Poezia është krijesa më sublime e mendjes njerëzore

Kultura

Poezia është krijesa më sublime e mendjes njerëzore

Nga: Baki Ymeri Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 09:21
Remzi Basha

Poezia e Remzi Bashës është krijimi ritmik dhe artistik i bukurisë me fjalë. Poezia është veprimtaria më sublime e mendjes njerëzore. Ajo është një pasqyrë e bukur dhe e shndritshme që e zbukuron gjithçka përreth nesh. Poezia është pothuajse po aq e rëndësishme sa historia. Dallimi midis historianëve dhe poetëve është se poetët shkruajnë vargje kurse historianët shkruajnë prozë. Historianët përshkruajnë ngjarjet që ishin, kurse poetët i përshkruajnë ngjarjet dhe veprat që mund të bëhen. Për shkak të kësaj, poezia është shumë më filozofike dhe më e rëndësishme se sa historia, pasi deklaratat e saj janë të një natyre mjaft universale dhe shumë më interesante se sa veprat e veçanta të historisë.

Poezia është lëngu i jetës dhe mjalta e fjalëve. Remzi Basha na del përpara me një imagjinatë të pasur, të bujshme dhe të jashtëzakonshme: „Me lëkurën tënde i shndrit yjet/ Me zërin tënd i thith burimet/ Me buzët tua i nxeh dimrat/ Me gojën tënde i shpreh lutjet/ Me sytë e tu i verbëron agimet/ Me emrin tënd i zbardh ditët/ Me gjakun tënd i stërkuq frytet/ Me gjinjtë tui i shpërtthen netët/ Me belin tënd e vërttit diellin/ E sheh?/ Me belin tënd e vërtitt diellin! (Fuqia e Dashurisë).  Poezia e Remziut bën përshtypje për lexuesin me fjalët që janë bërë vetë mendimet ose kujtimet nga jeta e tij personale: „Vetmia më ka mbuluar/ E po si t’i them vetmi/ Kur prapë je në mua/ Vjen si zog/ E kthen si këngë/ Ik si frymë shiu/ E vjen si plagë/ Dhe nuk e di/ Cila më dhemb/ Plaga jo/ Ikja po. (Vjen si zog).

Poezia është testamenti i jetës, miqësisë dhe dashurisë kurse bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që ka çdo qenie njerëzore. Autori  i këtij vëllimi, ka krijuar profilin e tij letrar të veçantë. Poezia e Remzi Bashës është monologu përmes të cilit njeriu eksploron mahnitjen e vet. Poezia shfaqet kur emocioni ka gjetur mendimin e vet dhe ka zbuluar fjalët e veta. Poezia është arti i bashkimit të kënaqësisë me të vërtetën. Shkenca është për ata që mësojnë, kurse poezia është për ata që dinë dhe ndjejnë. Poeti din t’i përjetojë çastet e lumturisë personale, herë pas here duke dalë në pah edhe me pyetje konfesionale: „Kush pat thënë vallë/ Se lutja s'është/ Kënga e shenjtë e Logosit/ Qetësi e muzgëtimit/ Dhe e qartësisë mendore/ Kush pat thënë vallë/ Se e shkuara është kufomë/ E tashmja gënjeshtër e madhe/ Kurse ardhmëria fantazmë? (Mendime).

Poetët janë gjykatësit e panjohur të botës. Ata që dinë të meditojnë dhe krijojnë kënaqësi fisnike nga ndjenjat dhe fjalët, janë poetë të vërtetë. Poezia e Remziut është ditari i marinarit që jeton në tokë dhe dëshiron të fluturojë në ajër. Poezia është çelësi për të deshifruar hieroglifët e natyrës. Poeti është një gur durimi që  nuk çahet nga ndjenjat e fshehta. Vargjet e poetit kanë qëllim të çuditshëm për t’i shndërruar fjalët në një muzikë të bukur. Poeti i vërtetë është një vizionar i përhershëm i cili noton në detin e fjalëve, herë pas here, përveç dashurisë, duke ndjerë edhe dhimbje: „Shpesh nis një këngë/ Për Ty/ Këngët për Ty/ Janë dhimbje/ E prapë nuk qaj/ Jam një gur durimi/ Që e mbaj në shpinë/ Veten dhe Ty/ Kështu e shaloj jetën/ Unë harrestar i madh/ Në majë të botës/ Dhe nuk të mallkoj. (Dhimbje)

Poezia është po aq e saktë sa gjeometria. Për të pasur poetë të mëdhenj, duhen lexues të shkëlqyeshëm. Poetët janë misteriozë, por kur të gjitha janë thënë, një poet nuk është shumë më misterioz se sa një bankier. Zoti është poeti më i përsosur. Fati më i mirë për një poet është të lexohet, të kuptohet dhe të admiohet. Poezia përfaqëson mendimet që marrin frymë dhe fjalët që heshtin e digjen. Ja disa nga to ku poeti i Dardanisë në trojet e Skandinavisë dëshmon se është Poeti i Dashurisë: „Vetëm hyjneshat mund të mburren/ Me po atë dridhje/ Të gjinjve/ Kur ecin/ O, çfarë shtjelle/ Dëshirash e artesh magjike/ Të shpërthekimit të veshjes sate/ Prej mëndafshi të tejdukshëm/ Që të bie te këmbët/ Asnjë mallkim/ Nuk është më i fuqishëm/ Se sa ai i erëtimës/ Me të cilën më mbështjell/ Trupi yt i çveshur! (Mallkim me erëtima).

Poezia është gjithçka që ia vlen të kujtohet gjatë gjithë jetës. Autobiografia e një poeti është poezia e tij. Pjesa tjetër janë vetëm shënime në fund të faqes. Poezia e vërtetë mund të komunikojë para se të kuptohet. Pa pretendime mallkimi, Remzi Basha del nëpah me një ndjeshmëri të denjë për admirim. Në vargjet e tij zotëron një aspekt i ironisë së tretur në harresë: “Mallkimi është si vdekja/ Vonë të zgjon/ Është si varri/ Më s’të kthen/ Është si një gjë e humbur/ E tretur në harresë/ Si një çmendi dashurie/ Që zhduket pa fund/ Asgjë s’ka fund/ S’është siç thonë poetët/ Kur valë e trishtim/ Në zemër i tund.” (Mallkimi). Poezia është porsi hëna që toleron ta kundrosh por nuk toleron  ta prekish. Ajo është një krijesë e brishtë që nuk të toleron t’i dëbosh emocionet.  Vetëm ata që kanë dinjitet, integritet, personalitet dhe emocione, e dinë se çfarë do të thotë të krijosh vargje për lumturimin e botës. Çdo varg i paharrueshëm i një poeti të vërtetë, përmban nga një mesazh të denjë për meditim dhe adhurim.

Kurora e letërsisë është poezia. Poezia është fundi dhe qëllimi i letërsisë. Poezia është krijesa më sublime e mendjes njerëzore. Për Remzi Bashën poezitë janë një rrugë e krijuar në mënyrë të personalizuar në jetën e tij. Poezia ka një efekt civilizues, sepse poetët janë si magjistarët që kërkojnë fjalë magjike përmes të cilave identifikohen shpirtrat e njerëzve të civilizuar. Poezia është një mit i vogël për aftësinë e njeriut të madh që din t’i japë kuptim jetës. Poezia nuk është diçka që ne e shohim, por më tepër një dritë përmes së cilës mund të shohim, dhe ajo që shohim është jeta:  „Tashmë çdo gjë kam harruar/ Nuk e di si çelin lulet, bimët/ As gruri se si mbinë/ Ndoshta pse zemra/ Kahmot më është tretur/ As hiri i zjarrit/ Që na djeg fare/ Në cep të një mendimi/ Nuk më ka mbetur.” (Harrimi)

Poezia është arritja e bukurisë dhe delikatesës. Prozatori nuk mund të bëjë asgjë tjetër veçse të tërhiqet mënjanë kur kalon poeti. Një poezi fillon me kënaqësi dhe përfundon me mençuri. Të jesh poet është një kusht dhe jo një profesion. Poeti i vërtetë ka shpirt të shenjtë! Shpirti i autorit të këtij vëllimi është si breu i Vitit të Ri, i zbukuruar me globe të mrekullueshme! Në vargjet e poetit shkëlqen bukuria dhe malli, trupi dhe shpirti, shpirti i fjalëve dhe komoditeti i shpirtit. Dashuria është një dëshirë e zjarrtë dhe një frymë e balsamosur. Dashuria është një nga temat elementare të Remzi Bashës. Poezia është një shpirt i butë, një qenie e re, e bukur dhe inteligjente. Poezia bie nga qielli me qartësi dhe me saktësi, në mënyrë koncize dhe të thellë. Në çdo trup ekzistojnë tre parime: forma, forca dhe shpirti. Poezia është një gjendje e dritës së brendshme. Fitoret e mëdha fitohen jo vetëm nga morali e trimëria, por edhe nga poezia. Vlen ta përsërisim atë që e thamë në fillim të këtij shkrimi: Poezia e Remzi Bashës është krijimi ritmik i bukurisë me fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat