Një letër e panjohur e Hysni Lepenicës dhe personalitetet që lidhen me këtë letër

Kultura

Një letër e panjohur e Hysni Lepenicës dhe personalitetet që lidhen me këtë letër

Nga: Enver MEMISHAJ Më: 24 janar 2021 Në ora: 17:04
Enver Memishaj

Poeti, përkthyesi dhe studjuesi Agim Dishnica me banim ne Nju Xhersi, SHBA, me fisnikërinë që e karakterizon më njohu me një letër që Hysni Lepenica ia dërgonte babait të tij, patriotit Xhevdet Dishnica, më 7 prill 1940, nxjerrë nga arkivi i babait tij. Kjo letër, e pa njohur nga ana ime, nuk është përfshire në tre vëllime, që unë kam botur për vendin që zë në historinë e popullit shqiptar Hysni Lepenica.

Hysni Lepenica (1900- 1943) ishte luftëtar trim në Luftën e Vlorës më 1920, komandant dhe udhëheqës i rendësishëm i Luftës Antifashiste, firmëtar i Marrëveshjes së Mukjes, 1 - 2 gusht 1943, anëtar i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, komitet që doli nga kjo Marrëveshje, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar, Dëshmor i Atdheut, dekoruar pas vitit 1990 nga presidenti Sali Berisha, presidenti Alfred Moisiu dhe së fundi nga presidenti Bujar Nishani ”Nder i Kombit Shqiptar” ( Enver Memishaj – Lepenica “Hysni Lepenica...” në tre vëllime; Gazeta “Telegraf”, Tiranë, dt. 28.5.2019, f.14 – 15)

Xhevdet Dishnica lindi në vitin 1896 në Berat dhe u nda nga jeta në vitin 1972 ne Tiranë.

Ai kishte hyrë në jetën politiko-shoqërore shqiptare që në moshën 19 vjeçare, në vitin 1915, kur qe kthyer mësues në qytetin e lindjes pas mbarimit të liceut të Manastritit dhe Normales së Elbasanit.

Në vitin 1919, në një demonstratë, nga ballkoni i bashkisë së Fierit me guxim iu drejtua pushtuesit italian me thirrje: “Na lironi atdheun, lironi Vlorën kreshnike”.

Në vitin 1920, përkrah 500 luftëtarëve berates mori pjesë në Luftën e Vlorës kundër pushtuesit Italian.

Më tutje ai do të ishte bashkëluftëtar i Avni Rustemit, Llazar Fundos, Halim Xhelos e Riza Cerovës dhe u zgjodh kryetar i degës “Bashkimi” të Beratit.

Nga shtypi i kohës mësojmë rolin e madh që ka luajtur Xhevdet Dishnica në udhëheqje të kësaj shoqërie: ”Sot në ora 3 u mbajt këtu në Berat një miting prej 5000 vetash. E para për të kundërshtuar mizoritë serbo-greke në Kosovë e Çamëri…” (Gazeta ”Bashkimi”, Tiranë dt. 29.8.1924)

Në mbështetje të ideve që u hodhën në këtë miting djalëria intelektuale e Vlorës, Fierit dhe Beratit shtuan presionin ndaj qeverisë së Fan Nolit: ”Mbasi Serbia po ther vëllezërit kosovarë djalëria intelektuale e Vlorës, Fierit dhe Beratit i kërkojnë governës kombëtare të protestojë në Lidhjen e Kombeve. Për djalërinë vlonjate Uan Filipi, për djalërinë e Fierit Zoi Xoxa, për djalërinë e Beratit Xhevdet Dishnica” (Gazeta ”Bashkimi”, Tiranë dt. 29.8.1924)

Në udhëheqje të shoqërisë “Bashkimi” Xhevdet Dishnica mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorti të vitit 1924 dhe në ditët e pazarit ai mbante konferenca para popullit dhe bënte thirrje për përkrahje të qeverisë së Fan Nolit. Me dështimin e revolucionit të qershorit pas një muaj maleve mundi të arratisej jashtë shtetit. U anëtarsua në KONARE dhe botoi artikuj në gazetën “Liria Kombëtare”.

U kthye në atdhe në vitin 1939, pas 15 vjetësh mërgimi. Mori pjesë aktive në Lëvizjen Antifashiste dhe në vitin 1943 megjithëse në moshë të madhe doli partizan dhe luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve nazi-fashist. (Esat Dishnica, gazeta “Bashkimi”, Tiranë dt. 12.8.1981, f. 3)

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Këshilli i Bashkisë Berat i ka dhënë Xhevdet Dishnicës titullin: "Nderi i Qytetit", me motivacion : “Për kontribut të shquar atdhetar dhe patriotik në shtetformimin dhe shpalljen e Pavaresisë si një shtet i lirë dhe sovran, për sakrificën humane, intelektuale dhe qytetare në mbrojtje të vlerave më të mira morale dhe shoqërore të qytetit tonë dhe mbajtjen lart të emrit shqiptar dhe krenarise kombetare”. (Vendim i Këshillit Bashkiak Berat nr. 42 date 130.10.2012)

Letra (me shkrim dore në 4 faqe) që Hysni Lepenica, ish prefekt i Matit, i dërgon Xhevdet Dishnicës, bën fjalë për shqetësimin miqësor e shoqëror të Hysniut dhe Xhevdetit për fejesën e Uan Filipit (1901-1948) me vajzën e patriotit të shquar Sotir Peçi (1873-1932).

Kjo letër ka rëndësi historike për ngjarjet që trajton, në kohën e pushtimit italian dhe personazhet historik që citohen e përmenden në këtë letër, prandaj po e botojmë më poshtë:

Burrel 7.IV.940

I dashur Xhevdet,

Kam ditë që mora letrën tëndë. Nuk t’u përgjegja menjëherë për shkak të dëshirave të flisja njëherë vetë me Uanin dhe për këtë qëllim i shkrova të vinte këtu. Mirëpo ai s’mund të vi se nuk i japin leje dhe unë gjithashtu veç kësaj kam dhe fëmijën vetëm këtu.

Megjiëkëtë përsa më shkruan nuk më duket një çështje pa rëndësi, për shumë arsye, sado që unë vajzën nuk e njoh, emri i saj meriton çdo respekt dhe gjith kujdesin tim. Në këtë mënyrë ju siguroj edhe për ndjenjat dhe mendimin e shokut tonë, Uanit.

Për sa i përket sjelljes dhe cilësirave të dhëndurit të ardhshëm si dhe pajtimit të natyrave të tyre u takon t’i peshoni juve që i njihni të dy. Unë u vë parpara vetëm një konditë, që është gjendja ekonomike e Uanit dhe dy motrave gati për t’u martuar me 10.000 franga ar boxh, akoma në Bankën Kombëtare Vlorë që rrjedhin nga martesa e motrës së tretë bërë në dimrin e kaluar.

2.

Diçka më shkruaje se shokët mendojnë të nxjerrin nga ana e qeveris 200 napolona për vajzën e Sotir Pecit. Sot qeveria po jep Zef Doçit e Hakik Menës me shokë të internuar politik për ushqimin e fëmijve nga 200 e 300 napolona. Kësaj here pra, për Sotir Pecin i njohur brenda dhe jashtë Shqipëris, mund të japë më tepër dhe është me vend e i ka hije qeveris, dhe unë kam bindje se po të parashtrohet mirë çështja, qeveria ka për të bërë një ndihmesë të meritueshme.

vesh mirë me shokët që duan të interesohen për shokë, dhe t’i vihen punës që t’i kërrejnë një pajë të meritueshme vajzës së S. Pecit.

3.

Jo 200 napolona, se kjo do të ishte qesharake, mbasi sot me 200 napolona nuk mund të ndërtohet e stoliset asnjë kasolle me kashtë, por të kërkojnë ndo 20 mijë frënga ar dhe fundi, të mos pranojnë nëqoftë se u japin më pak se 10 mijë frënga ar.

Në rast se shokët mund t’i sigurojnë vajzës të paktën 10 mijë franga ar unë mund t’u ap pohimin e Uanit për të cilin jam i sigurt që s’ka asnjë kundërshtim, veç pa qënies në gjendje financiare nuk i përballon dot këto halle.

Kështu pra, shokve shumë të fala dhe përpiqi me e përgatit pajën, se janë të dy të varfër dhe për çdo gjë tjetër le ta kenë ndërgjegjen të qetë se e kanë përmbush plotësisht detyrën kundrjet shokut veteran të vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja.

4.

Shkruajmë mua në qoftë se puna mund të rregullohet për sa u mbetet shokëve, që unë të mbaroj pastaj për sa i takon Uanit, të cilin po marr përsipër.

Të përqafoj

Yti Hysni Lepenica

* * *

Letra e Hysni Lepenicës është nderim dhe vlerësim i lartë për patriotët, si rasti Sotir Pecit për të cilin Hysni Lepenica thotë: “Le ta kenë ndërgjegjen të qetë se e kanë përmbush plotësisht detyrën kundrjet shokut veteran të vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja”.

Korespodenca ndërmjet dy patriotëve është shprehje e humanizmit, respektit dhe besnikërisë ndaj shokëve të idealit, ajo tregon jo vetëm shqetësimin miqësor të autorit por veçanërisht shqetësimin atdhetar për t’u qëndruar pranë dhe ndihmuar atdhetarët dhe fëmijët e tyre, sepse ata kishin shkrirë jetën për interesa të popullit të tyre si Sotir Peci, Uan Filipi, Xhevdet Dishnica etj.

Emri i saj, shkruan H. Lepenica për vajzën e Sotir Pecit, “meriton çdo respekt dhe gjith kujdesin tim”, çka do të thotë vlerësim i lartë për atdhetarin e shquar Sotir Peci dhe besnikërinë e detyrimin që ndien H. Lepenica për t’i ardhur në ndihmë vajzës së mikut dhe shokut të idealit.

Në letrën e H. Lepenicës duket shqetësimi për mikun e shokun e idealit, Uan Filipin, që ta martojë por edhe t’i zgjedhë nusen, sipas personalitetit e vlerave qytetare e atdhetare të tij. Në këtë letër si Hysni Lepenica ashtu edhe Xhevdet Dishnica na paraqiten si njerës fisnikë të preokupuar dhe angazhuar për shoqërinë dhe miqësinë, për t’i ndihmuar e përkrahuar ata.

Në këtë angazhim të Dishnicës dhe Lepenicës del përpara një vështirësi e madhe, vështirësia ekonomike e personazheve që citohen në atë letër. Vështirësi që nuk u zgjidhën e për pasojë patrioti Uan Filipi nuk u martua dhe kaloi në amëshim beqar, ndërsa motrat e tij u martuan dhe u bënë me fëmijë, çka tregon shpirtin e tij fisnik e bujar duke sakrifikuar lumturinë e tij për familjen, motrat e tij.

* * *

Kush është Sotir Peçi (1873-1932)
Hysni Lepenica thotë për Pecin: “Shokut veteran të vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja”.

Ndërsa Kuteli e përcjell vdekjen e Peçit me këto fjalë: "Tani trupi i tij i rraskapitur prej dyzet vjet si veteran, shlodhet në tokën e zhuritur të Atdheut, të cilin e pat dashuruar aq bujarisht... se virtytet e tij patën qenë regëtimat e mësë kthjelltës shqiptarizëm. Ky apostull i shndërritshëm që shqipëzoi shqipen dhe kombësoj kombin, kalon nga jeta në jetë..."
Sotir Peçi lindi në Dardhë të Korçës në vitin 1873. Më 1906 Peçi botoi gazetën "Kombi", gazeta me më shumë lexues, sepse delte në Boston, ku po dyndej një turmë e madhe mërgimtarësh. Ishte meritë e veçantë e Peçit tërheqja në gazetë dhe përfshirja në lëvizjen kombëtare e Fan Nolit. Dyshja Peçi-Noli, "Kombi" dhe shoqatat e shumta të shqiptarëve të Amerikës, patën një rol të dorës së parë në përgatitjen e ditës së Pavarësisë.

Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit Peçi ishte delegat i shqiptarëve të Amerikës dhe i kolonisë së Bukureshtit. Rrjedhat e patriotizmit do ta rrëmbenin për ta lënë përfundimisht në mëmëdhe.
Veprimtaria pedagogjike e Peçit, zë fill në shtator 1909 në trupën mësimore të shkollës së parë, Normales së Elbasanit, ku jepte lëndët e Shkencave të Natyrës dhe mbaron me detyrën e Ministrit të Arsimit, në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes.

Në vitet 1914 – 1918, Peçi strehohet në Shkodër, ku bashkë me patriotë vendas të prirë nga Nikollë Ivanaj, krijojnë organizatën "Krahu Kombëtar" që në ato vite, pati një rol tepër të madh.

Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Peçin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peçi.

Sotir Peci ishte nënkryetar i komisionit që mblodhi dhe organizoi Kongresin e Lushnjës.

Qeveria e dalë nga Kongresi historik i Lushnjes, duke njohur vlerat e Peçit, e futi në kabinetin qeveritar si Ministër të Arsimit. Ishte 47 vjeç dhe mbarte mbi supe jo vetëm përvojë, por mbi të gjitha një figurë të pastër morale.

Në vitet që pasuan, Peçin e gjejmë deputet, ministër dhe njërin nga 4 anëtarët e Këshillit të Lartë, apo regjentë siç quheshin.
Gjatë viteve 1925- 1932, i dënuar fillimisht me vdekje në mungesë dhe i falur më pas, Peçi mbeti një emigrant politik, fillimisht në Itali dhe më pas në Greqi! Megjithëse iu bënë oferta për ofiqe e shpërblime, ai mbeti kokëfortë siç qe në bindjet e veta.

I sëmurë e pa mjete financiare për t'u kuruar, i varfër, pa mbushur të 60-të vitet, mbylli sytë në Follorinë më 10 prill 1932. U varros në Korçë, me nderime të mëdha zyrtare, mbi shtratin e një topi.

Patrioti i shquar Sotir Peci, përveç vajzës që përmëndet në letrën e Hysni Lepenicës kishte dhe një djalë Gaqo Peci që kishte lindur në vitin 1920. Kreu Liceun e Korçës, pastaj studimet e larta në Institutin Pedagogjik në Tiranë. Punoi si mësues i gjuhës frënge deri në ditën e arrestimit, në vitin 1976. Më 10 qershor 1977, me vendim nr. 118, Gjykata e Korçës e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», dhe e dënoi me 10 vjet burg dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. U lirua në vitin 1982.

E patën arrestuar për të shtuar terrorin dhe për t’ju treguar të gjithëve që asnjë nuk mund t’i shpëtonte “tehut të mprehtë të shpatës së Diktaturës së Proletariatit”, e as mësuesi i shquar 60-vjeçar pjesëmarrës në Luftën e Dytë në anën e fituesve, pasardhësi i atyre që kishin bërë Shqipërinë. Të katër të akuzuarit në grupin e Gaq Pecit morën dënime të rënda dhe vetëm Gaqoja doli i gjallë nga burgu.

*

Uan Filipi (1901-1948), lindi në Mbrostar të Fierit në vitin 1901. Babanë e tij bashkëkohësit e quanin Tod Shqiptari, për shkak të përpjekjeve të tij në lëvizjet patriotike kundër pushtuesit të huaj. Uan Filipi u brumos nga prindërit me idenë e një Shqipërie të lirë, pa pushtues, pa bejlerë e pa agallarë.

Ai ishte një politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare, me mendime e bindje të majta. Fillimisht militoi në grupet fillestare komuniste. U dënua me vdekje në kryengritjen e Fierit në vitin 1935 dhe pas dajles nga burgu, në vitin 1938, ai militoi në Grupin Komunist “Zjarri” dhe më pas në Ballin Kombëtar, duke qenë në vijën e parë të luftës kundër pushtuesit të huaj. Në tetor të vitit 1943, ishte një nga themeluesit e Partinë Socialdemokrate.

Uan Filipi si politikan dhe veprimtar shoqëror i kaloi vetdijshëm kufijtë e një politikani të thjeshtë dhe u bë udhëheqës i masave popullore.Veprimtaria e tij nuk kishte vetëm konture politike, por kryesisht atdhetare. Arsyet se përse Uan Filipi është përmendur fare pak dihen. Ato janë politike, pra s’kanë të bëjnë me të vërtetën dhe historinë.

Uan Filipi u arrestua nga komunistët më 24 tetor të vitit 1947. U akuzua se “ka qenë iniciator i formimit të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor. Lidhje me të arratisurit brenda dhe jashtë Shqipërisë”. Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr. 25 dt. 22.1.1948, pas tre muaj tortura çnjerzore, në hetuesi, e dënoi me vdekje dhe e pushkatuan.

(Shih për më shumë: Enver lepenica “Uan Filipi, politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare”, Tiranë 2019)

*

Zef Doçi e Hakik Mena ishin të internuar dhe qeveia fashiste apo kolaboracioniste u paguante nga 200 napolona fëmijëve me që prindi nuk kontriubonte për famijlen sepse ishte i internuar. Tani lexuesi të bëjë vetë krahasimin me trajtimin e të internuarve që bëri Enver Hoxha për gati 50 vjet.

Zef Doçi ka lindur në Fushe Lure të Dibrës. Kulla 3 Kateshe e Zef Doçi është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit "Arkitekture", i miratuar me numër 47 dt. 27.07.2006.

Hakik Mena është nga Dibra. Atë e gjejmë pjesmarrës në Kuvendi i Arrasit, 13 gusht 1920.

Ramiz Daci, më 7 gusht 1920, ishte në Arras dhe organizoi një miting me pjesëmarrjen e mbi 3000 vetave (pari e hali), ku shprehën krenarinë për Luftën e Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjete tokat e atdheun e tyre.

Image
Xhevdet Dishnica
Image
Hysni Lepenica
Image
Uan Filipi
Image
Sotir Peci
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat