stilit Esad Mekuli është unikat. Ai nuk e ka limuar sa duhet vargun e tij dhe vjershat mbajnë më tepër material se ç'mund të durojnë. Në fillim të krijmtarisë së tij shfaqet romantik, për t'u paraqitur më vonë analizues i plagëve sociale e morale të shoqërisë duke u bërë kështu  poet i tragjikes historike, i mërgimtarit, i lypësit, i skamnorit, i fshatarit të shfrytëzuar e të rrjepur nga polici, etj. Tematika e poezisë së tij është tematikë e vlimeve dhe e kthesave të mëdha në jetë. E midis tyre spikat vjersha "Kush i pari bani", e cila, sipas R. Qosjes  "...me poemën e Migjenit kushtuar mjerimit janë dy kryevepra të literaturës sociale shqipe":

‘’- O si me dashtë me u shembë çdo gja në këtë natë t’mnershme!

Kujisin bagllamet e ndryshkuna në kapakët e dritareve ku me hov sulmon shiu,

Frushkullon erë e furishme… Lebetisin kunorat e pemëve, ulurojnë me za vajtues…

E drita e zbetë dridhet në dhomzën e errët plot myk,

Ku gyrbetqarët t’rrasun fyshek, ndër skuta ku nuk pikon,

Andrrojnë shtretnit e ngroftë, trupat e lodhun me i çlodhë…’’

Motivi për liri, tokë, barazi shoqërore dhe kombëtare, drejtësi, ekzistencë të sigurt, janë kthyer në një gjakim që vazhdon. Madje, edhe pse baza e rrënuar materiale ka vënë në pyetje anë të ndryshme të jetës, ajo s’e ka lëkundur traditën e lashtë, sepse njeriu i nxitur nga këto motive do të gjejë forcë për ta përballuar dhe për ta kapërcyer gjendjen e fatit të rëndë historik.

Në përmbledhjen ‘’Për ty’’ gjendet edhe poezia ‘’Popullit tim’’, që në njëfarë mënyre është edhe poezi programatike e këtij krijuesi. Aty poeti ynë ka kënduar për popullin e vet të shumëvuajtur, ka kënduar për të edhe atëherë kur ka qenë e ndaluar, me qëllim që ta trimërojë, që të nxjerrë nga fundi i shpirtit të tij fjalën e ndrydhur dhe ta zgjojë nga gjumi, që të kacafytet me rropatjet e jetës, që të bëhet i barabartë me të tjerët në rruzullin tokësor:

‘’Ke dhanë, i dashutun... Dhe sot, në liri-

Kur themra e gjakësorit s’na shkel dhe dora pa pranga mbeti,

Me ty këndoj mbi fuqinë e ngjallun nën yllin që na pri’

-unë biri yt besnik dhe – poeti’’

do të këndojë Mekuli, i bindur se vuajtjet dhe traumat e popullit shqiptar kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë. ‘’Për këtë poeti këndon me një lirizëm të hollë.”
Esad Mekuli si poet shquhet për temat që trajton në poezitë e tij, e që janë të lidhura ngushtë me fatin e popullit shqiptar, fatin e të cilit ai e përcjell nëpër valët e jetës.

Te poezia e Mekulit e gjejmë edhe një element tjetër karakteristik, atë që ka të bëjë më me përkatësinë kombëtare të njerëzve për të cilët shkruan ky:

‘’Shikoni plisat tanë:

si zbardhin në qendra punimi…

Po- dhe na, popull i gjallë-

Rritemi nën kupën qiellore,

Në kolektive t’fuqishme njerëzore”!

Mekuli merr frymëzim nga brengat sociale të jetës drejtpërdrejt . Ai po ashtu këndoi për rininë e venitur në rrugë të madhe, për lypsët ‘’ dhe qafat e tyne të holla e të pafuqi’’, për ‘’ëndrrën e vajzës’’, për kurbetqarin e gjorë, për format despotike të pushtetit policor mbi fshatarin tonë.

Esad Mekuli do të shkruajedhe poezinë e bukur ‘’I varuni i këndon lirisë’’në hyrje të së cilës lexojmë edhe këtë shënim të autorit ‘’Gjatë t’ashtuqujtunit ‘’akcion për mbledhjen e armëve’’ i torturuan për me dorzue pushkën që nuk e kishte – e vari vetën nji njeri...Burrat në kalim, e vjedhin me sy dhe shpejt kalojnë’’.

‘’… e laku rreth qafës  -

ku mbarojnë vuejtjet

për jetën ma të mirë

në këtë ditë të lirë,

në këtë ditë të lirë”!

Kjo poezi dëshmon për përkushtimin e përhershëm të Esad Mekulit që të trajtojë temat më të ndjeshme nga realiteti i hidhur i bashkëkombasve të vet. Poet që përpiqej gjithnjë për të mirën e popullit të vet, Esad Mekuli, siç u tha edhe më lart, do t’i këndojë lirisë, që e ëndërronin shqiptarët shekuj me radhë. Kështu që në vitin e largët 1942 ai do të shkruajë edhe këto vargje:

‘’Hej, çoji grushtat

populli im

ndër pranga!

Coptoj kafazet

dhe dyert e burgut thyeji;

shembi muret

me duar të përgjakunae zemër shqiponje –

vorrose përgjithmonë

të kaluemen dhe të tashmen!

Shko në rrugën e gjakut:

-Ja vdekje, ja liri!’’

Në shikim të parë kjo duket si parullë, çka në të vërtetë e tillë edhe është, por ajo paraqet esencën e problemit, që i ka preokupuar shqiptarët nëpër shekuj, kur u ka munguar liria, të cilën është dashur ta paguajnë me gjakun e djemve më të mirë të kombit.

Lirisë si diç që i mungonte popullit të tij,  Mekuli i ka kënduar në disa krijime të tij, për të shprehë botën e vet prej revolucionari, prej njeriut që vazhdimisht është përpjekur ta ngrisë moralin e popullit. Herë- herë edhe ai u mashtrua si shumë të tjerë, duke menduar se shqiptarët fituan lirinë me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, parandaj edhe do të shprehet:

“Shikoni se sa mirë

Shqiptari në Liri marsho:

me zemër plot, balli tue shëndritë,

nga terri në të bardhën ditë!

Rrjedhat e jetës dhe bëmat e pushtetarëve bënë që edhe poeti ynë, që kishte luftuar për të mirën e popullit, të zhgënjehet dhe t’i kthehet edhe njëherë këngës për vuajtjet dhe dredhitë që u bëheshin shqiptarëve.

Përfundimi

Të shtojmë në fund se Esad Mekuli botoi këto përmbledhje poezish:

1‘’Për ty’’, 1955 , 1963, dhe 1967 në Prishtinë ,që u ribotua edhe në Tiranë më 1970;

2. ‘’Dita e re’’, vjersha për të rinj, më 1966;

3.’’ Avsha Ada’’ 1971;

4.’’Vjersha’’ 1973;

5.’’Brigjet’’ më 1981 dhe 1985;

6.’’Rini e kuqe’’ më 1984;

7’’ Në mes të dashurisë dhe urrejtjes’’ botuar në Tiranë, 1986 dhe

8.’’Dita që nuk shuhet’’ më 1989.

Poezitë e tij janë përkthye në disa gjuhë si në atë serbokroate,sllovene, maqedone, hungareze , italiane dhe janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe. Madje mund të themi lirisht se nuk mund të mendohet asnjë antologji e kësaj poezie, në të cilën nuk do të gjendeshin edhe poezitë e Esad Mekulit.

LITERATURA:

Ali D. Jasiqi, Shfletime, Shkup, 1972;

Vehap Shita, Gjurmave të letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1980;

Esad Mekuli, Për ty, Rilindja, Prishtinë, 1967;

Esad Mekuli, Poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat