Çfarë po ndodh me NE - në Kosovë

Kultura

Çfarë po ndodh me NE - në Kosovë

Nga: Shefki Stublla Më: 30 janar 2021 Në ora: 21:19
Foto ilustrim

Në këtë mishmash aktual në Kosovë,në këtë rrëmujë të madhe shoqërore,shëndetësore dhe ekonomike,ku s’e merr vesh i pari të dytin,ku ka përzierje gjërash që shpiejnë në çrregullim,ku shumica e njerëzve është shumë e shqetësuar,kur dëgjon dhe sheh vrasjet në familje:vrau babai djalin,vrau vajza prindërit dhe të tjerët në familje,vrau burri gruan dhe djemtë,e theri gjyshin me thikë,shumë vetvrasje,shumë plaçkitje të bankave,grabitje me dhunë nëpër shitore të ndryshme, thyerje bankomatesh etj.,etj.

Vërtet, është e pakuptueshme, si nuk po dimë të ecim me kohën.Si nuk po dimë ta shfrytëzojmë këtë demokraci në liri,e cila edhe mund të rrëshqas e nuk kemi kë ta akuzojmë.Është e gjatë rruga e vështirë e ecjes së popullit tonë nëpër kohë,që provoi e përjetoi shumë dhunë dhe të gjitha llojet e maltretimeve që nga dora otomane, deri tek fashizmi gjenocidal i regjimit serbomadh.Është koha e fundit,të kthjellen prijsit tanë,ta qesin dijen para inatit ,të krijojnë atmosferën dhe populli ta përjetojë dorën e demokracisë së mirëfilltë.Të evitohen hilet dhe dredhitë e të gjithë atyre që nuk pajtohen me mendimin ndryshe.Sjellja arrogante është e padobishme dhe i bën sherr vetë atij që e nxit konfliktin.

Kultura e punës dhe arti i të jetuarit janë faktorë vendimtarë që karakterizojnë raportet dhe kënaqësinë mes njerëzve, në familje dhe në shoqëri. Uni dhe secilit duhet të ngjizet me vlerën e besimit dhe përvojës që përcakton sjelljen, e lidhur ngusht me fjalën e gjallë,me sjelljen e mire dhe me aksione të mirëfillta,dobipruese. Është koha që secili duhet të kontribuojë për arritjen e suksesit,për një “input”(mbështetje) dhe “output” ( dalje) nga kriza e panevojshme e kësaj gjendje të rëndë. Fjala është këtu për një angazhim të menjëhershëm të organeve shtetërore, universiteteve,publike e private,OJQ-ve,po edhe të televizioneve për hapjen e një “rubrike”-kursi apo shkolle, ku do të ligjëronin pedagogë dhe psikologë të shquar,kundër sjelljeve toksike në familje e shoqëri.Që të marrë fund komunikimi me armë të zjarrta dhe armë të ftohta,për të marrë fund këto tragjedi.

Njihe vetveten

Pa e njohtë veten nuk të njeh askush. Kjo është e ditur shekuj me radhë. Ne ende nuk jemi duke kuptuar këtë,sa e si duhet.U bëmë gaz para botës.Jemi bërë ushqim informative, për të keq,për korrupsion enorm,për gazetat e botës dhe mjetet e tyre të informacionit publik,me punët e liga ndër ne:vrasjet mes vetes,gazi lotsjellës në parlament,vrragët e përditshme psikologjike, shëndetësore, droga, shkatërrimi i ambientit dhe për gjëra të ngjashme,të pahijshme.

Të tjerët shpikin gjëra prej balte dhe krenohen me to,kurse ne vlera reale, të pranueshme me të cilat mund të mburremi para botës:nuk jemi popull racist,askujt nuk ia kemi grabit as edhe një milimetër tokë, jemi në vendin tone denbabaden,kemi personazhet e njohura të pranushme nga historia: mbretëreshën Teuta,trimin e madh Skënderbeun,Nënën e botës -Terezën, Ibrahim Rugovën,njeriun e luftës paqësore.T’i reklamojmë vlerat.Të përhapim vlerat filmike, letrare, njerëzore. Sepse me pallavra nuk të pranon askush.

Ende nuk jemi duke kuptuar se Dritarja e Kosovës para botës është e hapur.Askush të mos mendojë se bën një punë të ligë e nuk shihet. Jo,jo, të gjitha të mirat dhe të këqijat “kamera e popullit” i regjistron. Atëherë,përse të gënjehet? Përse të dezinformohet? Përse të bëhemi agjentë të së keqes.Përse mos të sillemi mire siç i ka hije popullit tone.Të bashkëjetojmë me të vërteten,bashkë me librin me përmbajtje afatgjatë.Nuk ka kuptim që askush të shitet,për asgjë,në dëm të popullit të vet!

Është kohë e punës ekipore.Kosova s’ka nevojë për kult individi,por për një prijës,i cili në bisedë me popullin e përdor përemrin vetor “Ne”e jo vetëm “unë”.Secili ta bëjë gjërën e duhur në kohë të duhur. Të mos bëhet as sadist as narcist.Kosova nuk ka nevojë për kurrfarë afere Drajfus, të sajuar në bazë të shpifjeve dhe intrigave.Sokrati që në kohën antike porosit:jeto pa u dukur.Mos shit mend. Mos u mashtroni se populli fle.Jo,jo.Si të matesh,ashtu do të matin. Dhe,kurrë mos u ndjej veten“i huaj brenda vetes.” Njeriu “i madh” i shtron vetes detyra të mëdha me interest ë përgjithshëm,kurse njeriu “i vogël” kërkesa u shtron të tjerëve. Ta shërojmë shpirtin e plagosur të shqiptarit nga korrupsioni,gënjeshtrat dhe dezinformatat.Nuk është e mjaftueshme ajo porosia e vjetër “kush ka sy, le të shikojë, kush ka vesh “le të dëgjojë”. Është koha që secili – secila me punë ta verifikojë veten dhe të punojë për shtetin e Kosovës.

Askush nuk lind për rolin e ministrit,por kur arrin në atë pozitë,punën duhet kryer me nderë dhe aktivitetete të dobishme shoqërore.Të betohet,së pari, para vetes se do t’i ndihmojë Kosovës, se do të veprojë në kuadër të ligjit.Se do të realizojë premtimet e dhëna qytetarëve.

Misioni 

Esenca e misionit aktual të zhvillimit në Kosovë është kultivimi i marrëdhënieve të shëndosha demokratike,së pari, mes prijsve tonë dhe ruajtja e marrëdhënieve të shëndosha me botën,sidomos me ShBA,sipas standardeve të kohës,të mbështetura në traditën e mire,në risi,në përgjegjësi shoqërore me partnerët duke kryer me nderë detyrat sipas ligjeve në fuqi.

Ka raste kur njeriu ynë sot mendon se jetojmë në një kohë të çuditshme,absurde.Mendojmë se dime gjithçka,por praktika flet ndryshe. Harxhojmë kohën me gjëra sipërfaqësore e nuk u kushtojmë rëndësi,të vërtetave që vlejnë.Na pëlqen të përzihemi në jetën e tjetrit e nuk gjejmë kohë ta njohim veten. Ndodh, marrim frymë e nuk dime të jetojmë.Nuk pyesim përse e zura këtë vend të rëndësishëm pune si prijs.Duhet të mendojë secili se aty je ulur për të kryer një mision,për të lënë një gjurmë,për të treguar se duhet të jemi unik.Është për të ardhur keq kur ca prijs nga pozita të larta largohen nga vendi i punës pa bërë asgjë të dobishme.

Një urtak me përvojë porosit prijsin: ulu e bisedo me ndërgjegjen tënde, sa i ke realizuar premtimet e dhëna qytetarëve.Fol me shpirtin tend.Vepro drejt.Mos e mashtro veten. Largohu nga zenkat për hiçgjë,sepse ato janë produkt i inatit.Dëgjo hallet e të moshuarve që lëshojnë xixa pikëllimi.Mos krijo me dembeli damllamadhen.Si nuk ju vjen keq për të rinjt që kanë krye arsimim të lartë,si magjistra të punojnë punë me karro si hamall në pazar ose si taksista. Mos lejoni që populli të futet në perandorinë e skamjes.Shikoni,për çdo ditë hallet po rriten.Populli kërkon të uleni dhe, gju më gju, të bisedoni për hallet e jetës së tyre.Çdo njeri ka nevojë për këshilla të mira deri në fund të jetës.Fjalëve mos u shtini uthull e pelin.Mos mendoni vetëm si të pasuroheni …

Mos lejoni që vetëm ta mbushni xhepin,e ta varfëroni shpirtin.Interesat e mirëfillta shpirtërore janë kundër lakmive të pangopura të zuzarëve apo të ziliçarëve,katran me bojë..Për të qenë i suksesshëm në jetë s’duhet të përdorësh shtatë hile e një trimëri.Këto janë gënjeshtra me bisht.Për të qenë i suksesshëm duhet të futesh në gjyle topi me forcën e dijes,talentit dhe vetmohimit me duar të pastra.Të veprosh ndryshe shpejt të del kallaji.Gjella me shumë kripë e kripa pa karar janë të dëmshme.Kurrë, për çdo gjë,kur ke të drejtë, mos thuaj lepe e peqe .Të largohet zoti i gënjeshtrës,për të cilin drejtësia është shërbëtore.Prudoni:”Të mëdhenjtë na duken të tillë,sepse kemi rënë në gjunj.Atëherë le të ngritemi!”kundër mospunës dhe vklerësimit jo real.

Mendimi pozitiv dhe vetëdija e shëndoshë është minierë e arit brenda shpirtit.

Mosha dhe jeta janë mësuese të vërteta. E vërteta kocka s’ka,por thyen kocka.Mos të kapemi pas adeteve që u ka kaluar koha,sepse ato janë këmisha të hekurit.Përse vetëm ne shqiptarëve na bashkon zori e jeta në paqe na bën pikë e pesë!? E habitshme përse kaq shumë vrasje e vetvrasje në familjen shqiptare,që nuk njiheshin më pare. Çështjet të zgjidhen me true jo me hu! Me sherr e me grindje nuk ka bindje.

Ani kur është në pyetje ndërtimi i shteti, kërkon punë nat’e ditë,dije e djersë,durim e bashkim. Sot, më shumë se kurrë më parë,kërkohet që të mos lejohen dy gjëra që thyejnë shpirtin atdhedashës të njeriut të ndershëm: tradhtia e mikut dhe mëshira e armikut.

Diçka për unin e njeriut tonë

Uni është përemër vetor i gjinisë mashkullore dhe femërore,është thelbi i njeriut si individ,si qenie e të menduarit.A e njohim ne veten sa e si duhet? Përgjigjja është e njohur: ende“Jo”. Në Greqinë antike,në Tempullin e Apollonit në Delf,shkruan:”Njeri njihe vetveten”,kurse në anën e brendshme shkruan:”do ta njohësh botën dhe Zotin”.

Për fat të keq, në jetën tone të përditshme. këto mendime të arta kanë pësuar ndryshim,madje edhe degjenrim.Në vendse këto mendime të arta për jetën tone aktuale të shërbejnë si terapi e domosdoshme për shërimin e egoizmit ato as nuk mjihen as nuk përtërihen.

Është koha që secili të pyes veten: çfarë mund të bëj për Kosovën.Është koha të hiqet dorë nga mjegulla e vetvetes se pa mua nuk ka zgjidhje.Shumë çrregullime e sëmundje shoqërore kanë burimin në tensione mes karakterit të unit dhe shembujve të këqinj imponues nga ai.Njeriu fiton përshtypjen se, tek ne në Kosovë, në vend të fabrikave industriale,punon vetëm fabrika e urrejtjes. Deri kur kështu?

Njohja e vetvetes është e nevojshme si buka,që shërben për ta njohur dhe kuptuar tjetrin.Njeriu ynë sot më shumë është i prirur të njoh planetet dhe trupat qiellorë, teknologjinë dhe gjërat që janë jashtë tij sesa unin e vet duke mbetur skllav i botës dinamike,që nuk e lejon ta njohë veten.

Sipas një shikimi sipërfaqsor prijsi ynë në Kosovë më shumë e përdor përemrin “Unë” sesa përemrin“Ne”,duke harruar se është koha e punës ekipore.

Edhe tek ne ka ardhur koha e përdorimit të unit të hapur, sesa e unit të verbër,unit të fshehur dhe unit të pavetëdijshëm.

Uni i hapur, ngërthen në vete gjithçka që njeriu arrin të vlerësojë dhe të shpalos vlerat e vërteta. Kush arrin ta hapë këtë dritare fiton besimin e të tjerëve,arrin sukses.

Kosovës i duhet “uni” i hapur,i cili gjithmonë punon në interesin e KOSOVËS. Sepse njohja e të vërtetës ka rëndësi të madhe,i ndihmon të ndërtojë siguri në vetvete,të përballojë vështirësitë në jetë,ta kuptojë tjetrin,të ketë vetëbesimin pozitiv dhe real. Ta kuptojë se kush është ai dhe kush është “tjetri” . Dhe, kush jemi ne, në të vërtetë? Kryesorja është: ta kuptojë se “Uni” pa tjetrin, nuk ka kuptim,s’ka domethënie.

Nuk është i lumtur njeriu vetjak, që lakmon t’ia përshtas vetes botën imagjinare e jo botën reale. Njeriu duhet ta njohë veten,me të mirat dhe të ligat që ka. Secili duhet të jetë pjesëz e bashkësisë njerëzore,përmes kontaktit me të tjerët.Ta kuptojë ai,se pas ikjes së tij, shteti i Kosovës do të ekzistojë.Kushti më i mire për lumturinë e unit është të jetë vetvetja, në aspektin social, racional i civilizuar. Të kuptojë,kur është fjala për pasurinë,të ndjekë shembullin e Gëtes, kur thotë:”Unë kam për vete aq sa nuk më tepron gjë”.

Një “unë”që e konsideron veten mbi të gjithë,me trajtën e kultit të individit nuk preferohet më askund,sepse ai bën vetëm dëme. Një unë i tillë autoritar,nuk i duhet Kosovës. Një tipi të tillë uni, të inxhinjerisë shoqërore,si totalitar apo autoritari,mos të lejohet të ankorohet në Kosovë,sepse Kosovës i duhet sovraniteti i popullit e jo sovraniteti i individit.Nuk është koha e Luigjit XIV e “L’etat ce moi” (shteti jam unë).

Arti i të punuarit kërkonn nga “uni” ta di “si-në” dhde “pse-në”e çështjeve që kërkojnë zgjidhje fatlume.

Diçka për gjuhën e urrejtjes

Urrejtja është një ndjenjë e fortë armiqësie, për dikë a për diçka,për ta parë keq tjetrin,e cila mund të jetë e hapur,e pashuar,e papërmbajtur dhe e fshehtë.Njerëzit pyesin: Përse në Kosovë mungon kaq shumë dashuria e respekti për njëri-tjetrin? Kosova po vuam nga mungesa e kësaj dashurie.

Gjuha e urrejtjes, si burim ka mosdurimin dhe inatin, që acaron dhe ndot ambientin dhe kuvendimin,në përmasa të mëdha publike, sidomos, përmes medias që mund të shn dërrohet në trajtë helmuese e komunikimit,duke sharë,duke ofenduar,duke nënçmuar,duke sulmuar individin dhe argumentet e tij. E keqja e madhe është kur ajo përhapet në disa media si trajtë komunikimi e paredaktuar.

Kur njeriu analizon me kujdes sheh se në të shumtën e rasteve nuk flitet për gjërat thelbësore,por polemizohet, diskualifikohet individi ose grupi me ofendime deri në banalitet,për ndonjë cikrrrim.E nuk kuptohe se urrejtje nëse ke,as për vete nuk je.

Edhe pse ekziston ligji i cili ndalon të gjitha llojet e urrejtjes dhe sanksionon gjuhën e urrejtjes,duke synuar që kjo gjuhë mos të bëhet normë, për fat të keq, urrejtja shton tensionet që për zgjidhje përdoren edhe karriget.Tensione të tilla po ndodhi në debate televizive,në portale, kur dëgjon shumë shembuj të nënçmimit dhe urrejtjes ndaj rivalit të caktuar,me fjalë e shprehje të një zhargoni rrugaçor: nga cila anë e vendit ka ardhur personi që e sulmon,sa para ka,me kë bën dashuri,sa shtëpi ka, me kë shoqërohet… Ka raste edhe kur sulmohet privatësia e kundërshtarit edhe pse një sividim i tillë është kundërligjor,sepse sjell mossiguri në identitetin e tij.

Të gjitha këto që u thane kanë një të keqe të madhe:po krijohet,krahas gjuhës normale, gjuha paralele e urrejtjes,një si lloj kodi modern i Hamurabit,përmes të cilit këmbehet arsenali çoroditës i urrejtjes. Zgjidhja: të ndalet thashethemaja e dalldisur kundër atyre që mendojnë ndryshe.Çdo komunikim ndërmjet njerëzve, mbi temparaturën 37⁰c, sjell dëm të pariparueshëm, për të dy palët në konflikt.

Si ilaç kundër kësa tallovije gjuhësore është dialogu i mirëfilltë,krahas mendimit ndryshe.Natyrisht edhe duke zbatuar ligjin kundër këtij lloji të papranueshëm të komunikimi.S’ka fitore duke shkatërruar kundërshtarin,vetëm pse ka mendim ndryshe.

Duhet të përdoret gjuha e lejueshme legjitime nga secili. Nëse vazhdohet kështu gjendja do të vështirësohet.Kërkohet kontributi i secilit,së pari nga kreu i organit apo partisë që i prin personi.Nga komunikimi brutal s’ka dobi askush.Për fund një porosi e Volterit:”Toleranca është shkak i domosdoshëm sepse mund të gabojmë.Duhet ta kemi të qartë, kemi nevojë për njëri-tjetrin,për t’i përmirësuar gabimet.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat