Arkaizmat dhe barbarizmat

Kultura

Arkaizmat dhe barbarizmat

Nga: Eroll Sejdiu Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 09:52
Eroll Sejdiu

Arkaizmat (gr. archaios - i vjetër, i moçëm; që i përket një kohe të lashtë) janë fjalët e moçme që janë përdorur dikur; ndërsa sot, ose përdoren shumë rrallë te brezi i vjetër, ose kanë dalë fare nga përdorimi. Siç dihet, në rrjedhë të kohës disa fjalë kalojnë nga shtresa aktive (nga leksiku i sotëm: fjalë që njihen mirë e përdoren shpesh në jetën e përditshme nga të gjithë) në shtresën pasive të leksikut (në leksik të vjetruar: fjalë që nuk njihen më dhe përdoren rrallë). Fjalët vjetrohen dhe dalin nga përdorimi, për shkak se zëvendësohen me fjalë të reja për të emërtuar po ato sende a dukuri, ose dalin nga përdorimi sendet bashkë me emërtimet e tyre.

Të moçme janë disa fjalë që janë shkruar në veprat e autorëve të vjetër, por sot nuk i përdorim më: ager (gomar), përderës (lypës), hijezë (ombrellë), ujanë (oqean), regjëni (mbretëri), regjënoj (mbretëroj), gjellë (jetë), fëdigë (mundim), fëjej (gaboj) etj. Edhe historizmat janë fjalë të vjetruara, që kanë dalë nga përdorimi, por që lidhen me një periudhë të caktuar historike të njohur për ne, si kajmekam (zëvendësprefekt), grosh (monedhë), breshanë (pushkë), kaza (njësi administrative), bekçi (rojtar fshati); kobure, topuz, shishane (emra armësh që janë përdorur dikur) etj.

Rëndom, fjalët e vjetruara nuk bëjnë pjesë në leksikun e gjuhës së sotme standarde, por në letërsi përdoren me vlera stilistike të veçanta. Arkaizmat, si historizmat e dialektizmat, përdoren nga shkrimtarët për të arritur efekt shprehës, për të dhënë atmosferën historike, koloritin e mjedisit dhe për karakterizimin e gjuhës së personazheve. Kjo vërehet sidomos në romane historike, si te “Skënderbeu” e “Ali Pashë Tepelena” të S. Godos, “Kalorësi i Skënderbeut” i H. Stërmillit, “Kështjella” e I. Kadaresë, “Muret e Krujës” i Gj. Zhejit etj.

Kjo shtresë e vjetruar e leksikut të gjuhës shqipe shfrytëzohet sidomos për të sjellë tonin solemn ose të rëndë, pikërisht sepse këto mjete vijnë jo nga përdorimi i gjallë, por nga një kulturë e lashtë, bartin atmosferën e një kultivimi të ngurtësuar si lapidar, madje dhe nga një përfytyrim i mitologjizuar prej largësisë së kohës.

Barbarizmat (gr. barbaros - i huaj) janë fjalë të huaja që nuk përkojnë me normën standarde. Të tilla janë fjalët: mister, senjor, senjorita, tet a tet, vizavi; sllavizmat: brazdë, kral, llovaçkë, grejalicë, gollman, strujë, potvërdë, okolla, apet (opet) etj.; orientalizmat: aksham, asker, azgan, badihava, begenis, çarshi, çoban, dost, gajle, haber, hyzmeqar, kollaj, sabah, sebep, tuxhar, vakt etj.

Elemente të huaja gjejmë në çdo gjuhë. Ato përhapen nëpërmjet ndikimit që ushtrojnë gjuhët mbi njëra-tjetrën. Fqinjësia shumëshekullore, bashkëjetesa e përzierjet etnike të popujve në një mjedis janë kushtet themelore për përhapjen e barbarizmave. Popujt me gjuhët e tyre që kanë pasur epërsi politike, ekonomike, kulturore etj. kanë ndikuar shumë më tepër në gjuhët e popujve të tjerë.

Duhet dalluar huazimet leksikore nga barbarizmat. Thjesht, edhe huazimet edhe barbarizmat janë pasojë e ndikimeve të huaja gjuhësore. Parimisht, sa më pak fjalë të huaja të përdorim, do të ishte aq më mirë. Por, disa fjalë të huaja (si ndërkombëtarizmat, fjalët që kanë hyrë herët në shqipen, që kanë përdorim të gjerë territorial, janë përgjithësuar dhe tani më janë mishëruar me fjalët e brumit të shqipes, janë bërë prodhimtare dhe me vështirësi mund të hiqen nga përdorimi) janë të lejueshme, ndërsa barbarizmat (për të cilat shqipja ka fjalë, që mund të zëvendësohen lehtë me fjalë të shqipes) janë të palejueshme.

Parimisht, sa më pak fjalë të huaja të përdorim, do të ishte aq më mirë. Çdo popull përpiqet t’u vejë ndikimeve të huaja njëfarë ledhi, në mënyrë që të ruhet pastërtia e gjuhës kombëtare. Ata që luftojnë për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës së tyre quhen puristë. Një fushatë të tillë kanë zhvilluar shkrimtarët tanë të Rilindjes, si Kristoforidhi, Samiu, Naimi e shumë të tjerë. Tradita e tyre vazhdon edhe sot.

Barbarizmat mund të përdoren në letërsinë artistike që të jepet një ngjyrë tipike e mjedisit, të pasqyrohet një atmosferë e posaçme në të cilin veprojnë personazhet, t’i përafrohet lexuesit një kohë specifike e historisë. Shpeshherë barbarizmat mund të përdoren edhe për të ironizuar ngjarje, personazhe, rend shoqëror etj. Me përjashtim të letërsisë, përdorimi i barbarizmave në fusha të tjera është i papranueshëm.

Shkrimtarët shqiptarë përgjithësisht e kanë mbështetur pastërtinë e gjuhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat