Muzeu i parkut nacional të skulpturës

Kultura

Muzeu i parkut nacional të skulpturës

Nga: Agim Vuniqi Më: 28 janar 2021 Në ora: 17:55
Muzeu

Kopshti skulpturë apo parku skulpturë i familjes Mulliqi është kopshti i vetëm skulpturë në natyrë i dedikuar Kosovës dhe historisë shekullore të saj që ka për qëllim prezantimin e skulpturës autoktone shqiptare, i cili duhet të përfshihet në katalogun e turizmit të Kosovës, por edhe të jetë vendtakim i vizitorëve të vegjël të shkollave të Kosovës.

Aty janë të përfshira shumë vepra monumentale të skulptorit Akademik Luan Mulliqi, të shtrira në natyrë, shumica e veprave e derdhur në bronzë, simbolikë e bashkëshoqërimit të natyrës me resurset minerale të Kosovës.

Figurat madhore të gruas shqiptare, të shprehura përmes fizikusit dhe veshjes së gruas së vyeshme hasjane, e cila rritë fëmiun, bart ujin, bënë punët e shtëpisë dhe të tëra këto lëvizje të sinkronizuara me shekuj i bënë përnjëherë, manifeston një përkushtim të rrallë të femrës stoike pa zë të Kosovës, e cila mbajti gjallë bërthamën e shqiptarizmës, edhe në kohën kur burrat strehoheshin maleve me mamzerka në beteja të vazhdueshme të luftërave çlirimtare.

Në po këtë park skulpturë vizitori i rastit ka çfarë të mëson nga historia e bujshme e Kosovës me aq shumë heronjë-kryevepra si skulpturat e Skenderbeut dhe Nënës Tereze, janë vepra që qëndrojnë në mënyrë të përhershme në materiale të ndryshme, të qëndrueshme në një mjedis kopshti apo parku skulptural, që të bënë për vete.

Ky kopsht skulpturë është në pronësi private, është muze dhe arritje e artistit me vizion të njeriut të lirë, është ngjarje e përhershme publike e arritshme për të gjithë.

Parqet e qyteteve të Kosovës duhet të stolisen me një numër të madh të këtyre veprave skulpturore, të jenë publike, disa prej të cilave mund të paraqiten së bashku në parqet e qytetit, edhe si vizion i të arriturave kulturore, të jenë ekspozitë e përhershme në natyrë si pjesë e historisë së përbashkët që është e shprehur nga skulpturat individuale tradicionale të instalimeve të mëdha në terrene specifike të skulptorit Luan Mulliqi.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat