Franz Kafka dhe kukulla që udhëtonte

Kultura

Franz Kafka dhe kukulla që udhëtonte

Më: 13 janar 2021 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Nga: Jordi Sierra i Fabra
Përktheu: Denata Rroji

Në moshën 40 vjeçare, Franz Kafka, i cili nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë, ndërsa shëtiste i vetëm në një park në Berlin, takoi një vajzë të vogël që po qante pse kishte humb kukullën e saj të preferume. Ajo dhe Kafka fillun me kërku për me e pas prap kukullën, por pa sukses. Kafka i tha vajzës se do ta takonte atë të nesërmen po në të njëjtin park për t’u kthy së bashku për ta kërku kukullën e humbun.

Të nesërmen, ndërsa ende nuk e kishin gjet kukullën, Kafka i dha vajzës një posullë “të shkrume nga kukulla” ku i thoshte: “Të lutem mos qaj! Unë kam nis një udhëtim për të pa botën. Do t’shkruj për aventurat e mia.”

Kështu filloi historia mes tyne, e cila vazhdoi deri në fund të jetës së Kafkës.

Gjatë takimeve me vajzën, Kafka ia lexonte letrat e kukullës të shkrume nga vet ai me kujdes përmes aventurash dhe bisedash, sa vajzës i dukeshin të adhurueshme.

Ma n’fund, Kafka ia gjeti vajzës kukullën, e cila ishte kthy në Berlin prej aventurave.

“Nuk ngjan aspak me kukullën time!”- tha vajza.

Kafka i dorëzoi një posullë tjetër asaj në të cilën kukulla shkruate: “Udhëtimet më kanë tjetërsuar nga pamja”. Atëherë vajza e vogël rroku kukullën e re dhe e lumtun e mori për në shpinë e vet.

Një vit ma vonë Kafka vdiq.

Ndërsa shumë vite të tjera kishin kalu, vajza tashma e rritun gjeti një letërz brenda trupit të kukullës. Në atë copëz letre të palosun dhe të nënshkrume nga Kafka shkruhej:

“Gjanat që dum edhe mund t’i humbim, por prap se prap ajo dashuni do t’ na kthehet në nji mënyrë tjetër”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat