Denoncimi

Kultura

Denoncimi

Nga: Dibran Demaku Më: 8 janar 2021 Në ora: 09:14
Dibran Demaku

„Përse m`i tha të gjitha këto?! Dhe përse pikërisht mua?!“-po e pyeste vetën i mërzitur. Krejt çfarë i kishte thënë tjetri në lidhje me të shoqen e udhëheqësit ishin të rrezikshme dhe të frikshme. Të frikshme si vetë vdekja!

Pas thënieve të atyre fjalëve që atij i dukeshin disi mortore, tjetri kishte ikur. Kishte ikur si një hije.Vetëm se prapa kishte lënë një shije të thartë,një aso shije që ndjenë njeriu në gojën e vetë pas ndonjë ngjarjeje apo ndodhie të frikshme.

Ai edhe më parë kishte dëgjuar thashetheme nga më të ndryshme për të shoqen e udhëheqësit të sapo zgjedhur. Kishte dëgjuar të flitej se falë asaj i shoqi ishte zgjedhur në atë pozitë të lartë. Se ata që e kishin zgjedhur në atë pozitë kishin bërë orgji me të shoqen e udhëheqësit. Sepse ajo ishte aq e bukur, aq e bukur! Dhe ata e kishin zgjedhur të shoqin e saj në atë post të lartë që ai të ishte i zënë me punë dhe sa më larg shtëpisë dhe bukuroshes marramendëse. Dhe kur ai të ishte larg,ata do të ishin afër! Afër shtëpisë dhe afër bukuroshes!

Dikush kishte shkuar edhe më larg me thashethemet e tij: Sikur njërin nga fëmijët bukuroshja e kishte lindur me dike tjetër e jo me të shoqin!...Vetëm se ai tjetri nuk dihej se cili ishte…Nuk dihej sepse gojëkëqijtë thonin se bukuroshja kishte fjetur me shumë veta!...Por, sido që të ishte e vërteta, megjithatë fëmija i lindur ishte regjistruar nën emrin e udhëheqësit të sapo zgjedhur dhe rrjedhimisht ai ishte dhe do të numërohej për jetë të jetëve si i tij pavarësisht thashethemeve që nuk kishin të ndalur…Dikush tjetër shkonte edhe më larg me thashethemet e tij…Sikur udhëheqësi i lartë dinte gjithçka në lidhje me pabesitë e së shoqes, por i etur për pushtet i mbyllte sytë dhe nuk donte të dëgjonte se çfarë flitej lartë e poshtë…

E dinte se fjalët që fliteshin për pabesinë e së shoqes së udhëheqësit të sapo zgjedhur ishin të rrezikshme dhe të dënueshme. E dinte se nëse zbuloheshin ato të thëna nga hetuesit që ishin kudo, do të dënohej si ai që i kishte thënë ashtu edhe ai që i kishte dëgjuar. Dhe dënimet për këto gjëra ishin të rrepta: Jo vetëm që i akuzuari do te fitonte disa vjet burg, por do t`i internohej edhe familja! Sepse ligjet e shtetit sa i përkiste “moralit socialist“ ,për ata që do të llapnin për atë moral ishin të pamëshirshme!

Një e rrëqethur që as ai nuk e dinte se nga i kishte ardhur ia kishte dridhur krejt shtatin. Ndërkaq të rrahurat e zemrës iu kishin shtuar sikur të kishte vrapuar para një llave të uritur ujqërish.

-„Mbase tjetri që i kishte thënë tërë ato fjalë për shthurjen e së shoqes së udhëheqësit të sapo zgjedhur, ishte i porositur nga lartë!“-po ia rrihte mendjen si me çekan një mendim i tmerrshëm.-„Mbase tjetri me ndonjë aparat të veçantë dhe të padukshëm do ta ketë incizuar tërë bisedën e bërë!-sikur e shponte në tru mendimi tjetër.-„Mbase tjetri tashmë me bisedën e incizuar tashmë i gëzuar dhe i lumtur vraponte për tek çerdhja e ndonjërit prej hetuesve!“-sikur po e çmendët mendimi i fundit. Dhe që e keqja të ishte edhe më e madhe ai vetë tërë atë bisedë e kishte dëgjuar me një qetësi të habitshme! Nuk kishte reaguar asnjëherë. Tash i vinte plasje se përse gjatë tërë asaj bisede ai vetë nuk kishte reaguar së paku njëherë! Së paku sikur të kishte ngritë zërin dhe të kishte kundërshtuar duke thënë se ato që thuheshin për të shoqen e udhëheqësit të sapo zgjedhur ishin thashetheme të njerëzve gojëkqinjë! Atëherë, po edhe ai vetë do të ishte më i sigurt në mbrojtjen e tij nëse do të ftohej nga ndonjëri prej hetuesve të shumtë.

-„O zot si m`u mbyll edhe mua goja dhe nuk e kundërshtova atë faqezi!-e dëgjoi një zë që i dilte diku nga brendësia e tij.

E shikoi orën. Po kalonin mbi dy orë qyshkur tjetri kishte ikur. Dhe brenda dy orëve tjetri do ta ketë dorëzuar tashmë denoncimin kundër tij! Tashmë të gjithë hetuesit do ta kenë mësuar emrin e tij.

-„O zot sa i marrë dhe sa i ngathtë jam!”-ia bëri vetvetes.-“Përse o zot më krijove të tillë?!-dhe dëgjoi zemrën t`i rrihte me ritme të shpejtuara sikur donte t`i dilte nga kraharori.

-„Duke vajtuar kështu si qyqe nuk do të fitoj gjë!- e bindi vetën.-„Unë duhet të veproj sa nuk është bërë tepër vonë!-dhe kishte filluar të endej nëpër dhomë si i pakokë.

Kishte menduar e kishte menduar se si të bënte. Njëherë kishte vendosur që të vraponte shpejt e shpejt e të paraqitej para organeve të hetuesisë. Aty të rrëfente për gjithçka që i kishte thënë tjetri.Por fill pastaj e kishte frenuar vetën:-„Ku do të veshë kështu more i marrë !“-sikur e kishte qortuar vetën.-„Ti nuk je aspak i gojës dhe mund të ndodhë që të ngatërrosh gjithçka që pastaj e tëra të shkojë në dëmin tënd!-dhe kishte zgurdulluar sytë në mënyrë të habitshme.

-„Jo,jo më mirë është që t`i shkruaj të gjitha në letër sepse nuk i besoj kësaj gojës sime!“-dhe kishte zënë të shkruante…

…ka kohë që kudo poshtë e lartë janë përhapur disa thashetheme për të shoqen e udhëheqësit të sapo zgjedhur. Dhe në ato thashetheme thuhet se e shoqja e udhëheqësit të sapo zgjedhur qenka e bukur, shumë e bukur! Thuhet pastaj se në bukurinë e saj qenkan dashuruar deri në çmendi që të gjithë. Dhe paskan ëndërruar dhe ëndërruar se si ta shtijën në dorë atë bukuri të rrallë! Atë bukuri përrallore! Atë bukuri të mahnitshme!...Dhe dikush qenka kujtuar se të shoqin e saj duhet ngritur në një pozitë të lartë udhëheqëse! Duke qenë në pozitë të lartë udhëheqëse i shoqi i saj do të jetë i zënë me punë të ndryshme dhe nuk do të ketë kohë që as gjumin ta bëjë në shtëpi të vetë!...Dhe atëherë, vetëm atëherë…ah… e shoqja e tij do të jetë në dispozicion për të tjerët….Dhe… ajo bukuri e rrallë nuk do të shkojë kot, por do të ndriçojë edhe më shumë duke u hedhur sa tek njëri tek tjeri…

Kështu po pëshpëritet lartë e poshtë. Andaj unë si qytetar i përulur i këtij shteti dua t`i denoncoj gjithë ata thashethemagjinjë, që për një arsye apo për një tjetër llapin pa ndalë!

Mbase e tërë kjo thashethemnajë është hapur për inat të udhëheqësit të sapozgjedhur që siç kam dëgjuar është zemër njeriu! Mbase xhelozia ua ka mbyllë sytë dhe siç thash nga inati e kanë përhapur këtë thashethemnajë të turpshme!

Dua që të jem më i qartë. Sot në shtëpinë time ishte personi X…Edhe ai si gjithë të tjerët nuk la gjë pa thënë për të shoqen e udhëheqësit të sapozgjedhur. Unë të them të drejtën e dëgjova pa e kundërshtuar asnjëherë! Nuk di se si m`u mbyll kjo gojë e shkretë dhe nuk i thash asgjë! Por, moskundërshtimi im mos të merret si dakordim me të!

Pas ikjes së tij unë e kuptova se duke mos e kundërshtuar unë kam bërë faj. Kam bërë faj ndaj shtetit!Andaj për ta përmirësuar fajin tim vendosa ta shkruaj këtë letër. Mbase denoncimin do të mund ta bëja edhe me gojë,por të them të drejtën nuk i besoj shumë kësaj së shkrete. Jam disi i ngathtë në të folur dhe mund të sharroj në ndonjë batak e të mos dal më!

E lexoi njëherë…dy herë…tri herë...U bind se i kishte shkruar ato që duheshin shkruar. Emrin e personit e shënoi qëllimisht me X. Nuk deshi që ta shënonte emrin e vërtetë. Atë do ta thonte kur t`i kërkohej nga hetuesi.

Me letrën e vendosur në një zarf doli nga shtëpia. Pasditja ishte e lagësht nga shiu i imtë që po binte. Ai shpejtoi hapat drejt ndërtesës ku ishte selia e organit të sigurimit shtetëror. Rruga nga shtëpia deri tek ndërtesa e organit të sigurimit të shtetit ju duk e gjatë tepër e gjatë!...Rrugës nga kalonte shihte plotë fytyra njerëzish të njohur e të panjohur. Në të gjitha ato fytyra sikur shihte një pyetje që ata ia drejtonin atij: Ku vete kështu o derëzi?!...Po shkon të denoncosh mikun tënd, vëllain tënd ?! …Po mendon se duke e denoncuar atë ti do të gjesh qetësi?!...Edhe nëse ndiejnë qetësi të përkohshme, ajo do të jetë një qetësi e rreme!...Një qetësi e rreme qe nuk do të zgjatë shumë!...Pastaj do të vijë koha e dëshpërimit të madh…Koha e zhgënjimit të madh!...Pastaj do të vijë furtuna!...Furtuna do të të përlajë edhe ty dhe një zot e di se ku do të përfundosh?!...

Befasisht e pa vetën para derës së organit të sigurimit të shtetit! Përballja me mbishkrimin e vizatuar në murin e asaj ndërtese ia dridhi shtatin. Njëherë mendoi që të ikte nga kishte ardhur! Por, vështrimi i rreptë i policit në hyrje e detyroi që të futej brenda…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat