Kurbeti një plagë e madhe

Kultura

Kurbeti një plagë e madhe

Nga: Eduard M. Dilo Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 18:05
Eduard M. Dilo

Sa veshtirë është kur largohesh nga Mëmëdheu i dashur e nisesh për emigrim! Len mbrapa gjithçka. Gjithcka që nuk e shikon më! Ndaj gjithmonë Atdheu u ka munguar dhe u mungon. Sado mirë të jetojnë të integruar në dhe të huaj, përsëri zemra u punon e u zhuritet për Atdhe. E ndjejnë ketë të gjithë ata që emigrojnë. Rilindësit tanë të mëdhej janë shprehur me shpirt e plot ndjenj për këtë plagë. Vëllezerit Frasheri, Çajupi, Asdreni, Mitrush Kuteli, Filip Shiroka etj. kanë shkruar me zërin e zemrës dhe me sensibilitet për këtë mall atdhetarie. Ja disa mendime të të parëve tanë:

“ O malet e Shqipërisë ….

…Qe ju kam ndërmend dit’ e natë …

...Mendje merr fusha dhe male...” (N. Frashëri)

“... Të mos heq e të mos vuaj

Poshtë e lartë e i sëmurë

Të mos vdes në dhe të huaj

Se nuk do të tretem kurrë…”( Çajupi)

Vargje plot dhimbje, me një efekt therrës, të pa treguar, vargje që tronditin shpirtin, aktuale edhe sot, kur dihet që një pjesë e madhe shqiptarësh janë të larguar, kanë kaptuar lumenj, male, dete, oqeane. Faik Konica, gjithashtu, një nga korifejtë e shqiptarizmes, diplomat i shquar, princi i letrave shqipe, i ndodhur gjithmonë larg atdheut, me zemër të zhuritur nga dashuria për të, boton me 1899 ketë shkrim që po përcjell më poshtë . Është zemra e atdhetarit që digjet e qan për atdhe.

MALL I ATDHEUT

Kur vetë njeriu, i lirë dhe i vetëm, larg Atdheut, viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit , e një mijë gjëra që vihen re nër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën, e të bëjnë jo ta harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë te ajo aq dendur mendja… Më tutje, si ngopen sytë së pari ndyshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di se ç’të mungon, s’di se ç’të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e pik-së-pari here-herë, pastaj më dendur, e më në fund shpesh e po thua kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e ku u rritëm, ku qanim foshnja e ku loznim djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit e dëshira, e etja e gjuhës s’onë, ta shtrëngojnë e t’a dërmojnë me të vërtetë zemrën.

Ah! malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ay Shqiptar që se ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura fjalë, ajo fjala më e vogla, na sjell, kur’ vjen nga Shqipëria, një gas të parrëfyeshëm, sa na sjell një copë t’atdheut. E ky mall është më i nxehtë te ne të mjerët, se s‘kemi shpresë t‘a shohim Shqipërinë; jemi të dënuar, për dashuri t‘atdheut, të rrojme tej e këtej nër dhera të huaj, e veç të bëhemi tradhëtorë e të poshtërit e të poshtërve, s’ kemi për të puthur tokën e Shqipërise edhe shumë vjet, ndofta kurrë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat