Kryetar! Ndërroje atë pesëqindshe…!

Kultura

Kryetar! Ndërroje atë pesëqindshe…!

Nga: Kadri Tarelli Më: 26 janar 2021 Në ora: 22:22
Kadri Tarelli

Ruzhdiu, kryetari i kooperativës “Tip i lartë”, e kishte bërë si zakon që një herë në javë të vizitonte apo të kontrollonte çdo sektor të koop. Zakonisht nisej rreth orës 11.30 – 12.00, koha kur përgjegjësi i sektorit dhe brigadierët ishin kohë pushimi.

Kështu veproi edhe atë të shtune. Porositi shoferin të bënte gati makinën. Pa humbur kohë u nisën. Shoferi nuk e pyeti fare se për ku, pasi e dinte mirë kalendarin e veprimeve.

Ishte dite pranvere dhe Kryetari po i gëzohej stinës dhe të mbjellave, por nuk foli fare. U kordh në mendime, ku lexohej lehte një buzëqeshje kënaqësie.

Sapo arritën në qendër të sektorit, zbriti dhe u drejtua tek kafja. Si të ishin lajmëruar prej kohësh gati të gjithë drejtuesit e sektorit ishin ulur rreth 2-3 tavolinave të bashkuara. Nuk u çudit për këtë, por vuri re se në këtë takim ishin edhe dy përgjegjës të sektorëve të tjerë. Nuk u bezdis nga prania e tyre, sepse sot do të thoshte vetëm fjalë të mira dhe do t’i përgëzonte për punët e kryera, duke shfrytëzuar në maksimum kohën e mirë që po mbante. Porositi vetëm kafe, megjithëse e lutën për raki, konjak ose ponç portokalli (Ishte në modë kjo pije).

Të mos i hamë hakun kryetarit, nuk ishte i dhënë pas pijeve dhe të ngrënit. Ishte shëndoshur pak si shumë dhe mundohej të mbante një lloj diete, por pa rezultat. Pas gati një orë bisede dhe rrahje mendimesh, u ngrit i pari dhe la në tavolinë një 500-lekëshe (Kartëmonedhë e madhe disi me ngjyrë të kuqe). Kështu bënte përherë, por kurdoherë ndodhtë po e njëjta skenë: Përgjegjësi apo dikush tjerët nga tavolina, nxitonte t’ia kthente lekët kryetarit, duke paguar vetë.

Kryetari nuk bëri zë, pasi e dinte se duke kundërshtuar vetëm do të zgjaste fjalët. Doli nga lokali dhe u drejtua për tek makina. Meti, përgjegjësi i kulturës, i cili vazhdimisht ishte i ngeshëm, por edhe shumë shakaxhi, e shoqëroi duke i thënë me zë të ulët, gjoja shoqërisht: shoku Kryetar! Po ndërroje atë të shkretë pesëqindshe, se është bërë tërë zhul! Po griset, fut e nxirr në xhep. Merr një të re!

Shakaja e hidhur e pickoi Kryetarin, por nuk bëri fjalë, pasi e dinte se më shumë do t’i hapte punë vetes dhe thashethemeve. Megjithatë fjala mori dhenë, aq sa kujtohet edhe sot, kur bie fjala për kryetarët e atëhershëm, por edhe të sotmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat