Gjuha e stuhisë

Kultura

Gjuha e stuhisë

Muhamet Hamiti Nga Muhamet Hamiti Më 11 janar 2021 Në ora: 19:55
Enver Maloku

Vera dhe vjeshta e parë përvëluese e vitit 1998, ligjet e jetës e të luftës që kanë shpesh më shumë beteja të humbura se të fituara. Qetimi e hutimi pas tyre gjatë përpjekjeve diplomatike për zgjidhje të luftës së Kosovës me mjete diplomatike në vjeshtën e parë e të dytë. Fillimdimri i acartë i vitit 1998/1999 i ngrohur me barut.

Në këtë vorbull të luftës së Kosovës e të jetës së vet – me një atentat të parë në korrik të vititt 1998 dhe një të dytë, vdektar, më 11 janar 1999 – i shkroi e i përmbylli Enver Maloku tekstet prijëse në faqen e parë të gazetës së mbrëmjes “Informatori”, e para e sojit të tillë në botën shqiptare. Në këtë stuhi kolektive e personale, në hutesën e përgjithshme, ai gjeti fuqinë për të mbledhur mendjen e mendimin, për të parë me sy të kthjellët.

Venerimet e Enver Malokut, që ndryhen në shkrimet e shtatë muajve të gjatë të stuhisë së Kosovës, po nxirren tani midis dy kopertinave, tri vjet mbas vdekjes së tij. Po bëhen kështu dokument.

I gjendur për gati gjashtë vjet (1993-1999) në krye të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së lajmeve që njoftoi shqiptarët dhe të huajt për të ndodhurat e Kosovës, Enver Maloku u bë shkrimtari kryesor politik në Kosovë. Shihej i tillë si nga ata që e pëlqenin ashtu edhe nga ata që nuk e pëlqenin gazetarinë dhe rezonin e tij politik.

Po i themi shkrimtarí punës së Enver Malokut, sepse ai përftoi një shkrim komentues krijues nga lënda e parë – informacioni – që e kishte të bollshëm, në gisht të vogël.

Shkrimet e Enver Malokut lexohen si vrunduj çasti e përhershmërie, si botëvështrim i ngjizur nga realiteti i jetuar dhe idealiteti i synuar shekullor. Janë shkrime që i ka prodhuar ora në shtrëngim kohor për çdo ditë të lume, po që në lexim tërësor japin një sistem sot.

Veçantësia është se ky sistem nuk del i shkruar me prapavështrim, por me paravështrim. Me prapavështrim i kemi sot copat e historisë sonë të vonshme në forma intervistash, kujtimesh e ditarësh të prapashkruar të lojtarëve e vëzhguesve të motit të madh të rezistencës së Kosovës. Ky i Malokut është ndryshe. Në shkrimet e tij shkëlqen e ndihet ngjyra kombëtare e zëri kritik: shqiptimi qartësisht i kulluar i idesë shqiptare për Kosovën, ku me zell misionari lartësohen virtytet, vlerat morale e njerëzore, por edhe damkosen veset me ashpërsi që nuk u pëlqen misionarëve të vegjël të kauzës së madhe.

Gjakimi i Kosovës së pavarur, me rend demokratik, organizim e resistencë në rrafsh institucional, është pashkëputshëm peri që lidh shkrimet e Malokut në gazetën “Informatori”.

Realiteti i hidhur e idealiteti i ëmbël shijohen përnjëherësh në shkrimet e Enver Malokut për rezistencën shqiptare. Edhe kur sot, në prapavështrim, shkrimet duken me tonalitet të ndryshëm, ato janë një. Shkrimi i mbramë i përfshin të gjithë të tjerët. (Le të lexohet ta zëmë shkrimi emblematik, i botuar në kapërcyell të viteve, me titull “Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999”).

Maloku shkruan me bindje për nevojën e organizimit të institucioneve të votës e të vullnetit politik – të Presidencës, të Kuvendit e të Qeverisë së Republikës. I lëvdon ato kur i sheh në veprim e mishërim të këtij vullneti. I qorton kur i sheh në mosveprim, po edhe në pafuqi për të bërë më shumë karshi okupuesit serb.

Maloku shkruan gjerësisht për rezistencën e armatosur të shqiptarëve, për luftën e vetëmbrojtësve e të pushkëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare. U këndon në shkrime atyre që luftojnë, qoftë edhe kur ndonjë betejë humbet. Me rëndësi është e mbrama – të fitohet lufta – mendon Maloku. Ka fjalë qortimi e hidhërimi kur në emër të tyre thuhen fjalë e bëhen punë të prapa.

E mori në sy të linte shënim jetën e njeriut të Kosovës në luftë për ekzistencë e liri dhe në këtë punë Enver Malokun nuk e la zemra derisa nuk e la shpirti. Përherë me shprehje dinjiteti e gatishmërie për të shërbyer për këtë qëllim.

Le të lexohen tani jo shkrimet një nga një, po shkrimi i Malokut, të cilin në këtë botim po e përmbyllim me titullin ”Gjuha e stuhisë”, për të cilësuar njëherësh një kohë të Kosovës dhe një tip shkrimi të Enver Malokut. Gjuha e tij, që pren saktë stuhinë edhe kur dhemb, e mban shkrimin të gjallë edhe sot, kur faqet e gazetës ”Informatori” kanë nisur të zbërdhylen e gjaku i autorit është tharë moti.

Kur trupi e shpirti i Enver Malokut prehen në qetësi, le të frymojë në mot më të mirë edhe shkrimi i tij!

Prishtinë, 31 dhjetor 2001

Image
Kopertina e librit
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat