Automatët zviceranë në UNESCO

Kultura

Automatët zviceranë në UNESCO

Më: 24 janar 2021 Në ora: 16:33
Zvicra është e njohur për traditën e orave mekanike më precize

Për shekuj me radhë, Zvicra është e njohur për traditën e orave mekanike më precize por tani edhe aparatet e saj me lëvizje automatike do të mbrohen nga UNESCO-ja si trashëgimi botërore.

Automatët zviceranë apo aparatet mekanike që punojnë vetvetiu vetëm me pak ndihmë nga njeriu, tani janë futur në listën e trashëgimive kulturore të UNESCO-s.

Në malet Jura, përgjatë kufirit franko-zviceran, Fransua Zhyno, është mjeshtri i automatëve më të veçantë me kurdisje.

“Në atelienë time jetoj prej 30 vitesh. Fillova të punoj në 1980-n me mjeshtrin e automatëve, Mishel Bertrand. Disa vite më pas dola vetëm dhe nga 90-ta e këtej, kam ekipin tim.”

Zhyno thotë se është shtuar interesi për objektet me lëvizje të vetvetishme.

Mjeshtri zviceran thotë se automatët kanë një mister, një magji që ishte humbur për disa kohë por tani po rikthehet në vëmendje, në epokën e sotme elektronike.

“Është një mjeshtri universale. Ka anën skulpturore, anën estetike, proporcionet e objektit. Pastaj është ana teknike, është ajo magjia, hileja për ta bërë dkë që ta besojë, ta shohë iluzionin sa më afër të magjishmes. Shumica e magjistarëve janë fansa të automatëve.”

Në muajin dhjetor, Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara e vlerësoi trashëgimi botërore artin e krijimit të orave dhe objekteve mekanike në rajonin zviceran.

Zhyno tani po punon për automatin e mjeshtrit italian, Leonardo da Vinçi, për ulje-ngritjen sa më natyrale të qepallave të syve të tij dhe për lëvizjen sa më vërtetë të krahëve sikur po shkruan.

“Vazhdoj që të mësoj teknologjitë e reja, si për shembull printimet në tri dimensione. Tani ka makineri që mund të printojnë në flori, argjend. Pjesët që dikur ishin të pabesueshme për t’u bërë, tani mund të realizohen 3D. Kemi provuar diçka të tillë me një automat që ndryshe do të kishte qenë e pamundur.”

Fshati i Se-Kruasë në Zvicrën perëndimore dhe zona e maleve të Jurasë është e njohur për punimet e imëta mekanike që në vitet 1685, dhe besohet se e kanë trashëguar nga francezët që u shpërngulën atëkohë për t’i shpëtuar persekutimit për shkak të besimit protestant.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat