Merita Bunjaku: "O moj fusha e Korabit"!

Kultura

Merita Bunjaku: "O moj fusha e Korabit"!

Nga: Hasan Qyqalla Më: 8 janar 2021 Në ora: 23:12
Merita Bunjaku

Nuk e di se e bëre enkas këtë këngë kur ndonjëri prej (ban-)alistëve na quante ne mërgimtarëve "gërrnaqa"! Shprehje që e kisha dëgjuar si i ri nga serbët "starci su gernaci"! Ajo, përkatësisht ju me këtë rast artiste Merita, ndalesh në kronologjinë historike nëpër të cilën kaloi kombi ynë për shekuj. Ndalon tek miti, magjia, dhembja, malli e dashuria kur ndaheshin në moshën e rinisë, ndoshta pa shijuar as "muajin e mjaltës" qifti i ri, për një kore buke. Prandaj, kjo këngë i rezistoi shekujve, dekadave, kohëve deri në ditët e sotme, që këndohet nga kush i teket, por emocionet i sjellin vetëm ata që kanë dhuntinë e Zotit e shpirtin prej artistit të devotshëm. Prandaj, nuk më vjen keq të them se qava me lot kur e dëgjova, sikur e dëgjoja si i ri nga Liri Rasha, Nazmie Hoxha e ndonjë tjetër. Jo se ndoshta je më e mira por rezultove e mishëruar me artin, ku nxore ajkën prej ashtit, si zëri i palcës së mërgimtarit.

Zëri i lotit të dhembjes, të mallit të ardhjes e ikjes së vajzës a djalit. Se malli i ndarjes nuk paska gjini, si dikur kur i prisnim lindjet me qitje qiftesh apo me zorrë në prush si fallxhoret. Fusha e Korabit mbeti vetëm si një sinonim prej shumë fushave të dhembjes, prej shumë oxhaqeve të ndarjes, prej shumë portave të ikjes a pritjes. E si formë e vetme ishte letërkëmbimi, letërkëmbim i cenzuruar ku burri nuk guxon t'i shkruaj gjëra përsonale nuses apo të shpreh mallin e dashurisë, por e tëra shkon përmes "legjislaturës autoktone familjare"! Prandaj, kërkohet një liri e lutjes, për një letër të vetme nga burri në mërgim, letër që mbase nuk i erdhi kurrë.

Kjo duket si bestytni fillimisht në skenarin e parë apo për kohën moderne, por nuk e përjashtoj mundësinë, se artistja me zërin magjik, pra Merita nuk e ka të afishuar nga afër. Ajo mishërohet për ate që e ndjen pastaj e frymon thellë dhe e nxjerrë në publik, e bindur se arrin ta mbretëroj skenën dhe të zgjojë kërshërinë dëgjuesit të apasionuar. Kjo mbase e mund me ndjeshmërinë, artin, gjestikulacionin e sharmin mbi të gjitha. E tillë është artistja, që sfidon barriera në kohë të pakohë dhe iu kthehet vlerave. Krejt për fund, dijë të them një gjë, talenti nuk vlerësohet pa nota pentagrami, se ai ishte, mbetet dhe është çelësi magjik i suksesit. Por pagëzimi me emrin Merita nuk e dijë në ishte rastësi apo dëshirë e prenotuar prej prindërve për një ditë, për një epokë të re të madhështisë. Si do që të jetë, jeni dhe mbeteni mbretëresha e muzikës së mirëfilltë autoktone. Ndaj, kjo qasja ime nuk ishte rastësi por e gjeta veten personazh prej kohës së atëhershme në kohën e sotme, ta quajmë etapë moderne properëndimore.

Andaj po të dëgjoj me shumë mall, qoftë edhe me shoqërimin e lotit, se të diturit patën thënë: "vaji i burrit është kënga"! Më jep të drejtën të qaj për Nënën, sa herë dëgjoj këngën tuaj për NËNËN të cilen para dy vitesh e ca, e përcollëm me rite në varrë dhe Babain që më vdiq pa e takuar për herë të fundit (28.12.2020), pa e parë, pa i dhënë LAMTUMIRËN e fundit... "O moj fusha e Korabit", që do të dëgjoj prore me mall nga zëri magjik i artistes, Meritës "lotëbardhë"! Harrova të apostrofoj vetëm një pjesë nga teksti i kësaj kënge ku thuhet: "merr pare me fajde, merr rrugën e hajde, o e lumja unë ooo, o e mjera unë për ty ooo..."!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat