Për Sevasti Qiriazin..

Kultura

Për Sevasti Qiriazin..

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 13:40
Foto ilustrim

Nga: Jahja Lluka

Janë të rralla gratë si Sevasti Qiriazi – pishtare në emancipimin dhe edukimin e shqiptarëve.

Lindi në vitin 1871, në Manastir. Qysh e re u takua me atdhetarë të mëdhenj të kombit, si me Naim Frashërin. Duke e parë karakterin dhe mendjen e saj, ishte pikërisht Naimi që ia dha mundësinë të studionte në “Robert College” të Stambollit – si e para grua shqiptare që studio në një institucion të tillë.

Me 1891 u kthye në Shqipëri ku merr pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë.

Duke e parë rëndësinë dhe nevojën që në Shqipëri të hapen shkolla me karakter laik, që do të shërbenin në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, Sevasti Qiriazi merr pjesë në shumë aktivitete me karakter kombëtar, si në Kongresin e Manastirit. Ajo e bëri përgatitjen e teksteve shkollore, duke botuar gramatikë për shkollat fillore dhe duke u marrë me redaktimin e një sërë tekstesh historie. Ka marrë pjesë po ashtu në Kongresin e Elbasanit.

Meqë aktiviteti i saj nga qarqet turke dhe sllave paraqiste rrezik, Sevastia, bashkë me të motrën Papashqevi, dhe të shoqin gazetar e shkrimtar Kristo Anastas Dako, largohen për në Rumani e më pas në Amerikë, duke mos e ndaluar veprimtarinë e saj patriotike. Ajo kishte kontakte me shumë atdhetarë, sii Ismail Qemalin. Ndërsa, si kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare në ShBA, shkoi në shumë forume ndërkombëtare ku i paraqiste kërkesat e kombit shqiptar për liri dhe për pavarësi.

Ishte viti 1920 kur ajo kthehet në Shqipëri për të themeluar institucionin arsimor për vajzat, të quajtur “Kyrias”. Nga ky institucion dolën shumë emra që vazhduan emancipimin e gruas shqiptare.

Për shkak të pikëpamjeve antinazite, gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo dhe motra e saj u burgosën dhe u internuan në kampin e Dedinjes afër Beogradit. E, për shkak se “kishte lidhje” me Mbretin Zog, regjimi komunist e persekutoi familjen e saj duke ia burgosur dhe vrarë njërin nga djemtë. E trishtuar nga dhimbja, largohet nga kjo botë në gusht të vitit 1949.

Figura dhe veprimtaria e kësaj gruaje të madhe do të lë gjurmë të përjetshme në kombin shqiptar. Rruga e saj drejt emancipimit të gruas shqiptare nuk ishte e lehtë. Një grua të tillë do ta kishin lakmi të gjithë kombet e civilizuara, andaj edhe sot e kësaj dite kur përkujtojmë Sevasti Qiriazin, i bëjmë nder kombit për të cilin ajo nuk u ndal së punuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat