Një vrimë në shpirt

Kultura

Një vrimë në shpirt

Nga: Tahir Bezhani Më: 22 janar 2021 Në ora: 11:59
Ilustrim

Më janë skuqur sytë , dy gaca n ‘fikje

Gjuhën e kam kafshuar shumë herë

(deri në gjakosje)

Për durimin e tepruar të përtypjes së ashtit

Buzët plasnin nga temperaturë fjalësh

Rrugëtimeve të  gardhuara në mendimet e pritshme

Mashtrimeve shumëngjyrëshe dalë boje

Për t’i bërë  mirë zemrës, hoveve  rënkuese

Duke dihatë malli lodhjeve ngacmuese

Nuk besoj se kam kohë tepër, tepër ishte

Të qëndroj  përballjeve  të nxira

Lazdrimeve të  boshatisura hamshorqe

Vrapimeve të kohëve mbushë me re të zeza

Një vrimë në shpirt  kullon dhimbje

Një kokë me plagë  plagosur në token e vet

Në kërkim të  kufijve të gjallë varrosur

Me shpresa të ringjalljes pas vuajtjes

Si Jezu Krishti i gozhduar n ‘damarë

Falni dashuri o Zot, më mirë se  goditje

Nuk dëshiroj t’ia ngul askujt sytë n’ plagë

Përmes lotëve

Një vrimë po kullon mureve të shpirtit

Gjithmonë lëngim deri në shërim...

Gjakovë, 16 janar 2021

   

Meditim dimeror

 

Paska ikur nata  në heshtje

Si çdo natë dimri  e pabesë

Hutuar  jam, duke mashtruar vetën

Kotësive që nuk mund të zmbrapsen

Thumbimeve, fërkimeve të marra

Halucinacione të sëmura me viruse të  kohës

Pas lodhjes së umit në tokën e  zezë

Si në ëndërr, por i zgjuar, ndërrova vend

Dimrit e parafytyroj verën me vapë

Verës dridhem  mërdhimjeve dimërore

Përfytyroj bjeshkët, lartësitë e thepisura

Ato  pika të larta praruar në bukuri

Shikoj çuditërisht një pishë që bën jetë

Në një rrasë guri pa asnjë lopatë dheu

Me trupin e njomë, shtatin e drejtë

E gjelbëruar dhe krenare si shqipet përreth

Sa i dëshiroj ato lartësi që  puthin shkrumbin tim

Dëshiroj pafundësisht atë bukuri

Të isha shkëmb bjeshke

Atje ku hëna  ledhaton e zbehur ngurtësinë

Dielli me buzëqeshje  shkrin...

 

Teja grimcon  pragun e  kujtesës

 

Mendimet të fshehura skutave të zemrës

Ngacmuan  shpirtin e fjetur në damarë

Ia mbatha rrugëve

U bëra udhëtar pas erës së lotëve të saj

Më rrëmbeu dëshira e kallur rrugës së gjatë

Deri te pragu i ndarjes ku ndiheshin ofshamë

Dy zemra ndaheshin me vaj  atëbotë

Me sy të mbyllur, qerpikë të varur

Duart nuk shkëputeshin nga shpirti i mekur

“Një ditë e fat të mbarë” ,shkreptimë buzëve

Nuk di nga erdhi ai zë...

Me shpresë  takimi  te “Grandi” e bëmë me fjalë

Tani shpirti  rrokotelet i dërmuar,

Dëshirat kallën  në flakë

Kujtimeve të një zjarri që nuk fiket kurrë...

Jeta me dashuri nuk ngopet

Etje e  përjetshme mbetet dritave të ballit

 

I fshehur në pragun e ndarjes, pellg malli

Grimcon atë dru, bën zhurmë natën ,ditën

Grimcon e grimcon, krimb i tejes

Hesht e përgjon zërin, hapat e saj

Hapet dera ngadalë, gjurmon ,hesht

Ajo...

Shikon me sy të skuqur, mbushur mall

Nuk e trazoj ,e lë në qetësinë e harresës

(Nëse ajo e ka mbuluar)

Se do uji nën urë ka kaluar

Ika ngadalë, ngadalë, pa u hetuar

Duhmë lotësh ruante ai prag kujtimi...

Nga dritare befas një zë piskë dëgjova

“Ndal erë mali, ndal! Lermë të të shoh me sy

Malli më ka verbuar që sa vite pa të parë

Digjem  e tretem n ‘kujtime

Ndal të ndajmë këtë strajcë me hi, zharavë

Nga dy zemra le të bëhemi një

Të shpërndajmë pjellurinave kudo

Vetëm dashuri botën le ta përfshijë

Dy flakë ndizen gjithmonë në qiell

Si dy yje, dashuri  e gjithësisë...

Nëse  dashuria është burg

Nëse dashuria është burg

Do dëshiroja  dënimin e përjetshëm

Përjetësia është liria e shpirtit n ‘kërkim

Mbështeteni zemrën në murin e vetmisë

Dëgjoni trokitjet në portat e njerëzisë

Ushtimën përmes zgavrave të qara

Si futet brenda avulli i  dëshirave të kallta

Flini ngaherë në shtratin me gjemba

Në kullën e këtij ngujimi mistik...

Pyetni  Dante Aligerin për rrathët e ferrit

Për Beatriçen e përsosur

Pyetni   Vërnerin për vuajtjen e ëmbël

Vuajtja është stoli e jetës

Tagër i shpirtit në  amshim....

Vdekatarëve nuk u kërkohet gjykimi...

Gjakove,18.janar, 2021

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat