Një palë këpucë të kuqe

Kultura

Një palë këpucë të kuqe

Më: 29 janar 2021 Në ora: 12:40
Joyce Lussu

Poezi nga: Joyce Lussu
Përkthuer: Maksim Rakipaj

Janë ca këpucka të kuqe
numur njëzet e katër
gati të reja:

nga brenda ende dallohet qartë
marka e fabrikës
janë një palë këpucka të kuqe
mbi një grumbull me këpucë fëmijësh
në Buchenwald
pak më tej janë ca kaçurrela të verdha,
ca xhufka flokësh të zij dhe gështenjë
në Buchenwald
duheshin për të bërë batanije për ushtarët
asgjë nuk çohej dëm

fëmijët i xhvishnin dhe i qethnin
para se t’i rrasnin në dhomat e gazit
janë një palë këpucka të kuqe për t’ì mbathur të dielave
në Buchenwald

qenë të një fëmije tre vjeç e gjysëm
kushedi ç’ngjyrë i pati sytë
të djegur në furrë
por të qarat e tij mund t’i marrim me mend
dihet si qajnë fëmijët
edhe këmbkat e tij

mund t’i marrim me mend
këpuckat janë numur njëzet e katër
përjetësisht
sepse këmbkat e fëmijëve të vdekur
nuk rriten
janë një palë këpucka të kuqe
në Buchenwald
gati të reja
sepse këmbkat e fëmijëve të vdekur
nuk i grisin këpucët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat