Shkrimtari…

Kultura

Shkrimtari…

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 14:34
Karl May

Nga: Daut Dauti

Karl May (1842-1912) është mbase shkrimtari më i lexuar gjerman. Është autor i disa dhjetëra romaneve (me siguri më shumë se 40 sosh) që janë shitur më shumë se 200 milionë ekzemplarë. Është krijuesi i dy kryeheronjtëve të Perëndimit të Egër – Winnetou dhe Old Shatterhandit. Këto dy personalitete janë aq shumë të popullarizuara sa që mendohet se vetëm Harry Potter mund t’ua kaloj.

Karl May është autor i një varg librave tjera udhëpërshkruese, përfshirë ‘Durch das Land der Skipetaren’ (Nëpër tokat e shqiptarëve).

Me librat e tija, May e ka imponuar pamjen e vendeve dhe njerëzve që i ka përshkruar dhe në një masë të madhe ato janë marrë si ekzistuese. Krijimi i imazheve të tija ka qenë i fuqishëm. Tashti njeriu mund të mendoj që May ka kryer edhe universitet. Në fakt ai nuk ka shkuar në shkollë më shumë se ajo që sot do të konsiderohej fillore.

Problemi me këtë shkrimtar qëndron edhe në faktin se ai kurrë nuk i ka vizituar vendet për të cilat ka shkruar. Në rininë e tij ka qenë një delikuent recidivë dhe shumicën e kohës e ka kaluar në burg për shkak të vjedhjeve, plaçkitjeve dhe mashtrimeve. Gjatë burgimit, nga viti 1870 deri më 1874, ai ka patur fat të qëndroj në një burg që kishte bibliotekë të pasur. Aty i lexoi shumicën e librave dhe i lindi ideja që të bëhej shkrimtar.

Dhe, kështu, nga burgu në burg, lexonte dhe shkruante libra. Kur dilte nga burgu dhe kur e pyesnin njerëzit se ku kishte humbur për kohën që nuk e kishin parë, ai thoshte se e kishte vizituar filan vendin dhe se e ka librin të gatshëm për botim. Dhe, kështu May u bë shkrimtari më i lexuar gjerman e ndoshta edhe botëror pasi që librat e tija janë të përkthyera në 40 gjuhë.

Duhet theksuar se May ka qenë edhe shkrimtari i preferuar i Hitlerit, i cili e lexonte me admirim. Atë njësoj e kanë admiruar edhe shkrimtarët e mëdhenj gjerman siç kanë qenë Hermann Hesse, Hans Fallada, Bertha von Suttner, Heinrich Böll, etj.

Pra, kurrë nuk i dihet se si mund të bëheni shkrimtar. Madje edhe i famshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat