Sociologu Gëzim Tushi dhe libri “pandemia-asgjë nuk do jetë si më parë…”

Kultura

Sociologu Gëzim Tushi dhe libri “pandemia-asgjë nuk do jetë si më parë…”

Nga: Fran Gjoka Më: 14 janar 2021 Në ora: 12:05
Fran Gjoka

Sapo ka dalë nga shtypi dhe tashmë është në qarkullim libri i sociologut, “Mjeshtër i Madh” Gëzim Tushi: “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Autori, gjatë gjithë kohës së pandemisë, ka qenë i përfshirë përmes analizave të veta në shtypin e përditshëm, por edhe në median televizive, në të cilat ka shfaqur aftësinë e gjerë të analizave psikosociale, të efekteve të pandemisë në jetën shoqërore. Ishte e natyrshme që shfaqja e virusit Covid-19 dhe kthimi në përmasa pandemike, të bëhej objekt për debat intelektual, polemika mjekësore, profesionale, politike, etike gjatë gjithë vitit 2020. Ndoshta një nga “debatet planetare”, me spektrin më të gjerë të mundshëm të përfshirjes publike. Në të u përfshinë të gjithë. Besoj se pesha e trajtesave të ndikimeve të pandemisë në jetën shëndetësore, ekonomike, financiare etj., të sociologut të njohur Gëzim Tushi, është e ndjeshme. Një ndjeshmëri qytetare e sociaologjike e pandërprerë pothuaj gjatë gjithë vitit pandemik 2020, e cila u kurorëzua me një punë shumë serioze e këmbëngulëse të autorit, që tashmë e kemi të sintetizuar në librin e tij “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Sociologu Tushi ka ndjekur me shumë vëmendje e profesionalizëm reagimet sociale, intervenimet publike e mediatike, diskutimet e transformuara në shumë raste në formë polemikash politike, të cilat, sipas tij, nuk kanë ndihmuar apo ndriçuar realitetin patologjik të sëmundjes, sidomos impaktet sociale të saj.

Libri ka përmasa të gjëra e të gjithanshme të analizës së situatës, sidomos në rrafshin kontekstual të pasojave në jetën tonë individuale dhe shoqërore. Sipas autorit, pandemia është një faktor, i cili do të ndikojë në transformimin, ndryshimin e drejtimeve të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në shumë aspekte e drejtime. Në këtë kontekst, sociologu Tushi nuk ka lënë “cep të shoqërisë” ku ka ndikuar pandemia pa e analizuar, jo vetëm në aspektin e ndikimeve aktuale, por edhe të perspektivës. Libri është shkruar me pasion dhe me bindjen e plotë të autorit se “asgjë nuk do jetë si më parë” në epokën postpandemike. Me një vullnet të veçantë e forcë analizuese e argumentuese të gjerë, autori e ka shkruar librin në kohë të shpejtë dhe “flakë për flakë” me pandeminë, pa pritur, sipas teorisë së distancës, për t’i parë gjërat. Emergjenca e situatës e ka shtyrë atë që reflektimet e veta t’i hedhë sa më shpejt në letër, duke bërë trajtime psikosociale të efekteve dhe kundërefekteve të pandemisë në jetën e shoqërisë tonë. Këtë libër, sociologu Tushi e ka shkruar në periudhën shtator-dhjetor 2020 dhe ka munduar të diagnostikojw disa dukuri, fenomene e fusha të reflektimit psikosocial të pandemisë në jetën e shoqërisë shqiptare. Ndoshta kjo vepër është rezultat i faktit që autori u angazhua intelektualisht e profesionalisht që në fillimet e shfaqjes së virusit. Ai u angazhua seriozisht dhe në mënyrë të pandërprerë në shumë biseda televizive, shkrime në shtypin periodik, i bindur dhe duke menduar se virusi Covid-19 nuk do ishte thjeshtë një “patologji kalimtare”, sezonale, pa efekte të thella.

Ai thotë se nga zhvillimet e virusit dhe zgjerimi intensiv i infektimeve të ardhura prej tij, u kuptua që ishim në vorbullën e “kohës pandemike”. Sipas autorit, është historia që na mëson se pandemitë kanë kurbën kohore, statusin e efekteve të tyre në jetën e shoqërisë. Kjo ishte arsyeja pse autori e “zgjeroi optikën” sociologjike të shikimit në këtë libër, duke qenë i bindur se pandemia ishte një faktor që do sillte shumë pasoja ekonomike, sociale, zakonore, institucionale dhe shëndetësore të dukshme, të prekshme, shpesh edhe tragjike. Duke u nisur prej kësaj analize komplekse, autori në këtë libër është përpjekur jo vetëm të bëjë analiza e reflektime të çasit apo sipërfaqësore, por dhe të bëjë parashikime e të nxjerrë disa konkluzione specifike të ndikimit për periudhën post-pandemike.

Autori është i ndërgjegjshëm për vështirësitë për ta sintetizuar tërë ontologjinë e pandemisë kaq shumë të ndërlikuar në një libër. Kjo, sepse situata aktuale dhe koha kur u shkrua libri, ishte dhe është disi kaotike, e paqartë e pasigurtë. Kjo, megjithë përpjekjet sociologjike që ka bërë sociologu Tushi, brenda mundësive njohëse të fenomenologjisë virusale, sipas tij, përsëri e bën sidoqoftë të vështirë parashikimin me saktësi të ndryshimeve të së ardhmes së afërt dhe të largët. Libri ka një mesazh të qartë, të qëndrueshëm dhe optimist. Sipas autorit, kjo situatë kërkon me patjetër që si shoqëri të zgjerojmë më shumë “kufijtë” e arsyes sociale, në mënyrë që të ndërgjegjësohemi komunitarisht për rrezikun.

Në këtë libër, sociologu Gëzim Tushi, është marrë gjerësisht me “plasaritjet” e thella që po shfaqen në strukturën, performancën e institucioneve sociale, shfaqjen e anktheve dhe pasigurive që kanë cënuar disa parametra të “arsyes individuale”.

Autori ka një kolanë të gjerë librash në fushë të sociologjisë dhe analizës së detajuar të dukurive në jetën sociale dhe individuale, në të cilat ai “diagnostikon” shumë dukuri të jetës postmoderne, që sipas tij po bëhet gjithnjë e më shumë likuide, e rrëshqitshme, e pasigurtë, ide, të cilën akoma më shumë e ka theksuar në këtë libër, duke arritur në përfundimin se ndryshimet që do të ndodhin, duan trajtuar me kujdes nga që, sipas tij, pothuaj “asgjë nuk do të jetë ashtu si ka qenë më parë”. Gjërat, mendon autori, do të ndryshojnë me ritme të ndryshme. Pavarësisht se disa me shpejtësi të madhe, me ndryshime thelbësore e të menjëhershme, ca të tjera me gradualitet dhe ritme më të ngadalta. Por një gjë është e sigurtë, sipas mendimit të sociologut Tushi, Covid-19, thotë ai, do jetë “gurë caku”, që do shënojë piketa të reja të orientimit social, ndryshimeve që do të ndodhin në tipologjinë e jetës sociale dhe individuale. Mbase deri në nivelin, që mund të shërbejë si “vijë ndarje” e mënyrave të sjelljeve të sotme, nga ato që do duhen dhe janë të dobishme për të ardhmen. Me këtë bindje, ai, në librin e tij, bën analiza të zgjeruara dhe refleksione për efektet polivalente dhe pasojat e pandemisë në jetën individuale e sociale, duke u bazuar në idenë se pandemia ka ndikuar në “rishikimin” e sistemit të vlerave sociale, të cilat do të ndikojnë edhe në mënyrën e sjelljes individuale të njeriut në raport me veten, tjetrin dhe shoqërinë në tërësi. Në libër ka trajtesa të zgjeruara e konkluzione të qarta për ndikimet e izolimit në jetën psikologjike të individit, për lidhjet dhe marrëdhëniet e reja midis brezave dhe ndikimet kontraversale të pandemisë. Autori është marrë dhe ka vlerësuar në këtë libër punën heroike të mjekëve, duke vlerësuar ridimensionimin pozitiv të “pushtetit të dijeve“ të tyre, bashkë me magjinë e padiskutueshme që patën “bluzat e bardha” në këtë kohë të shqetësimeve pandemike.

Libri ka trajtesa për rolin e familjes dhe funksionet polivalente të saj, e cila mori përsipër disa role e funksione, të cilat nuk mund t’i realizonte shteti. Sociologu Tushi trajton rolin e shtëpisë si institucion me rëndësi i jetës private, e cila gjithashtu na solli në mend se sa i rëndësishëm është ky institucion për njeriun, për sigurinë fizike e morale.

Në të njëjtën kohë ai bën analiza të marrëdhënieve midis pjesëtarëve të familjes dhe ndërlikimet e tyre në kushtet e një izolimi, të cilin ai e quan “bunkerizim shtëpiak”. Doemos nuk mund të ishte jashtë vëmendjes dhe analizës së tij shkolla, e cila gjithashtu ju nënshtrua ndryshimeve të shpejta të tipologjisë klasike të mësimdhënies. Një përpjekje gati në përmasa ekesperimentale për zhvillimin e mësimit në distancë. Po kështu ai analizon ndryshimet që kanë ndodhur në “botën e punës” dhe reflektimet e punës në distancë në tregun e punës.

Autori e mbyll librin me një kapitull përfundimtar, që e titullon “E nesërmja”, në të cilin ai bën konkluzione përmbyllëse të librit. Sikurse shkruan autori, “ajo që kam dashur të evidentoj në këtë libër, është ideja se në shoqërinë shqiptare të “kohës post-pandemike”, edhe pse shoqëri rezistente, me “taban të fortë” tradicional, inerci sociale, qëndresë të njohur ndaj ndryshimeve, duket se pandemia e ka vënë në lëvizje të përshpejtuar “trenin e ndryshimeve” sociale. Ai ka filluar të dalë nga “stacioni i vjetër”…

Ky është libri i fundit i sociologut Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh” në kolanën e gjerë me mbi 20 vëllime të shkruara prej tij në fushën e politologjisë, sociologjisë dhe shkencave humane. Libri “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë” besoj se është me vlerë për t’u lexuar, sepse është adekuat me kohën dhe problemet që jetojmë dhe ndihmon për perceptimin e duhur të zhvillimeve psikosociale në jetën tonë. Për sot dhe për nesër…!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat