Mendimi shoqeror e politik i Lasgush Poradecit

Kultura

Mendimi shoqeror e politik i Lasgush Poradecit

Nga: Ramiz Spahiu Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:39
Lasgush Poradeci dhe Ismail Kadare

Lasgushi angazhohet për humanizem e demokraci në shoqërine shqiptare. Ai ishte internacionalist, kosmopolit por edhe atdhetar. Ishte kundër luftërave. Rekomandonte respektin, paqen dhe dashurinë ndërmjet njerëzve dhe popujve. Në vepren e tij paraqet vizionin e shoqërisë se re, në të cilën thot se mbretëresha e parajses se zemrës është urtësia, të cilën duhet t'a arrijnë njerëzit. Në ketë kuadër ai e çmoi shumë rolin dhe rëndësinë e dijes dhe të shkencës, vleren e madhe që ka shkolla, arsimi dhe edukata për njeriun dhe për shoqërinë. Duke e theksuar rëndësinë shoqërore të edukatës, poeti e çmoi shumë, madje edhe e tejçmoi ndikimin e poezisë dhe të poetëve në formimin dhe perparimin e kombit dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Lasgushin e kishin menjanuar, braktisur, harruar apo siq thot Kadare, ai ishte vetmenjanuar, ishte strukur te kulla e tij, te vetmia, te poezia, te vetvetja. Por, ishte poet i vërtetë, i lirë, sipëran mbi sistemin e tiraninë. *) Diktatura komuniste gjithçka ka kthyer në shkretëtirë, në një sahara shoqërore. Në atmosferë është mjegulla e dendur e amullisë zyrtare, kurse poshtë këneta e përditshme. Kreret e partisë sipas Lasgushit janë grabitësit e lumturisë familjare, shkatërruesit e ndërgjegjes kombëtare. ,,Komunistet, njerëzit që e duan partinë, të cilët nganjiherë për hir të partisë, i fusin gishtin prapa shoqërisë". *) Poeti e shpërfillte regjimin e veçanërisht diktatorin, të cilin e kishte shumëzuar me zero. "Kam 43 vjet që e njoh qeratanë. Në vitin 1937 në gjimnazin e Tiranës, ai erdhi nga Parisi, ashtu, "tabula rasa" - nul, pa diplomë. Pastaj nuk e kam takuar asnjëherë, se ... nuk ka patur kohë, ka takuar kooperativistë, punëtorë, sekretarë, ... dhe, nuk dua t'ia shoh sytë. Unë për te kam vdekur, ai për mua ka ngordhur". *)

Manifestim i shpirtit të popullit është edukata, kultura e tij. Lasgushi e shihte kulturën të pa ndarë nga libri, shkrimi e këndimi. Sa më shumë libra të kesh lexuar. Dh. Shuteriqi thoshte se Lasgushi ishte, një poliglot që i lexoi në origjinal poetet e mëdhenj, ishte njëri “omnikultur”, dinte shumë gjuhë. ,, Bisedën mund ta bënte lirisht në katër-pesë gjuhë, ndonëse parapëlqente gjermanishten dhe frengjishten. Por po aq lirshëm fliste italishten, greqishten e rumanishten, ndërsa lexonte anglisht, rusisht e sanskritisht!" *)

Kontinuitetin historik dhe ekzistencial, populli e siguron përmes edukatës, e cila përveq bartjes së përvojës, ruan dhe ndihmon zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe specifika tjera që determinohen nga kushtet e veçanta materiale jetësore. Roli progresiv dhe revolucionar i edukatës, për të ndryshuar dhe përparuar individin dhe shoqërinë ndërlidh në vetë kultivimin e trashëgimisë, të bashkëkohores dhe të ardhmërisë. Njohja e traditës kombëtare është e domosdoshme, se ndryshe nuk njihet e sotmja. Mosnjohja e paraardhësve, mosnjohja e traditës, domethënë mosnjohje e vetvetës, na shpie në varfëri intelektuale. *)

Lasgushi gjithmonë kishte qendruar larg politikës dhe politikanëve. Ai nuk i thuri lavde mbretit, si disa shkrimtarë të kohës. Bile thuhet se Zogu i paskësh derguar dhjetë napolona flori për t'i shtuar ky poezisë ,,Marshi i djalërisë" edhe një strofë kushtuar Zogut, si prijës i djelmnis shqiptare. Dhe Lasgushi ia paska kthyer mbrapsht të dhjetë napolonat bashkë me këto vargje thumbuese: /E ku mundet një poet, /Me një copkë poezi, /Të të lëvdojë ty, o mbret, /Që bëre një mbretëri! / *)

Poeti nuk u bashkua as me krahun me prirje majtiste. Edhe pushtimin fashist e priti me urrejtje, megjithatë gjatë luftës, si mjaftë intelektualë të tjerë, edhe ai qendroi neutral. Madje nuk u vu as në shërbim të gjermanëve, edhe pse si intelektual me ,,dojçkulturë" ata u përpoqën t'a afronin, Lasgushi ruajti pavarsinë e tij duke iu kushtuar veprimtarisë letrare dhe kulturore. Lasgushi nuk ishte poet oborri, për të misioni i poezisë ishte hyjnor, prandaj "ai as nuk e konceptonte si mund të shkruante poezi politike dhe aq me keq t'u këndonte diktatorëve". *)

Mendimi shoqëror dhe politik i Lasgushit shihet edhe nga përshkrimi i një skene nga vizita e turistve gjerman në Pogradec "...dy çifte turistesh nga hoteli zbritën buzë liqenit, hoqen rrobat dhe u futën nudo në ujë,...ata loznin, ne i shikonim. Lasgushit diçka iu rrezatua dhe duke rënkuar mërmëriti: - Europë! Kështu lahen natën evropianët, lakuriq...Pa mbaruar mirë fjalën, dy hije të zëza po afroheshin në drejtim të tyre.- Ndal!...Duart lart!.. Duart lart! Trathtarë!...dhe shkrepen automatikët sipër kokave dhe, vazhdon ... e pe, o Mato i tmerruan! ... Ne jemi larg Europës. E si të vijnë turistet e huaj ne Pogradec, s'i lejojnë të fotografojnë, s'i lënë të lahen natën, s'iu japin varka të shetisin". *)

Parullën socialiste "kush punon ha", Lasgushi e shpjegonte kështu: "punon babai dhe merr leka sa për të blerë bukë e domate, mirpo babai ka në kurriz edhe fëmijët,...prandaj ai heq nga goja kafshorën për t'i ushqyer fëmijët që të mos i vdesin për bukë. Ja, ky është socializmi. A e kuptove? Të dh... socializmin!". *)

Poeti ndante fatin e këtij nënqielli duke iu nënvu një persekutimi të gjithanshëm e të shumëllojshëm. Vështirësitë materiale dhe ekonomike shoqëroheshin edhe me tortura psikologjike e politike. "çfarë libra kam pasur!... kur ardhi kjo kohë - qe i thonë çlirim - doli një listë me emrat e librave të cilat duhet të hiqeshin nga bibliotekat private, d.m.th. të zhdukeshin ... Nga frika! Se të shkonte koka ... një javë të tërë kam djegur libra dhe një mot të tërë isha si i çmendur për ato që bëra!" *)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat