Ecja nëpër kohën që nuk ekziston

Kultura

Ecja nëpër kohën që nuk ekziston

Nga: SELVETE ABDULLAHU Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 18:06
Foto ilustrim

“Takimi me vrasësin tim” vepra me tregime i  Biser Mehmeti në radhë të parë mund të përshkruhet si një rrugë që ka dalje, po dalja nuk mund të gjendet në asnjë mënyrë, sado që shumica e personazheve e kërkojnë më kot. Është prozë e spikatur me elemente konvencionale të ndërlidhura mjeshtërisht me modernen. 20 tregime që e përbëjnë librin kanë një ndjesi në vete dhe i takojnë një bulimi ndjenjash e një realizimi të tërsishëm me vlerë të theksuara letrare.

Tri elemente kryesore e karakterizojnë përmbledhjen me tregime të Biser Mehmetit “Takimi me vrasësëin tim”: Gjuha, e cila përbëhet nga  origjinalja (popullorja e përdorur brenda  të shkruarit),  gjuha letrare dhe  gjuha artisitke, stili i të shkruarit dhe përmbajtja brenda tregimeve të botuara. 

Vetë origjinaliteti popullor i gërshetuar me atë letrar bindshëm na bën të kuptojmë se kemi të bëjmë me shkrime ku dominon një  frymë pesimiste, por jo të pakëndshme. Thjesht, aty gjejmë një realitet të kapshëm për veshin dhe trurin tonë që prapëseprapë edhe ky pesimizëm nuk na involvon në ujërat e tij, por është frymë vetëdijësimi se një ditë patjetër do të takohemi me vrasësin tonë qoftë direkt apo indirekt. Autori, i cili në të shumtën e tregimeve është vetë narratori, me një frymë ndryshe dhe të veçantë, me një elan të jashtëzakonshëm prozatik i ofrohet lirshëm një piramide prurjesh që fuqizojnë kohën e ndarë në dy pjesë: e kaluara dhe e tashmja. Në veçantin e këtij ngjyrimi shohim një imagjinatë të bujshme dhe të kapshme për trurin tonë. I ikur nga çdo llojë stigmatizimi rrethanor individualisht autori kap pjesët më të ndieshme dhe ndërlidh me një pasqyrë të një rrafshi të ndërlikuar sa lexuesi vetvetiu ndihet mes një realiteti popullor dhe një imagjinate të logjikshme e të pranuar. Kjo formë e të shkruarit e Biser Mehmetit na krijon  një bindje dhe afërsi po edhe na nxit mendimin kritik individual gjithnjë në aspektin pozitiv dhe kreativ. Në këtë rast dua të theksoj se autori i shtrinë prurjet e veta të përgjithshme në një rrafsh shumë dimensional duke u bazuar në një kontest pragmatik  me elemente psikologjike, duke futur ngjarjet që shtjellon mes kornizave të normales të cilat janë të përshtashme me çdo  kohë. Një pranim i tillë i mbështetur në foljet popullore gjithnjë me ndërlidhje letrare krijon një baraspeshë dhe vullnet tek lexuesi, i cili e gjen veten diku në ndonjëren e tregimeve të autorit qoftë në fëmijërin e hershme apo diku gjatë ecjakeve të jetës. 

    Shpirti artistik i prozës së Biser Mehmetit jep shumë për të kuptuar. Prozen e tij shkurt mund ta cilësojmë si një mllef, revoltë apo një britmë në heshtje apo me zë dhe si do që ta emërojmë e gjen kuptimin e saj. Përceptimet e tij kuptimplota i takojnë një rangu të lartë intelektual e imagjinativ dhe jo shpesh i hasim në letrat shqipe, prandaj një kultivim i mirëfilltë i prozës me motive të ndryshme dhe i pasur me një gjuhë të thjeshtë e të lirë konsiston në kuptimin se arti ka natyrshmërinë e shpjegimit në disa mënyra të përshtatjes mes autorit dhe lexuesve. Shpesh lexuesi merr si personazh veten e tij/saj aty ku i flen shpirti dhe i përshtatet historia e tregimit me ndonjë  ngjarje jetësore, ndaj ndihet i kënaqur dhe i plotësuar. Krijimi i një lidhjeje të tillë koherente mes shkrimit dhe lexuesit na bën të kuptojmë se autori ka arritur të deshifrojë me mjeshtri talentin dhe intuitën e tij në dobi të arritjes së objektivave që gjithnjë janë në dobi të shoqërisë. Tablloja e ngjarjeve të shtjelluara brenda veprës “ Takimi me vrasësin tim”gjithnjë reflekton një emocion unik sa sensual, aq edhe logjik, sa të prekshëm aq edhe imagjinativ. Mes këtij katërkëndëshi patjetër do të gjindemi diku dhe nuk ka rëndësi kujt i takojmë fillimit, mesit apo fundit të tregimit. Proza e Biser Mehmetiti është e bazuar në prurjen individuale dhe e mbështeur në kontestin aktual. Pjesa më e madhe e tregimeve është një britmë pa zë e një realiteti që ka rrethuar shoqërinë ndër vite dhe kjo britmë herë vjen në formë të ofshamës e në të shumtën e rasteve në formë të një sharjeje, në fund të çdo tablloje të shtjelluar profesionalisht përmes një arti të spikatur e të hollë. Fryma letrare dhe mesazhi që përcjell autori shpesh të bënë të kuptosh thellë mendësinë shpirtërore dhe botën e pa thënë me gjuhën e heshtur që qenia njerëzore gjithnjë e perdorë pa lëshuar zë. Ky ton i brendshëm në dukje të shfryerjes së mllefeve hapëron me kohën dhe qëndron stoik në çdo periudh kohore. Shpesh njerëzit nuk janë të prirë t’i sipërfaqësojnë ndodhitë e tyre duke i kamufluar gjërat apo duke i ndryshur brenda vetes dhe jashtë saj. Proza tregon një botë realiste, të qartë dhe të kapshme për trurin tonë. Temperamenti i theksuar dhe i shprehur brenda testit e bën autorin të jetë në një vijë horizontale mes një arti figuracionesh të mirëfillta dhe një lirie shpirtërore të imagjinueshme poashtu të lidhura mes përvojash individuale që përcjell thjesht tek lexuesit. Kam përshtypje se lexuesi e ndjen veten relativisht mirë në situatat që pershkruan autori gjatë fëmijërisë e më tutje. Ka momente ku karakterizohet ndodhia me karaktere të larmishme që përcjellin jetën njerëzore në forma dhe situatë përafërsisht identike, por në kohe të ndyshme dhe rrethana gati se të njëjta. Gjuha e mprehtë artistike e përdorur brenda prozës së Biser Mehmetit jep shpresa për një pasuri letrare më të gjërë dhe një avansimi në prurjet e letrave shqipe. 

Sa reale aq e kuptimtë poashtu e drejtëpërdrejte është paraqitja e një pike ku i gjithë njerëzimi atakohet një ditë vetëm në mënyra tjera e kjo është vdekja. Pra, takimi me vrasësin individual. Paraqitja e pasur e gërshetuar me elemente letrare e ndërtuar artistikisht me temperament të ngritur e karakter të fortë të një personazhi ku involvohen personazhe tjera me lloje tjera teperamentesh gjithnjë në kërkim, kundërshti, nganjëherë edhe harmoni  me njëri-tjetrin bëjnë që proza e Biser Mehmetit të jetojë gjatë dhe të lexohet këndshëm nga shtresa të ndryshme lexuesish. Ajo ka një gjuhë nxitëse dhe mendore. Nuk arrin ta largosh. Te bënë kureshtar dhe gjithnjë je në pritje të një situate plot sharm. Disponimi vjen shpesh përmes artit të stërholluar të këtij autori pikant.

Ndoshta nganjëherë edhe me një ngjyrë pesimizmi, por e gjithë krijimtaria  mbështillet me petkun e një mentaliteti që assesi nuk arrin t’i thuash pse, për arsye se brendia jonë është e njoftuar me një realitet të tillë, i cili herët apo vonë do të vie me deshirë apo pa deshirë në jetën tonë. Kjo natyrë e shkrimit të prek në ndjenjat e pathëna dhe në fjalët që din, por nuk i pranon t’ia thuash vetvetës. Nuk ke si të ikësh nga realiteti i një vrasësi fizik e shpirtëror, prandaj nuk ke si të mos e pranosh formën e shprehur përmes prozës te B. M. Prandaj, je i detyruar t’i thuash vetes një ditë: do të takohem me vrasësin tim, se si, apo ku, askush nuk e din. Nga kjo prizmë e pranojmë idenë letrare të një autori që ka prekur qenien tonë përmes një objektiviteti dhe vetvetiu na bën të shohim një racionale që ndikon thellë në mendjen dhe shpirtin njerëzor.

Kështu të lidhur përmes një realiteti të hidhur jeton njerëzia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat