Prozё finalizimesh tronditёse dhe mesazhesh tё fuqishme

Kultura

Prozё finalizimesh tronditёse dhe mesazhesh tё fuqishme

Nga: Migana Arllati Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 14:38
Migana Arllati

Teksa merrja nё duar dorёshkrimin me tregime tё autorit Muharrem Blakaj, paraprakisht kisha pёrshtypjen se do tё lexoja shkrime tёrheqёse, pasi vetё emri i Blakajt tashmё ёshtё njё emёr i konfirmuar qartё mes vlerave tё prozёs sё re shqipe. Parandjenja ime i tejkaloi pritshmёritё pasi hyra brenda nё lexim dhe kuptoja se pavetёdijshёm, fletё pas flete, tregim pas tregimi, „mbyllesha“brenda njё bote rrёfimesh tё cilat mё bёnё tё mbisundohesha nga emocioni. Ky pra, emocioni, ёshtё ndjesia primare dhe fundoreqё merr fund e krye gjatё leximit tё fletёve tё kёtij libri; ndёrsa pasi ke pёrmbyllur leximin nё secilin tregim, kupton diҫka tjetёr, kupton se ai emocion tashmё tё ёshtё ngjitur pas mendjes dhe ёshtё kthyer nё shqetёsim ose gёzim, nё trembje ose entuziazёm, varёsisht nga ngjarja.

Bashkuar tok me mesazhin e fuqishёm qё vjen spontanisht dhe pa u ndjerё deri te lexuesi, kёto tё dyja, emocion dhe mesazh kthehen nё njё binom tё pandashёm qё tё pёrcjell nё secilin tregim veҫ e veҫ, e nё gjithё veprёn nё tёrёsi. Tregimet janё tё shkurtёra, ato lexohen me njё frymё, por ajo qё zgjat pambarimisht ёshtё pёrshtypja qё tё lё ndodhia e rrёfyer, ngjarja e thurur herё spontanisht e herё qёllimisht, emocioni i rrallё, qё tё shumtёn e rasteve ёshtё emocion shkundёs, pёr tё mos thёnё tronditёs.

Gjuha e thjeshtё, me pak pёrshkrime, me dialogje tё shkurtёra por tejet shprehёse, e bёjnё lexuesin tё ndodhet menjёherё brenda ngjarjes e cila nё fakt ёshtё nё zhvillim e sipёr. Ajo pra, ngjarja, nuk fillon aty. Ajo ka kohё qё ka nisur. Nё momentin rrёfyes autori shpalos zhvillimin kulmor tё saj, pra kohёn kur mendimi kthehet nё veprim, kur fjala ёshtё kthyer nё vepёr, kur lёvizja sjell pasojёn, kur gjithҫka arrin nё kulminacion dhe fijet e veprimit janё pozicionuar drejt finalizimit. Pёr kёtё arsye, emocioni vjen i rёndё pasi autori nuk merret me pёrshkrime e shtjellime. Ai e lё ngjarjen tё ngarendё drejt fundit duke thёnё fjalёn pёrfundimtare nё mёnyrё tё shpejtё, pse jo edhe befasuese. Ndonjёherё mbylljet vijnё shokuese, si te: „Mirusha e Beqirit“, „Loja e shahut“, „Pusi i Hilё Bujupit“ etj.

Tregimtari bёn qё ngjarja t’i gjejё personazhet nё veprim, intensiteti i tё cilit pёrshkallёzohet aq fort saqё as vetё ai si autor nuk merr pёrsipёr ta trajtojё, por e finalizon me vetёm pak rreshta, ose ndonjёherё me vetёm njё frazё ose fjali. Kjo bёn qё pesha e fjalёs tё jetё e rёndё dhe tё peshojё fort nё ҫdo frymёmarrje. Veprimi final, edhe pse parandjehet lehtё nё secilin hap tё personazheve, shpaloset nё pёrmasёn e sё papriturёs. Shumё prej tregimeve pёrmbyllen me „vulёn“e vdekjes. Ajo, vdekja, vjen si zgjidhje finale edhe atёhere kur do tё mund tё kishte edhe ndonjё alternativё tjetёr. Personazhi fatkeq me tё cilin vdekja „luan“duke dalё fituese nga ajo lojё, nuk e ka as moshёn dhe asqёllimin pёr t’u larguar nga kjo jetё, por situata zhvillohet e tillё sa tё jepet pёrshtypja qё nё secilin hap tё hedhur, ai, personazhi fatkeq, gjithnjё e mё shumё lёviz me hapat e tij drejt mortit.

Vjen tepёr realist rrёfimi gati legjendё „Vorri i nuses“, nё tё cilin dimensioni vdekje vazhdon tё trondisё jetёt e tё gjallёve edhe pas shumё kohёsh. Nё respekt tё humbjes sё jetёs sё nuses sё re, njerёzit kujdesen qё askush tё mos e prishё qetёsinё pёrreth vorrit tё saj. Kjo nuk ёshtё njё sjellje e rastёsishme. Kjo ёshtё njё vlerё tradicionale e shoqёrisё shqiptare, bazuar nё ligjet e pashkruara, ku respektohet rinia, bukuria dhe dashuria e tё ndjerit, nё kёtё rast nuses, qё ka shkuar nga kjo botё si pasojё e njё ndodhie aksidentale tё papritur, e cila nё mentalitetin vendas transformohet duke marrё trajtё mistike. Pa ndryshuar gjuhё dhe stil, autori trajton edhe ngjarjet me temё patriotike. Pёr tё si shqiptar, si bir i njё populli tё shumёvuajtur nga pushtuesi perandorak dhe mё vonё nga pushtuesi fqinj,nuk ka vlerё mё tё madhe sesa ruajtja e identitetit, sesa ҫmimi i lirisё. Ndaj vijnё mё se tё natyrshme tregimet: „Ishte vonё“, „Mbajeni mend!“, „Sa tё paskan hije!“, „Karvani“, „Ninulla e lirisё“, „Gracka“, „Mёndesha“etj.

Rrёfimi nё kёto tregime pёrveҫ tё tjerash ka edhe njё tjetёr vlerё: atё tё mbamendjes kolektive pёr vuajtjet e gjata shekullore shkaktuar njё populli tё vogёl si populli shqiptar. Ndaj porosia morale vjen si kushtrim pёr mos’harresё, si njё amanet i gjallё lёnё gjeneratave tё reja pёr tё mos harruar historinё. Sigurisht se autori ёshtё njё njohёs i mirё i mentalitetit, i historisё sё vjetёr dhe zhvillimeve tё reja nё trevat shqipfolёse. Nё veshёt e tij ushton vazhdimisht porosia e lashtё rapsodike: „Armiku i vjetёr nuk tё bahet kurrё mik! Edhe nё t’u baftё, nuk ka me qenё kurrё i drejtё“. Ndaj, me anё tё pak rrёfimeve thotё shumё rreth gjithё asaj katrahure qё kanё pёrjetuar nё shekuj shqiptarёt, tё cilёt sot edhe pse tё lirё, kanosen nga demagogji fundamentale tё mjediseve dhe mentaliteteve qё s’kanё tё bёjnё asgjё me popullin tonё. Tё tillё vijnё mesazhet te: „Mёndesha“, „Dialog me Allahun“, „Burka e malёsores“, „Pёrralla“.

Nё kёto tregime, autori i jep personazheve zёrin e tij, duke mos i lёnё ata tё bien pre e ndikimit tё erёrave anadollake, arabe etj. Aq mё tepёr pse jeton larg vendlindjes, ai i ndjen me shumё shqetёsim tema tё tilla, dhe nёpёrmjet artit tё tё shkruarittenton tё thotё shumё mё shumё se ҫ’mund tё thotё me zёrin e njё personi tё zakonshёm. Por largёsia lind edhe probleme tё tjera, herё -herё tё papranueshme nga uni. „Ika i ri“, rrёfim i bazuar tёrёsisht nё ndjenjёn subjektive tё mёrgimtarit i cili pavarёsisht se gjithё jetёn mbetet me njё sy e vesh nga vendlindja, vjen njё moment kur pёr ironi tё fatit kupton se atje, nё vendin e tij tё lindjes, nё vendin mё tё dashur nё botё, tё tjerёt e konsiderojnё tё huaj. Shpirti i tij vazhdimisht i parehatuar nё dhétё huaj, tashmё pёson goditjen pёr tё cilёn ёshtё i papёrgatitur dhe ndaj sё cilёs ndjehet i pafuqishёm tё veprojё.

Paradoksi bёn vend nё kohё dhe hapёsirё. Autori Blakaj posedon mjeshtёrinё e thurjes sё rrёfenjёs nё kuadёr tё njё brendie relativisht tё shkurtёr, mjeshtёri e fuqizuar me elemente tё forta emocionale tё cilat tё mbajnё pezull gjatё rrёfimit dhe shpёrthejnё fort krejt nё fund. Pikёrisht ky ёshtё ҫelёsi i gjetjes autoriale. Duke na vёnё para njё rrёfimi, nё mёnyrё tё shpejtё ai fillon ngjarjen, zhvillon skenёn, hap intrigёn, sjell tё papriturёn, dhe sё fundmi e pёrmbyll atё me njё shpejtёsi tё rrufeshme, me njё hap vulosёs, me njё veprim pa kthim. Personazhet e Blakajt janё tё destinuar tё mos jenё tё lumtur. Ata bien pre e njё fatkeqёsie tё papritur, bien pre e mentalitetit tё prapambetur mesjetar, bien pre e tradhёtisё sё fshehur ose armiqёsisё sё hapur tё pushtuesit, bien pre e mendjes sё tyre „tё mbyllur“.

Autori i flijon personazhet kryesorё me tё vetmin qёllim, qё nёpёrmjet dhimbjes pёr fatin e tyre tё triumfojё mesazhi pёr veprime tё mbara e tё drejta, pёr vendime logjike dhe tё argumentueshme, pёr aspirata pozitiviste nё ҫfarёdo lloj kohёrash e pushtetesh. Mesazhet qё pёrҫon ai, asnjёherё nuk vijnё si qёllime personale por i takojnё njё shoqёrie tё tёrё para sё cilёs autori nuk moralizon, nuk stёrhollon, por lё pёrvojёn jetёsore tё rrёfejё mё njё qartёsi tё kulluar. Ndaj dhe kёto tregime aq tё ndjeshme e tё bukura, pasionante dhe tё dhimbshme njёkohёsisht, marrin një vlerë të posaçme.

BURIME BIOBIBLIOGRAFIKE

Muharrem Blakaj (06.01.1959) u lind në fshatin Vrellë, komuna e Istogut (Republika e Kosovës). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, në Istog. Pas regjistrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, krahas studimeve, vazhdon aktivitetet patriotike e kombëtare të filluara qysh në vitet e para të shkollës së mesme, në bashkëpunim me grupin ilegal që udhëhiqej nga Jusuf Gërvalla. Më 14 dhjetor të vitit 1979 arrestohet nga milicia jugosllave duke e ndaluar në Burgun Hetues të Qarkut në Pejë. Pas atentatit kundër Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, më 17 janar 1982 afër Shtutgartit në Gjermani, reprezaljet kundër Muharremit dhe familjes së tij shtohen në mënyrë radikale. Arrestime sporadike, lëçitje dhe biseda informative, jo vetëm që bëhen përditshmëri, por, kishin ndikuar në rrënimin e ekonomisë familjare duke e sjellë në buzë të ekzistencës. Këto reprezalje kulmojnë më 3 nëntor të vitit 1986, kur fillon një ofensivë fatale më arrestime dhe biseda informative në mbarë familjen. Epilogu ishte i rëndë. Xhemajlin, vëllain më të ri (26 vjeçar) e mbysin me tortura në burgun e Qarkut në Pejë. Nën mbrojtjen e avokatit Bajram Kelmendi, në maj të vitit 1987, në mungesë provash, Gjykata e Qarkut në Pejë e liron nga burgu, por, në shtator të njëjtit vit, me armë zjarri e sulmon agjenti i Sigurimit të Shtetit, Tomisllav Baboviq, të cilin kohë më vonë e plagosë për vdekje Naser Shatri. Në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshojë Kosovën. I përndjekur nga reprezalje politike, emigron në Zvicër. Gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij, si provë materiale, policia ia konfiskon dorëshkrimet: „Monolog i një komiti“ (tregime), dhe dy novela; „Balta me gjak“ dhe „Besa“, të cilat nuk ia kthejnë asnjëherë.

Veprat letrare e artistike të botuara deri me tani janë:

1. „Misioni sekret“ - roman, Shtëpia Botuese „Rozafa“, Prishtinë 2004.

2. „Thesaret e humbura“, roman, Shtëpia Botuese SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2005.

3. „Atentat brenda germës L“, roman, Shtëpia Botuese „KOMBI“ (IKDFK), Prishtinë 2007.

4. „Paraardhësit“ (botimi i parë) roman, Shtëpia Botuese SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2009, (botimi i dytë), Shtëpia Botuese „ROZAFA“ Prishtinë, 2018.

5. „Rugëtim Fatal“, monografi, Shtëpia Botuese „Dukagjini“ Pejë, 2012

6. „Nana Kadë“, film dokumentar – Pejë 2018.

7. „Mëndesha“ tregime, Shtëpia Botuese „LENA“ Prishtinë 2018.

8. „Vitet e brishta“ Shtëpia Botuese „ROZAFA“ Prishtinë, 2021.

9. ”Bukuria e bukurive”, koautor me poeteshën rumune Mariana Grigore, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2021.

Krijimtaria e tij letrare u vlerësua me disa mirënjohje e çmime letrare nga:

„Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër“, „Lidhja e Krijueseve Shqiptarë në Mërgatë“, Klubi Letrar „Martin Camaj“ në Mynih, Shtëpia e Kulturës „Koço Racin“ në Shkup, nga „Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë“ ju nda çmimi: „Ramiz Kelmendi“, Tregimet e vitit 2018, dhe Titulli i Lartë Pegasian: „Shkrimtar i vitit 1019“ që ju dha në Gjirokastër në shtëpinë muze të shkrimtarit të përmasave botërore Ismail Kadare. Muharrem Blakaj, është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

MËNDESHA

Hapat e rëndë të kalorësve dhe hingëllimat e kuajve më zgjuan nga gjumi. U vesha me ngut. Me vrap zbrita shkallët e kalasë. Në sallonin e pritjes ishte tollovi. Dallova disa priftërinj, me këmishët e lutjeve, të shtrënguara në bel me rripat e gjerë dhe me kryqe të varur në qafë. Pranë tyre, murgjit e orakullit të Kalasë, të veshur me guna zhguni të murrmë, thërrisnin me zë të lartë duke parashikuar ardhmërinë. Ç’po ndodh kështu? Ç’janë gjithë këta priftërinj? Kë po e përhirojnë? Në shkallën e parë të fronit, pashë tim gjysh. Ishte i kthyer drejt ushtarëve dhe fliste diçka. Kishte veshur këmishën e kollarisur e të zbukuruar me dantellë. Mbi supe kishte hedhur gabardinën festive. Në dorën e majtë mbante mallotën e rëndë prej shajaku, kurse në dorën e djathtë, shpatën e madhe të betejave. Derisa po kaloja pranë altarit të bazilikës së moçme dhe po dëgjoja këmborët e kishave me tingujt e rënduar të kushtrimit, pashë disa oficerë që e përhironin Zonjën Hyjnore, që thuhej se dikur motit, kishte ardhur në trojet tona, andej nga Deti Jon. Kur po kaloja pranë kishës, pashë tim zot që po bekohej para kryqit, derisa priftërinjtë po e përhironin hirësinë e tij.

Ndërkohë, u hapën portat e rënda të kalasë. Nën tingujt e borive, pashë tim gjysh të printe kaluar, i rrethuar nga priftërinj, murgj e oficerë dhe i përcjellë nga ushtëtarë, shigjetarë, shpatarë e kalorës që dolën nga kalaja. Im atë, me pjesën tjetër të ushtrisë, u ngjitën në bedena për ta mbrojtur kalanë nga sulmet e tmerrshme të Sulltanit ezhdërha. Lajmëtarët arritën në bodrumet e kalasë. Ishin të sfilitur, të rreckosur, të pluhurosur e të plagosur. – Kalaja ra - thanë me pezm. Dolëm jashtë. Pashë ushtrinë armike të rrethuar nga një turmë ekzotike. Në ballë ishte prijësi i tyre. Tundej e përkundej lehtë mbi kalin e mbuluar me gunë saftjani, të stolisur me sumbulla tunxhi, rruaza qelibari e flokëse ngjyra - ngjyra. Kokën e kishte të mbështjellë me turban të stolisur me një xhufkë të kuqe e thekore në majë. Mbi shpatulla kishte hedhur një kaftan ngjyrë argjendi të qëndisur me finesë e me sumbulla fildishi, që i lëshohej lehtë mbi shallvaret bojëgjak. Në shokë i dalloheshin armët e brezit të praruara në filigran dhe të derdhura në ar. Përkrah tij vinin orta jeniçerësh, kalorës, myftinj e shehlerë të rrethuar nga oficerë të lartë, oborrtarë, shërbëtorë eunuk, çuna dylberë e hyri. Më tutje, si të dehur vinin dervishë e fakirë brekëgrisur me këngë e orgji.

Në gjalmat e shtrënguara rreth brezit iu vareshin thika, biza, gjilpëra, çanakë e lugë druri. Rreth e qark kalasë, me shpejtësi të rrufeshme, jeniçerët sllavë i vunë nën vargonj, nën zinxhirë e pranga, pleq, burra e djem. Ata që rezistuan, i vranë. Të grumbulluar në sheshin e kalasë, në emër të Allahut, ndanë plaçkën dhe robëreshat e luftës. Jashtë mureve të kalasë, me zjarr e hekur shkatërruan fshatrat, dogjën kasollet, shtëpitë, kullat e arat me grurë... Në fund u grumbulluan të gjithë te froni i kalasë, derisa ne na mbanin të lidhur me vargonj. Në gjithë kalanë mbretëroi qetësia. Rreth e qark, hordhitë osmane u përulën përtokë duke u kthyer nga poltrona ku ishte kapardisur Sulltani Padishah. Pranë tij, e heshtur qëndronte një grua beronjë, fytyrëpushe, sybuçe e hithëthzezë. Dukej e stolisur me naze, ojna e ëndrra. Flitej se ishte mëndeshë, që me qumështin e saj do t’i qetësonte kokat e turbulluara kaurre.

Fillimi i mehtermarshit nuk më la të çuditesha nga kjo e padëgjuar. Në arenë u panë disa vasha, të lidhura dora - dorës me njëra - tjetrën, që në pamje të parë dukeshin si vejusha ezmere që lulëzonin në kopshtin harem të Sulltanit. Ashtu të lehta si flutura, marshuan me vallen e tyre rituale duke e shoqëruar me këngë e lëvizje erotike. E para, hidhej e përdridhej duke tundur gjoksin e stolisur me rruaza, sedefe e perishane dhe herë pas here, me shikimin drejt qiellit dhe me gishtin tregues lart thërriste: Allah - Allah! Pastaj ulte gishtin tregues drejt Sulltanit duke vazhduar ritmin e thirrjeve: Padishah - Padishah! Pasonin thirrje në kor nga të gjithë sa ishin, ushtarë, oficerë, hoxhallarë, shehlerë, dervishë, dylberë e hyri.

Duke hedhur hapat e valles, e para u largua tutje duke zënë vendin e saj valltarja e dytë. Me kokën e zbukuruar me bilan dhe fytyrën e mbuluar me rizë të zezë, hidhej krahëhapur duke thurur gazele: Ha - ne - Hanefi, Allah - Allah, Padishah - Padishah. Gazelet e saj u pasuan nga turma. Valltarja e tretë përcolli hapin e valltares së dytë duke tundur barkun e stolisur me armaç ari e duke klithur me zë melodik: ma - li - Maliki, Allah - Allah, Padishah - Padishah. E katërta, me duart lart e me hap të matur, e përdridhte belin e mbuluar me një pelerinë të hollë dhe gjistolisur me dantelle ngjyra - ngjyra, duke drejtuar shikimin drejt qiellit dhe duke thurur melodi harmonike: sha - fi, sha - fi, Allah - Allah, Padishah - Padishah. Dhe e pesta, me flokë të stolisura me fjongo e kordele, hidhej e përdridhej duke i luajtur vithet gjysmë të zbuluara nën petkun e hollë të shallvareve dhe duke kënduar vajtueshëm: ha – mbe – hambeli, Allah - Allah, Padishah - Padishah.

Porsa u krijua përshtypja se vallja e shfrenuar e tyre kishte përfunduar, nën tingujt e mehterhanës, në arenë, u panë dervishë e fakirë shallvaregrisur, me gozhup dhie të hedhur pa stil mbi kraharor dhe me fytyra të zbehta e sy gjysmë të fjetur nga dehja, që herë kërruseshin mbi gjunjë e herë ngriheshin në këmbë duke thirrur me zë të lartë: Allah - Allah - Allah, Hai, Hubal - Hubal - Hubal, Hai..., dhe me biza, gjilpëra e hanxharë shponin barqet, buzët e faqet. Sulltani Padishah, ngriti dorën lart. E gjithë turma pushoi. Vendin e mbuloi një qetësi e thellë si vdekja. Me vrap po vinin disa jeniçerë duke tërhequr zvarrë një njeri, i cili tundej e shkundej si të ishte brenda shkërdhecit.

Herë pas here e shanin në gjuhën e tyre të pakuptimtë: jyrymy, jyrymy... shejtan, lanet, pis milet! Sa nuk më lëshuan këmbët kur pashë se në duart e tyre të pamëshirshme ishte im zot. Nuk e duroja dot ta shikoja krenarinë e tij të nëpërkëmbur e të gjunjëzuar dhunshëm nga hordhitë osmane. Brofa në këmbë dhe bëra të sulesha drejt tij për t’i ardhur në ndihmë, por hovin ma ndaluan vargonjtë... Isha i lidhur. Ashtu kruspull, e hodhën para Sulltanit. Përbri, iu afrua mëndesha. I thekshëm u dëgjua zëri i myezinit. Njëri nga shehlerët iu afrua pranë. Pasi ia hoqi plisin e bardhë duke e hedhur me përbuzje mbi tokën e zhyer, në kokë ia vuri çallmën e madhe osmane, duke i thënë: – Thuaj: La ilaheil Allah. Kërrusu mbi gju andej nga Meka dhe... – Merre! - urdhëroi Sulltani, duke e shtyrë mëndeshën drejt tij. – Jo, nuk e dua... E kam timen... Nuk e marr kurrë! - ia ktheu im zot.

Sulltani dha urdhër ta torturonin. Një turmë e leckosur dervishësh iu sulën sipër duke e goditur me gurë, shkopinj e kamxhikë. Derisa po zgjaste tortura, ushtarët sollën robërit e luftës... pleq, plaka, gra, nuse, çuna, vasha e foshnje. I rreshtuan pranë tim zoti. – Merre! - urdhëroi Sulltani, duke shikuar me përçmim herë atë e herë të robëruarit. Im zot, i sfilitur nga tortura barbare, i çnderuar dhe i çburrëruar, hodhi vështrimin andej nga populli i tij i gjunjëzuar para xhelatëve shpatëzhveshur.

Heshti. – Merre se përndryshe, gjithë popullin tuaj do ta vras... Ata që do të shpëtojnë do t’i degdis në shkretëtirat e Anadollit, kurse vendin tuaj do t’ia dhuroj popullit të lartësuar të Allahut dhe jeniçerëve të uritur sllavë - tha Sulltani Padishah duke kthyer dorën e djathtë drejt hordhive të tij, të cilët brohoritën të entuziazmuar duke thirrur me sa fuqi kishin: Allah - Allah, Padishah - Padishah... Kurse të robëruarit, me sy të përlotur shikonin tim zot të lidhur, të poshtëruar, të rraskapitur... Ata e donin jetën, tokën, dheun e trojet e tyre. Derisa im zot, po shikonte andej nga fushnaja e robërisë, nga goja iu shkëput një psherëtimë. Ishte ahti i nënshtrimit. Me zë të përvajshëm e plot ngashërim, bërbëliti: – O populli im...! Duhet ta doni atdheun edhe kur është i nëpërkëmbur, i çnderuar, i dhunuar dhe i përbuzur nga hordhitë e huaja gjakatare... Për ju e për atdheun tim, sot, në këmbim të jetës tuaj, në këmbim të mbijetesës tuaj, po e pranoj mëndeshën që e solli me vete Sulltani ezhdërha... Pranojeni edhe ju, në këmbim të zotërimit të trojeve tuaja, por... kurrë mos e harroni dhe dashurojeni me përgjëratë, në jetë të jetëve, nënën tonë hyjnore...

Ndërkohë mëndesha e zemëruar e shtrëngoi fort nga supi. Im zot heshti. – Të lumtë biri im! Kështu të dua: të zbutur, të gjunjëzuar, të përulur... - tha Sulltani dhe e lëvizi dorën drejt shehlerëve. Kryeshehu, u përul me nderime para këmbëve të Sulltanit. Pasi mori urdhrin, duke ecur prapthi u ngrit ngadalë më këmbë. Disa herë, me lëvizje dore nga gjoksi, para fytyrës e deri në ballë, bëri temena para madhërisë së tij. Me një qëndrim zotërues, iu dha urdhër dervishëve të fillonin ceremoninë e gjunjëzimit të miletit të pistë, kurse vet me zë të çjerrë tha: – O pis milet! Pas gjunjëzimit tuaj para Sulltanit, dritës së Allahut në tokë, për pastrimin e shpirtrave tuaj të mbushur haram, lartmadhëria e Tij, për ju zgjodhi letargjinë dhe vecithali-në islame. Flini të qetë dhe ëndërrojeni të mirën, të bukurën, të dashurën... lirinë. Ne, për ju do rrimë zgjuar. Do ndërtojmë saraje gjumi, pallate vegimi, kulla shajnish e faltore ëndrrash. Zëri i myezinit, pesë herë në ditë, si aromë hashashi, do t’i dehë zemrat tuaja gjynahqare, do t’ua qetësojë shpirtrat tuaj të pështirë dhe do t’ua shërojë mendjen tuaj të krisur. Çallmat islame, nga sot i bartshi me shëndet, do t’ua shpëlajnë trurin tuaj kaur dhe do t’ua zbusin kryeneçësinë tuaj arnaute, duke ju kthyer në vathën e besimtarëve islamë.

Derisa kryeshehu po fliste, në luzmën e robërisë u pa të futej mëndesha ezmere e përcjellë nga im zot, hoxhallarë e dervishë. Ata ecnin ngadalë duke kënduar me shestim sure nga kurani dhe ilahi dervishësh që përhapnin anë e kënd fushës së robërisë shafranin e gjumit. Mëndesha, me hapin e saj të matur, iu afrua një grupi robërish shpresëhumbur. Filloi t’u jepte qumësht nga gjiri i saj zhangël. Rreth tyre u mblodhën imamë, shehlerë e dervishë duke kënduar sure e ilahi dehëse. Robërit filluan të dremisnin sikur të ishin në djepat e rritës e jo nën prangat e robërisë. Tundjet dhe lëkundjet, me tamtam, britma e ulërima të dervishëve, dukej se iu vinin si ninullat e gjysheve atje pranë ngrohtësisë së zjarrit në oxhakun e kasolleve e kullave të tyre. Derisa përkundeshin si në flatrat e ëndrrave, njëri prej shpresëhumburve ngriti pak kokën dhe filloi të fliste jerm duke përsëritur ezanin e myezinit. Pas tij, gjysmëfjetur e gjysmëzgjuar, tundej e lëkundej një flokëperçe duke imituar dervishët, kurse një tjetër, me sy gjysmë të mbyllur e me zë të çjerrë, i ftonte të tjerët ta ndiqnin pas në farsën e tij gjysmëhënore. Ndërsa mëndesha, nën përcjelljen e lodrave dhe orgjisë, kishte ngelur e rrethuar nga disa robër kryengritës, të cilët nuk i bindeshin vullnetit të saj. Nga krahu lindor i fushës së robërisë u panë kalorës spahinj që shkonin trangelang drejt tyre. Nga krahu verilindor prej majave të thepisura rrungajë po zbrisnin rrëpirave zallore çetat e jeniçerëve të prirë nga vojvodët e Kraleviq Markut.

Në ndërkohë, luzma kryengritëse u gjend e rrethuar nga të katër anët. Me egërsi të shfrenuar rrethuesit filluan të godasin kryengritësit me vare, xhore e topuzë mbi kokat e tyre përçore. Të trullosur, pas vigmave tmerruese, rrotulloheshin në anën tjetër dhe nën zukatjen e njëtrajtshme të myezinëve dhe jahu - ve të dervishëve, treteshin si në botën e fluturave, luleve dhe ëndrrave të gjumit të madh hyjnor. Acari pushtues me erë, borë e ngrica, sa vinte e shtohej. Nata e zezë, e ardhur andej nga lindja, me batanijen e saj të rëndë e të katranosur, kishte mbuluar mbarë fushën e robërisë. Herë - herë, si një prushanë yjesh, deri te perdja e zezë në kufijtë perëndimor të fushës së robërisë, vëreheshin zjarre. Ashtu siç ndizeshin ngadalë dhe merrnin hovin e parë të dritës hyjnore, ashtu edhe zhdukeshin njëri pas tjetrit duke u thërrmuar në errësirën e pafund të natës anadollake. Pa ndërprerë, nga fusha e errët e robërisë, dëgjoja thirrje kushtrimi, lutje priftërinjsh, përsiatje fëmijësh, mallkime nënash, vringëllima vargonjsh, jermi farsash, trokëllima kuajsh, vërvitje shpatash, hapa çizmesh... Të gjitha së bashku me vinin si ngjirje drithëruese të dala nga skëterra... Dhe ashtu, lehtë - lehtë, i mbulonte si me plaf zëri i çjerrë i myezinit. Vetëm ashku i ngrohtë i tokës mëmë, i mbronte të robëruarit nga shtrëngata, shiu dhe era që vërshëllente pa pushim mbi kokat e tyre të fjetura dhe trupat e tyre të rrëgjuar.

Derisa po e kërkoja në kupën e zezë të errësirës vezullimën e shumëpritur të yllit të dritës, andej nga perëndimi, aty ku ndodhej fusha e fjetur e robërisë, sikur feksi shkëlqimi i një shkëndije të venitur. Kur me ankth po prisja shuarjen dhe thërrmimin e shkëndijës shpresëdhënëse, pashë se drita po rritej prore. Filluan të ndizen flakadanë e zjarre të tjera. Nga mbarë fusha e robërisë po shikoja lëvizjet e ngathëta të jeniçerëve, kalorësve, myftinjve e dervishëve që po ktheheshin andej nga kishin ardhur. Dukeshin të thyer, të zbutur e të mundur. Pas tyre, në mesin e disa hoxhallarëve, dëgjova zërin e tim zot. Sa u mrekullova! Derisa po prisja të m’i hiqte prangat e robërisë, ai nuk po shqitej dot nga kështjella e sundimit që me ndihmën e sulltanit e kishte ndërtuar mbi fushën e robërisë. Ishte i dyzuar... Nuk e dinte ç’të bënte... Ta pranonte lirinë, e humbiste sundimin! Ta mbante sundimin, e humbiste lirinë! Derisa po lëvizte kokën me çallmën osmane sipër, m’u drejtua:

– Ende e mban vështrimin andej nga perëndimi? Këtej, këtej nga lindja, këtej është shpëtimi i njerëzimit, o pjellë haram. Jazëk...! - dhe ngriti dorën të më godiste. Sa nuk klitha nga zhgënjimi. Im zot ishte tjetërsuar. Nga mercenar i robëruar, do që tani të bëhet despot robërues. I shtyrë nga turma u largua tutje. Herë pas here dëgjoja klithmat e tij të përvajshme: – Dua sulltanin...! Dua babën sulltan!... Nënshtrohuni, flini e përuluni para dritës së Allahut mbi dhé, o pis milet! Duke vajtuar e gjëmuar, u gjend para Sulltanit. Me zë të përvajshëm e fytyrë të përqurrtë, duke u zhyer e zhgërryer para tij, i lutej të kthehej në Fushën e robërisë për t’i shuar zjarret kryengritëse, për ta kthyer errësirën dhe për ta vënë në gjumë miletin e pistë. Kur e pa se nuk po shqitej, Sulltani tha:

– Mos ki frikë biri im! Nuk jeni zgjuar nga gjumi i ëmbël i gjysmëhënës islame. Jeni në jermi të përkohshme. Me ndihmën e mëndeshës që po ua lë çiban në trojet tuaja haram, andralla e zgjimit do të jetë e shkurtër. Do vijë koha e gjumit të njëmendtë. Shfrytëzojeni! Flini! Në jetë të jetëve mos u zgjoni...! Bota ju do në gjumë, në ëndrra e jermi islame... dhe hija e Sulltanit, sa vinte e tretej në horizontin e zymtë të lindjes. Mëngjesi, si me shpatë, çau perden e zezë të natës. Yjtë, njëri pas tjetrit u arratisën në kaltërsinë e shndritshme qiellore, kurse gjysmëhëna, me pamjen e saj të qelqtë dhe shkëlqimin e ftohtë atje në kupë të qiellit, bënte sikur po sfidonte rrezet e diellit të përflakur të agut pranveror, që për çudinë time, kësaj radhe, po lindte nga perëndimi. (Mars, 2014)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat