Fjala

Kultura

Fjala

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 29 janar 2021 Në ora: 08:56
Marjeta Shatro Rrapaj

Çmend e pamundura,

sëmur dëshpërimi,

zhurit malli,

zvarritur ditëve

prej marrëzisë.

Gjaku zien,

tërbuar,

vetëm prej fjalës,

magjistares fjalë,

që deh e gërryen shpirtin,

furtunë që drithëron qenien,

vetëm për një çast

në përjetësinë

e përkohshmërisë relative

të harrimit të madh...

PLAKU I AZILIT

Një diell i qeshur depërtonte përmes gjetheve të freskëta, të lulëzuara dhe plot dritë.

Ai mendonte plot dhimbje për mpakjen e trupit, përtesën dhe vrerin e shpirtit që e grryente përditë nga brenda.

Kishte një shpërthim nervash, por gjithçka përmbyllej e ndrydhej në skutat më të errëta. Nuk kishte forcë as të pikëllohej. Kishte një përthithje melankolike ndaj mjedisit, aq sa ndjesitë e jashtme e preknin shumë.

I mbështetur në stol dëgjonte zogjtë që cicërinin dhe beftas e përfshinte ndjenja e lirisë, e lumturisë së momentit dhe e argëtimit. Ëndërronte aty i vetmuar dhe shkrihej një me zhurmat e gëzuara të natyrës.

Papritur dëgjoi një zë të njohur, që po i thërriste:

-Sa të kam kërkuar! Ah! Sikur ta dinit! A e dini ç’ më ndodhi? Oh! Sa ju kam kërkuar rrugëve të qytetit! I pyeta gjithë kalimtarët nëse ju kishin parë.

Ai heshti dhe dukej i trishtuar që e gjetën. E dinte fare mirë që do kthehej sërish në azil dhe donte të përfitonte sa të mundëte nga shkëlqimi i rrezeve më të fundit të diellit. Për përjetimet e kujtimeve të shkuara nuk bëhej më fjalë, pasi gruaja me të bardha i shkoi krahun dhe e drejtoi nga rruga tepër e njohur për të.

-Bijë, faleminderit që kujdesesh për mua – i tha me një ton shumë mirënjohës plaku. Të më falësh për shqetësimin që të shkaktova, por janë kujtimet e jetës ato që më sollën në këtë park. Rrethohem nga një vetmi e thellë, pa njerëzit e mi të dashur dhe për më tepër i përçmuar prej fëmijëve të mi. Jam fatkeq. Pse nuk më mori vdekja më mirë?- dhe një lot i shpëtoi nga sytë, ndërsa dora që i dridhej shtrëngonte dhe më shumë krahun e infermieres.

Para syve ngrihej godina e vjetër, ndërsa hapat e tij dukej sikur nuk shkelnin më në trotuar, por shkelmonin gjithë qenien, që çapitej si e mpirë drejt ankthit të pashprehur të shpirtit të tij.

SËMUNDJA E MALLKUAR

Do t'ju tregoj historinë e njeriut fatkeq,me qetësi të humbur që kishte mbetur dyerve të spitalit në kërkim të shpresës për jetën.

Dyert ishin mbyllur dhe ai kishte nevojë më shumë se kurrë të lidhte realitetin e jetës me fijet e mendimit që i ishin këputur në tru.

Shumë jetë njerëzish ishin shuar brenda natës dhe ku i dihej ndoshta ishte radha e tij.

Kishte ditë pa futur asgjë në gojë,murtaja i kishte mbyllur dyert e atyre që e mbanin me bukë.

Në një shtyllë lexoi afishen e radhës me emrat e të vdekurve.

Tek po ëndërronte u rrotullua dhe hodhi sytë nga rruga,po shikonte makinën e funeralit.

U tremb dhe u pushtua nga një frikë e madhe.

Ja vdekja kishte marrë ca që kishin prona e pasuri,kurse atë e kishte lënë në qiell të hapur si dëshmitar që as paraja nuk bën punë për ndryshimin e fatit të shkruar.

Pika djerse i bulonin përmes flokëve e rridhnin fytyrës.

Mori frymë thellë dhe mbajti vesh,asnjë zhurmë nuk dëgjohej,nisi të iki me vrap sikur e ndiqte njeri nga pas.

Mbërriti poshtë urës së lumit,ku strehohej përnatë.

Po i merreshin këmbët edhe fryma.

Djersët i ishin bërë akull.

Dridhej nga të ftohtit dhe brenda vetes dëgjonte një zë"Zot më ruaj,më trego rrugën time!"

Befas dëgjoi zhurmën e një karroce që kishte ndalur buzë rrugës dhe vështronte drej tij duke i zgjatur një simite të bardhë.

Rendi drejt tij dhe i mori bukën dhe e falenderoi.

Njeriu zemërbardhë e shihte si copëtonte bukën dhe kur e mbaroi i tha të vinte pas tij që të ngrohej në zjarrin pranë çadrës dhe kështu nuk do të ishte vetëm.

Nëse vdekja do të vinte do ta prisnin të dy.

Pa hezituar shkoi pas tij,ishte i pari që i kishte shtrirë dorën në ditën e tij më të vështirë.

Ishte dita që i kujtonte familjarët e vdekur nga murtaja dhe që nuk u kishte thënë as lamtumirë,kurse ai prej tërmetit kishte humbur gjithçka,por jo dëshirën për të jetuar.

Zoti vërtet vonon,por nuk i braktis kurrë duart që dinë të japin bukë.

DËGJO ZEMRËN

Në Festivalin e përvitshëm të Teatrit kishin ardhur trupa teatrore nga shumë vende të ndryshme dhe sipas traditës së krijuar mirëseardhja jepej nga grupi i valleve të qytetit. Shikuesit si gjithmonë përmbushnin amfiteatrin dhe duartrokitnin gjatë.

Valltaret e para, të kapura dorë për dore, u përkulën me finesë dhe emocion para shikuesve, por dhe të lumtura nga admirimi që kishin ngjallur në atë masë të madhe njerëzish, të cilët ndiqnin gjer në detaj çdo lëvizje të tyre.

Nga plateja filluan të hidheshin lule, duke e ndezur dhe më shumë atmosferën, ndërsa miqtë dhe të afërmit thërrisnin me zë emrat e valltarëve.

Alba vazhdonte të buzëqeshte, ndërsa ndiqte me sy familjarët e saj, të cilët ndiheshin të lumtur njësoj si ajo. Babai i hodhi një tufë me trëndafila të bardhë dhe ajo e priti në ajër buqetën. Në këtë prezantim të saj nuk mund të mungonin as kushërinjtë e saj, të cilët krijonin ovacion dhe aq më tepër i fejuari saj, Andi.

Në dhomën e përgatitjes i erdhën një tufë zambakësh të kuq.

U pa në pasqyrë dhe për një moment nuk e besoi veten se mund të ishte ajo. Flokët e mbledhur topus, grimi i lehtë i fytyrës dhe për më tepër kostumi tradicional dukej sikur e zbrisnin nga ato kohë të lashta dhe e njehësonin një me vetë nimfat e liqenit.

E njihte fare mirë historinë e këtij amfiteatri, parafytyronte dhe rrethin e vajzave që sikurse shoqëronin atë sot, dikur ngjitnin e zbrisnin shkallët pas princeshës dhe ajo si në misticizëm udhëtonte përmes mitesh e legjendash njerëzore. Nga këto ëndërrime e iluzione të krijuara e zgjoi një zë përkëdhelës, shumë i ëmbël e me mjaft delikatesë, që i pëshpëriti në vesh:

-Të dua!

Ajo ktheu kokën, buzëqeshi lehtë dhe mbërthyer nga dalldia e çastit, i tha mësuesit të saj të vallëzimit, Bertit:

-Dhe Unë!

Me forcën dhe elegancën e tij ai e kishte bërë për vete. Brenda syve të tij të errët ndizej një zjarr, që atë e kishte djegur që ditën e parë të takimit. Ai sillej me të ndryshe, me shumë elokuencë, si të ishte një lule e rrallë. Fillimisht i kishte thënë të kërcente vallëzimet që njihte dhe ishte impresionuar nga natyrshmëria dhe lirshmëria e saj.

“Ke shumë shije dhe elegancë në kërcim, ke sjellje të mirë skenike, më pëlqen temperamenti yt” – i kishte thënë më pas, ndërsa ajo ishte skuqur në fytyrë, por dhe ishte dridhur nga ajo dëshirë e fshehtë, por që lexohej qartë në sytë e tij, për ta ndierë më afër e për ta prekur. Ditët në vazhdim krijuan më shumë afinitet mes tyre dhe ajo kishte nisur ta dashuronte. Kishte arsye të mendonte se edhe ai ushqente të njëjtat ndjenja, megjithëse takimet e tyre mbeteshin vetëm tek salla e madhe e mësimit të vallëzimit dhe koha kur ata duhej të ushtronin numrat e rinj koreografikë. Përkushtimi dhe zhdërvjelltësia e lëvizjeve të tij shpesh e turbullonte dhe e zhyste në të tjera botë përjetimesh e emocionesh. I fejuari i saj Andi, për nga natyra ishte i qetë dhe i ëmbël, ndërsa tek Berti kishtë diçka më të egër, më të ashpër dhe më burrërore. Ai nuk harronte asnjëherë që pas çdo ore vallëzimi ta pickonte në hundë e t’i bënte kompliment për aftësinë e treguar. Ajo lumturohej dhe mezi priste orën e ardhëshme për të ndjerë afrimitetin e tij dhe për të lodruar në pistën e vallëzimit. Me lëvizjet e bukura dhe fjalët e ëmbla ajo shkrihej si bora në diell. Gjithësesi karakteri i saj, pavarësisht dëshirave të fshehta dhe impulseve të pavullnetshme, mbetej dhe referohej tek Andi.

***

Vera kishte hyrë në kulmin e saj, ndërsa dielli dhe pse drejtohej drejt perëndimit duke tërhequr fashat e dritës nga deti vazhdonte të krijonte ambjent të nxehtë e mbytës. Në fund të kursit të saj të kërcimit Berti e kishte shoqëruar për në shtëpi.

-Në gusht do të kthehem në qytetin tim- tha ai. Nëse dëshiron mund të vish me mua.

Ajo fillimisht mbeti e shtangur dhe nuk mund të përgjigjej menjëherë. Nuk e priste për momentin këtë shprehje të tij. Mbylli sytë dhe në fare pak çaste mendoi kohën e bukur të kaluar me të, ndjesitë që përjetonte dhe dëshirën e saj të fshehtë për të rendur drejt tij. Pastaj Andi, që ishte shndërruar për të gati në një njeri cermonial, sipas rregullave të kohës dhe gjithmonë bashkëudhëtar i pragmatizmit jetë.

-Pse duhet të vij?- tha më tepër për forcë zakoni ajo, pasi Berti e dinte fare mirë që ajo ishte e fejuar.

-Dua të vazhdoj të vallëzoj me ty. Ky fluturim nuk mund të ndërpritet në mes, por duhet të zgjatë pafundësisht. Këtë gjë besoj se e dëshiron edhe ti,- dhe i hodhi dorën në sup.

Ecën për pak kohë kështu, ndërsa kalimtarët i shikonin me admirim.

-Për mua vallëzimi është dytësor. Kam të tjera qëllime që duhet të realizoj në jetë -u përgjigj jashtë çdo konteksi, në kundërshtim me veten, me zemrën që rrihte fuqishëm.

Ishte më shumë se një provë aftësie për të përballuar tundimin, i cili i kishte prodhuar të tjera emocione, skuqur pak fytyrën dhe i jepte një dridhje të lehtë në buzë.

- Ti e di që unë të dashuroj. Sigurisht që dhe unë e ndjej në çdo çast që dhe ti me dashuron. Atëherë….! – dhe i kishte afruar fytyrën më pranë vetes, sikur donte ta puthte.

- Në moshën time është e lehtë të biesh në grackën e një burri si ti, tmerrësisht joshës – dhe u distancua pak më larg nga ai.

- Nuk jam e sigurt nëse të dua.

- Ndoshta ti endesh mes konfuzionesh, dy dashurish që të rrethojnë në mënyra të ndryshme, por njeriu ndjek gjithmonë rrugën e zemrës dhe zërin e shpirtit. Kur të pashë në fillim ndjeva për ty diçka tjetër, një ndjesi të bukur që më ledhatonte e më bënte të ndihesha i lumtur. Zëri yt është më shumë se një melodi që do dëshiroja ta dëgjoja përjetë, pastaj buzëqeshja jote çel mijëra stinë, apo parfumi yt që më dalldis e përhap mijëra aroma.

- Ti ke një shpirt të bukur Berti, por…

Ai zbërtheu nga qafa e tij një varëse floriri dhe ia zgjati Albës.

-Pse?-e pyeti ajo.

-Mos thuaj asgjë.Ti je nxënësja ime më e mirë – i pëshpëriti ai në vesh dhe i puthi flokët.

Sytë e saj u mbushën me lotë. Sikur në ato çaste t’i kishte thënë “Eja të ikim bashkë” ajo do e kishte ndjekur pas.

-Pasi të mbarosh shkollën ti e di se ku mund të më gjesh, unë do të të pres-i tha ai.

I shtëngoi dhe njëherë fort duart, e pa thellë me ata sytë e errët e gjithë dashuri dhe e puthi lehtë në buzë. Ajo nuk e kundërshtoi, por as u përfshi në emocione të forta, veç qëndroi atje palëvizur deri sa ai kapërceu rrugicën e ngushtë e përhumbi rrugëve të qytetit.

***

Sa hyri në shtëpi, u kuptua menjëherë se diçka kishte ndryshuar tek ajo. Kishte një skuqje të lehtë në fytyrë dhe mjekra i dridhej lehtë. E ëma u afrua menjëhere, kuptoi ndryshimin e gjendjes emocionale tek e bija dhe e pyeti.

- Ka ndodhur diçka Alba?

- Jo mami, asgjë. Pak e lodhur dhe i nxehti i madh i ditës.

- Që diçka ka ndodhur me ty e kuptoj, por se çfarë këtë pres të ma tregosh ti.

- Po shkoj më mirë në dhomën time.

-Jo, jo- tha prerë e ëma. Ja ulu në divan e pres të të dëgjoj.

-Berti më përcolli gjer tek shkallët e apartamentit tonë.

-Dhe ?- ngriti tonin më lart e ëma.

- Ai më puthi.

-Po e di ai që ti je e fejuar? Mirë ai, po ti? I njeh ti artistët? Të premtoi që do të marrrë me vete për të perfomuar në ndonjë asambël më të madh e për televizone. Të gjithë e dinë që ai është një koreograf i ri dhe i talentuar.

-Jo mami! Është diçka ndryshe! Nuk më përmendi as asamble, as trupa koregrafike dhe as televizione.

-Atëherë…?

-Unë e dua atë.

-E di i fejuari yt këtë?

Unë e dua Andin. Ai është njeri i sjellshëm dhe e respektoj, por dashuria është diçka tjetër. Dhe nëse flas me të ai s’ ka për të më kuptuar kurrë.

Nëna heshti për disa minuta, nuk dinte çfarë t’i thoshte dhe shtoi lëvizjet e saj në atë ambient që nuk pipëtinte asgjë. Shqetësimi saj kishte arritur kulmin. Mendime nga më të ndryshmet vlonin në kokën e saj, reagimet e mjedisit përreth të atij qyteti të vogël bëheshin dhe më therëse. Gjendja e saj dualizohej përmes një labirinti që e vendoste në dilema të shumta. Ajo e kuptonte fare mirë që ndjenjat, emocionet dhe rrahjet e zemrës duhet të ndiqnin rrjedhën e tyre, por gjërat tashmë ishin krejt ndryshe dhe diku këputnin fije e ekuilibra të shumtë.

-Ky është një problem që duhet ta zgjidhësh vetëm ti dhe askush tjetër- tha me një ton më të butë, ndërsa rrathët e syve ruanin ende shqetësimin e përbrendshëm.

Alba nuk ktheu asnjë përgjigje.

Nëna e vlerësonte ndershmërinë e Andit, kurse Bertin e njihte vetëm si fytyrë dhe me disa shkëmbime kortezie, kur ata ndesheshin në ndonjë event ku prezantohej dhe vajza e saj.

Nuk di çfarë të them më shumë, – vazhdoi ajo, pasi dua të jesh e lirë që të marrësh vendimin tënd për jetën.

Të rriturit kurrë nuk thonë atë që mendojnë, por atë që quajnë të arsyeshme dhe të drejtë.

-Problemi i ndjenjave të tua është pjesë e jetës, siç është dashuria për vallëzimin, sukseset, gëzimet dhe zhgënjimet e tua. Nuk mund të them asgjë më shumë.

- Nuk e kisha menduar asnjëherë se gjërat do shkonin kështu- dhe shtrëngoi më fort zinxhirin që e kish hequr nga qafa, kur ngjiti shkallët dhe e mbante në dorën e mbyllur, si një guackë deti. -Po babai si do mendojë- dhe psherëtiu thellë vajza.

- Unë dhe babai duam vetëm lumturinë tënde.

Ajo iu hodh në qafë dhe e përqafoi fort. Qëndruan për pak kohë ashtu, ndërsa e ëma i pëshpëriti në vesh:

“Dëgjo zërin e zemrës tënde bijë!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat