‘Nëse një libër ju mërzit, lëreni, mos e lexoni nga që është i famshëm, modern, apo nga që është i vjetër’

Kultura

‘Nëse një libër ju mërzit, lëreni, mos e lexoni nga që është i famshëm, modern, apo nga që është i vjetër’

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 22:10
Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges

Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë.

Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër. Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm.

Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju.

Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat