​Përmbyllet Flaka e Janarit

Kultura

​Përmbyllet Flaka e Janarit

Më: 31 janar 2021 Në ora: 21:24
Flaka e Janarit

Manifestimi “Flaka e Janarit” sivjet ka sjellë vlerat më të mira në të gjitha shtyllat si trashëgimi kulturore e shpirtërore e cila është e përfshirë në listën kombëtare të Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në natën përmbyllëse të festivalit i cili këtë vit iu kushtua heroit të kombit Kadri Zekës.

Haziri ka theksuar se Gjilani e Anamorava do t’i respektojë të gjithë ata që kontribuuan për shtetin e Kosovës.

“Kadri Zeka do të kthehet në vendlindje në Gjilan në bronz, në qershor të këtij viti në Ditët e Çlirimit dhe ditët e bardha të lirisë. Ai mbetet figurë e ndriçuar e historisë”, është shprehur Haziri.

“Flaka e Janarit” në mënyrën më sublime ka nderuar dëshmorët për sakrificën e tyre nëpërmjet vlerave kulturore, duke dëshmuar se Gjilani dhe “Flaka e Janarit” janë qendër kulturore e shqiptarëve në këtë muaj dhe se ky qytet identifikohet pikërisht me këtë manifestim.

“Fest Flaka” ku janë prezantuar këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, nuk ka pasur karakter garues. Fillimisht para publikut është paraqitur Mirvete Bajrami – Haziri, që ishte fituesja e parë e “Fest Flakës” me këngën “Monolog i nënave të vëllezërve Gervalla dhe të Kadri Zekës”. Më pas u paraqit Sokol Latifi me këngën “Zëri i atdheut” që ishte kënga fituese e vitit 2019, derisa këndoi edhe Lumturije Shabani – “Mashallah bukurisë sate”, fituese e vitit të kaluar.

Aurela Krasniqi, që ishte fituese e Festivalit “Kosovarja këndon” u paraqit me këngën “Pranvera filloi me ardhë”, Shkurte Fejza këndoi hitin e saj “Mora fjalë”, Ashik Miftari u paraqit me këngën “T’u iu ngjit Bunës përpjetë”.

Orkestra Profesioniste e Gjilanit ishte nën dirigjimin e Florentina Rushitit dhe me orkestrimin e Burhan Azizit, kurse më pas pasoi me këngën e Arijanit Hoxhës – “Qu dëshirush me të pa ty”, Majlinda Cikaqi – “Kuq e zi”, Muhamet Sejdiu – “Këngë e rrallë”.

Në grupin punues të “Fest Flaka” ishin Murat Ismajli, Bekim Rexhepaj e Nehat Ferati, skenografia Bekim Korça, DJ Albani me zërim e ndriçim, Besim Baftiu, mjeshtër toni, gardëroba Menakon dhe grimi Studio Tringa Pajaziti.

Më pas u paraqitën Liridon Sadriu – “Po i vjen era kajranfilit”, Elona Sadiku – “S’pata fat të jem me ty”, Shkëlzen Jetishi – Xeni – “Dhe Parisin me ma fal, me Gjakovën nuk e ndërroj”, Lumturie Shabani – “Gandi i Ballkanit” dhe Grupi i Këngëtarëve të AKV Gjilani – “Moj Shqipëri djep i lirisë”. Këngët ishin të orkestruara nga Burhan Azizi.

Me mirënjohje post-mortum janë nderuar Selaman Vokshi dhe Xhevat Ismajli. Me mirënjohje u nderuan edhe këngëtarët, disa nga akterët që kontribuuan në rritën e “Fest Flaka”. Mirënjohje të veçantë mori Izet Kallaba, i cili pati një dedikim për “Fest Flakën” nga SHBA. Organizatori ka nderuar me mirënjohje edhe Shkollën e Muzikës – Gjilan dhe AKV Gjilanin, të cilat i pranuan Kushtrim Jakupi, drejtor dhe Nehat Ferati, udhëheqës i AKV Gjilani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat