Artisti me vlera muzeale

Kultura

Artisti me vlera muzeale

Nga: Remzi Limani Më: 23 janar 2021 Në ora: 19:06
Mustafa Arapi

Pa asnjë dyshim, piktori Mustafa Arapi dhe veprimtaria e tij prej një artisti shumëdimensional, i afirmuar gati  në të gjitha fushat e arteve pamore, me të drejtë zë vend në panteonin e krijuesve të shquar shqiptarë, i cili me punën e tij prej një profesionisti qëmoti të arrirë na dëshmoi se veprat e tija të veshura me artistiken dhe tingëllimën e forcës krijuese do të mbesin krijime të dëshmuara me vlera muzeale. 

Krijuesi Mustafa Arapi, në fushën e arteve figurative na del si dielli dhe buka e pjekur mbi sofrën e emrit shqip. Në këtë kuptim, dashuria e tij  për atdheun ku u lind dhe u krijua si artist me një bagazh të çmuar prej një krijuesi të mirëfilltë, na dëshmojnë tablotë e qyteteve dhe vendeve si  artefakte gjithandej trojeve shqiptare të fokusuara në syrin dhe mendjen e tij. Kjo pra, është një zhuritje e madhe e një mjeshtri të madh siç është artisti ynë respektiv, Mustafa Arapi. Kjo qasje nuk është rastësi, por është gufim dhe shpërthim ndjenjash dhe dashurie ndaj vendit të tij i dalë nga etja për të bukurën dhe artistiken me të cilën e vesh Tokën Ilirie dhe qiellin mbi të. Të gjitha prezantimet pikturale në tablotë e punuara me bojëra vaji mbi kanavacë në vetvete bartin të sotmën dhe lashtësitë e një kulture të pasur arkitektonike me vlera gjithëkombëtare dhe më gjërë…

Pra, kultivimi dhe shtjellimi artistik i peizazhit me motive autoktone shqiptare në vetvete ngërthejnë artistiken si vlerë e vacantë dhe  arkitekturën si dëshmi i një civilizimi të lashtë i cili pasqyron begatitë dhe vlerat gjithëkombëtare në sytë e botës si vlera të patjetërsueshme universale. Në këtë kuptim, ai në tablotë e pikturuara pasquron motive siç janë: Kalaja e Girokastrës, Kalaja e Ulqinit, Kalaja e Beratit dhe motive nga Firenca e Italisë. Motivet e veprave të artistit në fjalë, dëshmojnë kuptimin e vërtetë për vlerat e artit, të cilat, Arapi i kuptoi me kohë - i zuri, i mori dhe ishtrydhi në shpirtin dhe mendjen e tij, për të na riprodhuar vlerat dhe të bukurën e veshur me artistikën e veçuar.

Piktura e Arapit, ka një qasje dhe fryme të një arti modern.  Poetika e e shprehur në veprat e tij shikuesin sakaq e bëjnë për vete. Kjo frymë kreativiteti dhe guximi i shprehjes ekspresive e bëjnë të qartë individualitetin e tij prej një krijuesi i cili flet me gjuhën e tij të vaçantë figurative. Kjo gjuhë konvencionale tashmë e pranueshme dhe e kurorëzuar me punën e pandërprerë dhe sukseset e vargëzuara në fushën e artit pamor, na japin tingëllimën e duhur për ta kuptuar dhe veçuar artistin tonë dhe veprën e tij. Pikturimi i veshur me shtresa të trasha ngjyre, pa dyshim është tregues i një mjeshtërie të kultivuar prej kohësh e cila nxjerrë në pah peshën dhe forcën e të shprehurit dhe shkëlqimin e artistit nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme të pasqyruara në tablotë e tija pikturale. Në fushën e peizazhit me motive të ndryshme tek Arapi, vërejmë respektin dhe nostalgjinë për qytetin e tij të lindjes, Tiranën. Këtë qytet, kryeqendër e gjithë shqiptarisë, ai e trajton me konsideratë dhe dashuri të veçantë duke e shpalosur ne tre pamje dhe dy kohë - Tiranën beharore dhe atë dimërore. Në kohën e beharit, artisti e zuri qytetin e tij në dy pamje të ndryshme - atë me imazhin e të vjetrës dhe atë me pamjet e urbanizuara të shtrira dhe te ngritura karshi të vjetrës. Po ashtu, syri i artistit, qytetin e tij e zuri edhe nën vellon e dëborës e cila edhe këtu - nën bardhësitë solemne me një pamje gri, na jep ngrohtësi shpirti, ngase maestro e veshi me të bukurën e cila me krenari i shkrinë ngricat në sytë e shikuesit. Materializimi dhe zhvillimet artistike në krijimtarinë e Mustafa Arapit në disa fusha të artit, pa dyshim e kanë një bazë të qëndrueshme e cila është tregues i qartë i një pune të dëshmuar dhe koherente, me një konsistencë e cila krujuesin tonë e bëjnë njeri me sedër artisti cilësorë. Lëvizja e sigurt e penelit dhe e  shpatullës së bashku me shprehjet e qarta lucide,  të shkrira në një tonalitet ngjyrash plot muzikalitet dhe një terësi harmonike na japin një përmbajtje dhe trajtë konkrete e cila pa asnjë vështirësi kapet nga shqisat e cecilit prej nesh. Po ashtu, qasja pikturale e tablove me figurën e femrës, gjegjësisht të nudos - frymon dhe flet me fuqinë dhe gjuhën e njejtë të kreativitetit artistik. Përmasat trupore me proporcione të sakta na dëshmojnë njohjen  shembullore të trupit të njeriut - si rezultat i njohjes dhe studimeve paraprake të anatomisë dhe shkathtësisë së artistit në fushën e vizatimit. Pra, nudoja tek, Arapi, shfaqet si produkt arti i vendosur në ambiente dhe pozicione të ndryshme për t`i kuptuar dhe kapur thyerjet trupore si forma dhe shprehje trajtash artistike në përputhshmëri me të natyrshmën. Fisnikërimi i tablove  me elemente dekorative dhe figuracion të pasur siç bie në sy draperia si element i pashmangshëm dhe vendosja e nudos në ambientet e ndryshme enterieri intim, na japin një pasqyrim për të kuptuar zotësinë e artistit i cili figurën e pasuron me elemente shtesë për ta begatuar edhe më shumë vepren e tij duke i dhënë edhe dimensionin e duhur artistik.  
.

            Së këndejmi, nudoja mbetet preokupim dhe vazhdimësi edhe në fushën e vizatimit gjegjësisht grafikës figurative. Në realizimet e veprave nga fusha e grafikës, ai e trajton edhe portretin lirik, kompozicionin dhe motivin metaforik si shprehje e një fryme dhe narracioni figurativ. Në këtë fushë artisti përdorë ngjyrën akrilik dhe lapsin akrilik mbi kanavacë dhe mbi letër paraprakisht me sipërfaqe të parapregatitur ku aty - këtu vërehen njolla të cilat në mënyrë fragmentale shkrihen mbi sipërfaqen e letrës mbi të cilën artisti vëndos kompozicionin e tij. Veprat e realizuara siç janë: Dhimbja e Akilit, Vetmia, Dhimbja e kalit (kushtuar babait), Apokalipsi, Froni etj. Flasin me një gjuhë (përpos veprës “Froni” e cila ndryshon për kah teknika figurative), duke na dhënë pasqyrimin e teknikës së vizatimit të pastër - ku shprehet vija lirike dhe vizatimi i guximshëm me qasje të mirëfilltë kompozicionale dhe baraspeshës estetike së bashku me të gjitha normat e teorisë së hapësirës krijuese.

Artisti ynë, Mustafa Arapi u lind më 1950 në Tiranë ku edhe mbaroi studimet e larta universitare në Akademinë e Arteve të Bukura. Për aktivitetin e tij krijues, ai mori disa shpërblime me katakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Biografia e krijuesit në fjalë është shumë më e gjërë dhe, në këtë rast, ne po e japim paksa në vija të trasha sa për të kuptuar diç nga krijimtaria e artistit të merituar. Gjatë krijimtarisë së tij, Arapi u angazhua në shumë projekte të ndryshme nacionale të organizuara nga Instituti i Monimenteve Kulturore të Tiranës. Po ashtu, ai një kohë punoi edhe professor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Puna e tij prej krijuesi u prezantua edhe në ekspozitat e përbaskëta artistike të organizuara në: Turqi, Egjypt, Francë, Hungari dhe Shqipëri. Po ashtu, ai pati në numër të konsiderueshëm të ekspozitave personale të organizuara në: Shqipëri (në disa qytete), Itali (në disa qytete), Francë, Holandë, Maqedoni dhe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat