Nobelistja Herta Muller dhe “Engjëlli i urisë” që sfiliti shpirtrat e të internuarve në kampet staliniste

Kultura

Nobelistja Herta Muller dhe “Engjëlli i urisë” që sfiliti shpirtrat e të internuarve në kampet staliniste

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 23:45
Herta Muller

Nga Sejdo Harka

Herta Muller, kjo mjeshtre e rrallë e zhbirimit të shpirtit të sfilitur njerëzor nga mungesa e lirisë dhe varfëria e tejskajshme, do të mbahet mend për shumë gjëra, por veçanërisht për prozën e saj poetike, në të cilën tregohet se si shpërfytërohej njeriu në kampet staliniste ruse.

Ajo lindi më 17 gusht 1953, në Nichidorf  të Rumanisë. Por që nga viti 1987, jeton dhe punon si shkrimtare e lirë në Berlin. Në vitin 2009 ajo fiton çmimin e madh “Nobel”, veçanërisht për veprat e saj artistike me temë nga jeta në Rumani dhe Evropa Juglindore pas Luftës së Dytë Botërore, ku trajtohen çështjet e dëbimit të pakicave gjermane,që në atë kohë jetonin në Rumani. Krijimtaria e saj artistike është sa e larmishme, aq dhe e gjerë në poezi dhe në prozë. Disa nga veprat e saj më të mirra, që e kanë bërë të njohur, jo vetëm në Rumani e Gjermani por edhe në të gjithë botën janë: ”Ultësira”(1982), ”Tango shtypëse”(1984),”Shkurtzbathur”(1987),”Udhëtari  me një këmbë”(1989),”Djalli ulet në pasqyrë”(1991),”Dhelpra ishte gjahtar atëherë”(1992),”Një patate e ngrohtë është një shtrat i ngrohtë”(1992),”Roja merr krahun e tij”(1993),”Uria dhe mëndafshi”(1995),”Në kurth”(1996), “Unë do të preferoj atë…” (1997),“Një zonjë jeton në krye të nyjeve”( 2000),“Shtëpia është ajo që flitet”(2001),“Mbreti përkulet dhe vret”(2003),“Zotërinjtë e zbehtë me gota moka”(2005),“Frymëmarrje”(2009), etj.

Nobelistja Herta Muller është nderuar me rreth 25 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka nisur të nderohet me çmime të larta që në vitin 1981. Disa prej çmimeve më të rëndësishme për të janë: Çmimi Inkurajues (1985), Çmimi ”Rikarda-Huch”(1987), ”Çmimi i Gjuhës gjermane “(1989), ”Çmimi për letërsinë” (Kranchsteiner 1991), Çmimi Kritik për letërsinë (1993), Çmimi “Kleist” (1994), Çmimi ”Aristeion”(1995), Çmimi i drejtuesit Cicero (2001), Medalja Carl Zuckmayer (2002),Çmimi Joseph-Breitbach (2003), Çmimi i Letërsisë në Berlin (2005), Çmimi Würth për Letërsinë Evropiane dhe Çmimin e Letërsisë Walter-Hasenclever(2006), Çmimi për të Drejtat e Njeriut  dhe Çimi i madh ”Nobel”,veçanërisht për romanin ”Çdo gjë që kam e mbaj me vete”(2009) . Por, siç ka theksuar dhe kritika letrare botërore, një nga veprat  më të mira artistike të shkrimtares Herta Muller është romani ”Çdo gjë që kam e mbaj me vete”, përkthyer jo vetëm në shumë gjuhë të botës, por edhe në shqip nga S.Mici. ”Fuqia e kësaj vepre- thekson Volker Weiderman-ushqehet nga tmerri dhe në të njëjtën kohë është e pasur me bukuri dhe fat të madh për lexuesin”. Ndërsa Felicitas von Lovenber, këtë roman e quan  një leksion që të këput shpirtin dhe të bën të përulesh me modesti.

Për të kuptuar thelbin e brendisë groteske të këtij romani, mjafton të citojmë disa rreshta të fragmentit, me të cilin autorja nis pasthënien e këtij libri: ”Në janar të vitit 1945, Gjenerali sovjetik Vinogradov kërkoi nga qeveria rumune, në emër të Stalinit, t’i dorëzonte të gjithë gjermanët që jetonin në Rumani për të kontribuar për rindërtimin e Bashkimit Sovjetik të shkatërruar nga Lufta. Të gjithë burrat dhe gratë e moshës 17-45 -vjeçare, u interrnuan në kampet sovjetike, për të kryer punë të detyruar…”. Në qendër të këtij romani qëndron fati i një djaloshi 17-vjeçar nga Transilvania e Rumanisë në një nga kampet më të tmerrshme të punës së detyryar në Rusi. Problematika e këti j kampi, tregon autorja e këtij romani, kishte kohë që më ngacmonte. Megjithëse shumë gjëra të tmerrshme nga jeta e punëtorëve të internuar në këto kampe çnjerëzore m’i kishte treguar nëna ime, e cila i kishte përjetuar vetë për 5 vite me radhë, ende më duhej të mësoja shumë gjera të tjera. Përmbajtjen e këtij kampi nuk e kuptoja, por frikën për ta njohur këtë tmerr e ndjeja. Prandaj, aty nga viti 2001 nisa bisedat me njerëzit që e kishin përjetuar këtë tmerr. E dija që Oskar Pastiori kishte qenë në këtë kamp,ndaj shkova ta takoj nga afër, i cili jo vetëm ishte  i gatshëm të më tregonte, por shprehu dhe dëshirën që librin ta shkruanim bashkë. Por, fatkeqësisht, ai vdiq papritur. Pa kujtimet e tij, përfundon autorja, unë nuk do të mundja ta shkruaja këtë libër. Për shkak të vdekjes së papritur, Oskar Pastiori nuk mundi të bëhej bashkautor i romanit, por ai mbeti protagonist narrator i cili përmes penës së nobelistes Herta Muller do të rrëfejë për historinë e këtij kampi të çmendur pune në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Ja si e përshkruan djaloshi 17-vjeçar, që ndoshta është Oskar Pastiori, momentin e nisjes për në kampin e punës në Rusi: ”Ishte janar i vitit 1945, koha kur ende s’kishte mbaruar Lufta. Si mbarova së lidhuri këpucët alpine, zura vend në tryezë për të pritur mesin e natës. Na u desh të prisnim tri orë të padurueshme, derisa më në fund patrulla erdhi. Nëna më mbajti të vishja pallton me jakë kadife. Qante. Te koridori i drunjtë, pikërisht atje ku ishte ora me gaz, gjyshja më tha: ”E di, do të kthehesh përsëri”. Këtë fjali nuk e kam mbajtur mend me qëllim. I shkujdesur e mora me vete në kamp. As vetë nuk e dija, se do më shoqëronte kudo. Por një fjali e tillë është e pavarur. Më ka mbajtur gjallë më shumë se gjithë librat që kisha marë me vete. Meqënëse arrita të kthehem, kam të drejtë të them: “Një shprehje e tillë të mban gjallë”. Për djaloshin 17-vjeçar kjo ikje ishte tamam në kohë.

Të gjithë njerëzit e familjes kishin frikë. Ndërsa ai donte të largohej nga kjo gishtëz e qytetit të vogël, ku njerëzit kishin sy prej guri. Megjithatë, çastin e largimit ai e përjetoi si heshtjen e vdekjes, e cila i kishte pushtuar qënien e mos ekzistencës së tij. Ishte ajo heshtje e frikshme që e nxiste atë të bënte me mend  inventarin e imët të sendeve të asaj valixhe të zezë, por dhe të çdo porosije që i kishin dhënë prindrit për t’i marë me vete si një memorial  kujtese. Të ardhmen e tij te tymosur nisi ta shihte përmes një vrime të zezë. Para se të largohej kaloi nga kisha e Trinisë së Shenjtë. Duke dalë prej portës së saj pa në ëndërr një dele në qafën e tij, e cila për të s’ishte gjë tjetër veç se heshtja që do ta shoqëronte në atë kamp. E kuptonte se heshtja në qafë nuk ishte si heshtja në gojë. Ai kishte përjetuar dy heshtje. Frikën e shtetit dhe të familjes. I ruhej burgut të shtetit dhe përbuzjes e mallkimit të familjes. Prindërit e tij besonin vetëm tek katërkëndëshi i zi i mustaqeve të Hitlerit dhe te kulti i rracës Ariane, që ai kishte mbjellë. Isha i gëzuar, thotë protagonisti, që nuk po shkoja në luftë. Atë e vrisnin fjalët: luftë, gjak dhe mish. Ndërsa fjalën kamp nuk ja kapte fare truri. E megjithatë, tregon djaloshi 17- vjeçar, valixhen me të gjitha gjërat që i dhuruan familjarët e të afërmit do ta mbante gjithnjë me vete. Në kohën kur priste ta merte patrulla, tregon ai, pashë në ëndërr një varr të sapohapur dhe veten, sikur kisha vdekur, por nuk doja t’ia tregoja nënës. (13)

Personazhet e këtij romani janë sa realë, aq dhe metaforikë, pjellë e fantazisë krijuese të romancieres. Shpesh, në penën e saj marrin frymë edhe bimët e sendet, edhe fenemonet e dukuritë abstrakte e shoqërore, shpirtërore e filozofike si: lopata zemër,”engjëlli i urisë”, laboti, çimentoja, qymyri, rëra e verdhë, skoriet, monotonia, luga, fati, pjanoja, njeriu patate, lepuri i bardhë, qentë e zinj, etj.. Në penën e Mullerit emra dhe nocione të tilla marrin shpirt dhe ndërgjegje sa metaforike aq dhe personifikuese, që herë e ndihmojnë njeriun dhe herë e stërmundojnë, herë e ndrydhin dhe herë e degradojnë fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht. Laboti ,kjo bimë e çuditshme ushqyese mban brenda edhe jetën edhe vdekjen, edhe ushqimin edhe urinë. Ai, herë i çliron të internuarit nga kthetrat e “engjëllit të urisë”dhe herë i stërmundon e sfilit, gjë që duket në faqet e thara të protagonistit. Ndaj ai, edhe pse me të ka vite që mban gjallë shpirtin, thotë: “Laboti nuk po na shërben as neve, as urisë, po vetvetes ,”engjëllit të urisë”. Tërë jetën ka gëlltitur labot, shijen e tij të mjerimit. Edhe tani, mbasi është kthyer në shtëpi gjallë nga ai kamp i tmerrshëm ”ku me urinë e syve ka ngrënë zjarrin e verdhë, vazhdon të jetë rob i shijes së mjerimit” (26). Në atë kamp të tmerrshëm, edhe kripa ishte tjetërsuar në “Perëndi “ mjerimi. Ndërtimet për punëtorët e kampit ishin kthyer në një varr për së gjalli. Çimentojë ua bënte mishërat e dhëmbëve copë, këmbët dhe duart plagë, ndërsa  stomakun betoniere. Çimentoja për ta ishte tinzare, dorëshpuar për veten e saj dhe dorështrënguar për ndërtuesit e detyruar. Ajo vidhte vetveten, ndërsa ndërtuesit hanin shkelmat dhe shpullat e padronëve.

Aq e tmerrshme ishte bërë ajo për punëtorët e kampit sa që edhe qielli u dukej i pluhurosur me çimento. Bile edhe mustaqet e Stalinit ishin puro çimento. Kush kapej me një pusullë të shkruar mbi një copë lëtër çimentoje, përfundonte në birucat e errëta nëntokësore. Edhe unë prej çimentoje jam, thotë protagonisti  i romanit. (35) Kushtet e jetesës së punëtorëve të këtij kampi ishin një ferr i vërtetë. Në një barakë të nëndheshme jetonin 68 të punëtorë, 68 kostume pambuku, 68 palë këpucë, 68 palë pece… ku të kundërmonte era e mykut e kalbësirave dhe dëgjoheshin vetëm rënkimet e kërcellimat e dhëmbëve të të internuarve nga të ftohtit. Asnjëri prej mjeranëve s’kishte qenë në luftë, por rusët i quanin fajtorë të krimeve të Hitlerit, vetëm se ishin gjermanë. Duronin të paduruarën, vetëm se ishin të verbuar nga uria. Në këtë kamp të tmerrshëm, përsërit herëpashere prodagonisti i romanit, më mbante gjallë vetëm shprehja e gjyshes: “E di,do të kthehesh”, ditën që u nisa për në atë ferr. Prandaj, preferoi më mirë të vuante nga uria, të ftohtit dhe “lopata zemër”, se sa të pushkatohej pranë atij plepi të zi. Unë dhe “lopata zemër”, tregon ai, jemi një çift i pandarë. Ajo më është bërë si pjesë e trupit. Bashkë me të qëndron dhe “engjëlli i urisë”, i cili prehet tek qymyri, lopata dhe muskujt e mi.(74) Uria është e kudondodhur. Ajo vjen kur do dhe si do. Qartësia është e madhe: një e ngritur lopate =  një gram bukë. Lopata ime zemër është padurimi im. Unë vegla e saj. Ajo sundon, unë nënshtrohem. Kur punoj me të harroj urinë. ”Engjëlli i urisë” është eksperti i labotit, sheqerit, kripës, mallit për shtëpinë dhe i morrave e çimkave. Pjesë e pandarë e “engjëllit të urisë” ishte edhe ora kukumjaçkë. Ishte ajo orë e çuditshme, që do të paralajmëronte kohën e largimit nga ai kamp i mallkuar. Një qenie e çuditshme ishte dhe Kati Dezhurni. Ngaqë nuk dinte të bënte asgjë, sepse ishte me të meta mendore, e caktuan dezhurne në kamp, edhe pse nuk dinte se çfarë të bënte. Ajo vinte në këtë barakë se i pëlqente ora kukumjaçkë, ndërsa sadisti Artur Prikuliçi e rrihte pa mëshirë. Aq e çoroditur ishte, sa që nuk dinte ku ishte dhe çfarë bënte. Pyetja e përditshme e saj ishte: “A  mbaroj lufta”? Një personazh tjetër interesant ishte Fenja. Ajo, për protagonistin e romanit ishte vetë buka, padronia e saj, e rregullt dhe e disiplinuar deri në torturë. Edhe vetullat e saj si furçë dhëmbësh,edhe buzët e  shkurtëra si të kalit,edhe sytë si goglat e numratores, të trembnin si vetë uria e bukës.Ajo ishte oficeria e bukës dhe bashkëpunëtoria e “ëngjëllit të urisë”. Në thelb, ajo s’ishte as e mirë as e keqe, por vetë ligji, i veshur me triko të punuar me grep. Fenja ishte e disiplinuar deri në torturë, e shëmtuar deri në perfeksion dhe e rracionuar si buka.(98) Pas himnit, uria e kampistëve rendte e hazdisur drejt Fenjës. Çështja e ditës për ta ishte se, a do të mundnin të kursenin dot pak bukë për darkë.

”Engjëlli i urisë”, çdo natë, jo vetëm u gërryente stomakun, por u hante dhe trurin. Ishte ”engjëlli i urisë “ që e detyroi protagonistin e romanit që t’i kanosej Karl Halmerit për ta vrarë, kur ky i fundit  i vodhi  bukën e kursyer për darkë. Të bindur se ishte “engjëlli i urisë” ai që e kishte nxitur këtë konflikt, as protagonisti nuk e akuzoi Karlin që i vodhi bukën e kursyer, as Karli nuk e akuzoi protagonistin për tentativë vrasje. Ishin të bindur se gjyqi i bukës, as nuk gjykon dhe as nuk dënon. Toleranca zero nuk njeh paragraf, nuk ka nevojë për ligje, sepse edhe “engjëlli i urisë” është hajdut, që të vjedh edhe trutë. (101) Aq e tmershme ishte uria dhe të ftohtit në atë kamp saqë kampistët i largonin shokët e tyre nga barakat pa dhënë mirë shpirt, vetëm për t’u rrëmbyer bukën e kursyer dhe rrobat e trupit. Ky ishte çasti, sa fatal aq edhe fatlum. Për të vdekurin që jepte shpirt dhe për grabitësin që duket sikur çlirohej nga kthetrat e vdekjes, por në të vërtetë  do të vuante nga zgjatimi i metastazave të urisë. Prindërit e mi, tregon protagonisti nuk e dinin se unë isha gjallë dhe jam bërë lodër e dhimbshme e qymyrit dhe e rërës së verdhë.

Akoma më e dhimshme është historia e 10 rublave të gjetura. Mbasi sigurova një leje liridalje, tregon ai, unë dhe uria u nisëm për në pazar. Rrugës gjeta 10 rubla. Për të shuar urinë ai bleu dhe hëngri gjithçka që i panë sytë. Nga që rendi për të kapur orën e kthimit në kamp volli gjithçka, që kishte ngrënë. Në barakë u kthye jo vetëm pa asnjë monedhë, por dhe me barkun bosh. Duke qarë me dënesë thotë: ”Tani më ka mbetur vetëm lopata, një vend në barakë dhe një hapësirë varri mes urisë dhe vdekjes. Ç’m’u desh liridalja mua! Unë kam nevojë vetëm për bukën e Fenjës dhe gavetën time…”(128) “Engjëlli i urisë” ishte bërë pjesë e trurit të tij. Ai lëvizte në të gjithë kapilarët e të interrnuarëve. ”Engjëlli i urisë” dhe “engjëlli i ajrit“ ishin bërë bashkëudhëtarët e tyre të përhershëm. Ata takoheshin në një pikë të përbashkët: “Një e ngritur lopate = një gram bukë”.(129).Edhe “koha-e-kockë-e-lëkurës”, që vinte nga përditësia e supës me lakra, në penën e nobelistes H.Muller merr dimensionet e një qenieje të frikshme që ushqente “ëngjëllin e urisë”.Ato të kujtojnë apoteozat e kokrrave të misrit dhe të fytyrës së zverdhur të mjerimit shqiptar migjenian.Në uri verbëria dhe shikimi janë njëlloj.”Ëngjëlli i urisë”,në atë kamp çnjerëzor bënte kërdinë me histerizmin e tij të shfrenuar.Ai u kishte hyrë të internuarve në çdo qelizë të trupit,shpirtit dhe mëndjes.Pyetjes ironike të Prikuliçit ”Si kaloni në qilar?”, i përvuajturi i atij kampi të trishtë, i përgjigjet me këto fjalë ironiko-sarkastike: ”Pas çdo turni, qilari është një vepër arti”.(153)

Historia e skorjeve është një histori akoma më groteske në roman. Ato lëvizin si një lumë i zjarrtë dhe i ndyrë. Skorjet ishin si bishat e egra, të paparashikueshme, që lëviznin edhe në fytyren e Albert Gionit. Në mesin e atij lumi të tmerrshëm skorjesh Albertit i dukej vetëm e bardha e syve dhe dhëmbët si qumshti. Puntorët në atë kamp, u ngjanin buburrecave, që rendnin për të shpëtuar nga llava e zezë e vdekjes. Ishin këto skorje të tmerrshme që protagonistit  të romanit i patën dhuruar si një kujtim të trishtë një “tatuazh”prej skorjesh në  brendësinë e lëkurës së këmbës. Tmerrin e substancave helmuse kimike nuk mund ta treste kurrë as qumështi. Atë e treste vetëm “engjëlli  i urisë” dhe shpresa që i ngjallnin fjalët e gjyshes, të cilat ajo ja tha në çastin, kur ai nisej për  në kamp: “E di, do të kthehesh përsëri”. Në kampet staliniste njeriu tjetërsohej në patate. Patatet, tregon protaonisti i romanit, dukej sikur më tërhiqnin në thellësitë e tokës, ndërsa yjet drejt qiellit. Kisha 3 vite që haja vetëm  patate, ndaj isha kthyer në njeri –patate.(181)

Në këtë roman, edhe nocionet abstrakte, si “monotonia”, tjetërsohen në qenie të gjalla. Në atë kamp  kishte monotoni që të printe përpara, po kishte edhe monotoni që të ndiqte mbrapa si qen i tërbuar. Në fshatin rus të atyre viteve  monotonia e hënës së paplotë dukej si trumbetë, që me tingujt e saj të trishtë vriste edhe lulet e kastravecave. Por më të frikshme ishin: monotonia e telave me gjemba mbi muret e kampit dhe monotonia e postrojeve të kullave të vrojtimit ,monotonia e këpucëve të llustruara të Prikuliçit dhe e gallosheve tona të shqyera, e erës së ziftit  dhe e pellgjeve të naftës, e kufomave të vdekura dhe e grabitësve të ushqimeve e të teshave të tyre, ende pa dhënë mirë shpirt. Kur nënës së protagonistit i lindi djali zëvndëues, Roberti, djalit të saj të internuar i shkruante këto fjalë, sa të trishta, aq dhe të çuditshme: ”Për mua, tani mund të vdesësh aty ku je, kështu do na kurseje në shtëpi”,fjalë, që shpreh zvetnimin tragjikomik të dashurisë më njerëzore, siç është dashuria e nënës për fëmijët, si pasojë e frikës nga “engjëlli i urisë”. Edhe vetë “engjëlli i urisë” ishte hajdut  si avokati Paul Gosti, që për të “shuar urinë”e tij, vidhte supën e gruas. Bashkë me lugën e supës, që e zhyste vjedhurazi  në tasin e bashkëshortes, ai gëlltiste edhe urinë, edhe vesin e hajdutërisë së tij. Avokati vazhdonte të vidhte supën e gruas së tij derisa ajo vdiq nga uria. Megjithatë, askush prej tyre nuk kishte faj. Fajin e kishte “engjëlli i  urisë” dhe fati . Historia e fatit në atë kamp çnjerëzor është si  historia e një kuçedre me dy kokë. Ndaj protagonisti dhe dëshmitari i këtij kampi internimi njeh dy fate: fatin e gojës dhe fatin e kokës. Kur flas, thotë ai, kam “lepurin e bardhë në gjuhë” dhe kyçin misterioz në busë. Mbas çdo fjalie përsëris fjalët: ”Mos i trego askujt se të gjithë janë të uritur”! Fati i gojës ka dëshirë të rrijë gjithnjë vetëm, ndaj është memec. Kurse fati i kokës është i shoqërueshëm dhe i copëzuar. Ai shfaqet i errët dhe i fshehtë, qorr dhe i mashtruar, i pafytyrë dhe sylagur. Buzëqeshja e fatit vjen, vetëm kur njeriu vdes.

Edhe mbasi dëshmitari i atij kampi të frikshëm është rikthyer në shtëpinë e tij, vazhdon të hajë ”urinë e heshtjes” nga frika dhe pasiguria. Jeta e tij në atë kamp rus, kishte qenë jeta e “kockë-e -lëkurës” , të cilës vetëm jetë nuk mund t’i thoshe. Jetën e të interrnuarëve e treste shteti  me prikuliçët etij sadistë, uria dhe të ftohtit, çimkat, morrat dhe malli për shtëpinë. Kur protagonisti  i romanit u rikthye në vendin dhe shtëpinë e tij ishte 22 vjeç. Ja ç’tregon ai nëpërmjet penës së artë të  Herta Mullerit: ”E kuptova që isha mbyllur në vetvete. Isha ç’mësuar të haja si njeri. E ndjeja  veten të huaj në shtëpinë time. Mes  kampit dhe shtëpisë ai nuk po ndjente asnjë ndryshim thelbësor. Nëse  frymëmarrja e normës ruse ishte: një e ngritur lopate= një gram bukë, në vendin dhe shtëpinë e tij ishte shndërruar: një kokërr thumbi=një gram bukë. Në sytë e tij ka ngrirë përjetësisht uria e syve. Pseudonimi “Pjano”, që dikur i pati vënë vetvetes, kishte humbur shkëlqimin e rremë. Tashmë ishte tjetërsuar në një pjano, që nuk binte më.

I dhimbshëm dhe thellësisht sarkastik është në këtë roman përshkrimi i “historisë së thesareve “të të internuarve në kampet ruse të punës. Kishin një jetë të tërë që sfiliteshin në luftë me urinë dhe skllavërinë dhe kishin  mbetur po aq të varfër sa ç’ishin kur u nisën për në atë kamp të çmendur. ”Thesari“ ironik  që dëshmitari dhe protagonist i romanit kishte marë nga kampi, ishte “prika” që i pati dhënë me vete Artur Prikuliçi. Në atë “prikë” alegoriko-sarkastike, të mbështjellë me qefinin e vdekjes,  rrinin të strukura  këto “thesare”, që protagonisti  i mbante me vete kudo që shkonte: dëshirat e pashprehura nga frika dhe konformizmi sfidues, optimizmi  i penguar dhe zbrazdësia shpirtërore, pasiguria për jetën dhe puna e detyruar…Tashmë  ai ka fshirë memorien për jetën dhe lirinë.

Partnerët  e tij të përditshëm në vallen  e jetës  boshe me të cilët kërcente ishin: kana e çajit dhe kanaçja e sheqerit, kutia e biskotave dhe buka e ftohtë, ora alarm dhe tavlla e duhanit. Partnerja e tij më e vogël ishte një kopsë e këputur palltoje. Por më e vogla fare ishte një stafidhe e pluhurosur, të cilën mbasi vallëzoi me të, e gëlltiti me uri. Ky ishte “thesari i dëshpëruar”, që protagonist real i këtij romani mori me vete kudo që shkoi, bile edhe në botën tjetër, për t’ua treguar edhe “banorëve” të saj, si dëshmi të hidhur të jetës së të internuarve të  botës së gjallë në kampet staliniste  ruse, mbas Luftës së Dytë Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat