Deti buzëshkrumb

Kultura

Deti buzëshkrumb

Nga: Gafurr Bytyqi Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 15:52
Gafurr Bytyqi

DETI BUZËSHKRUMB

Tërë natën mbështillesh, çmbështillesh,
në terr duke nxjerrë të palara në breg,
qyrë ujore, gjithë gjëmë përdridhesh,-
nga se digjesh vallë? Dhe ti në zheg?!..

Në fund beteje bie, pastaj,-thikë përpjetë
Herë zemërim kuçedre, herë si gji i valë
Ti, gji -vala e shpifur bote avujsh të nxehtë
Ti, det- gjëmë, det; valë-lot, stërkalë...

Det, o det i Ditës, merrmë në tëndin gji
nē dallgëzime gjiri, shkundmë në valë
mbështete faqen tënde ballit tim në shi,-
e buzëshkrumbta valë, hedhur palë-palë

GJUHA E PËRFLAKJEVE

-Lasgushit
Gjuhë e ritmit të ri, fryme të ylbertë,
Tek e duaka shpirti, kënaqet syri;
Ligjërim i ëmbël, si e thënë nga shenjt,
Gjithnjë si diellësi gjirit m'i hyri.

Varg nga ku vrenjtet e kthjellet qielli,
Llahtaria e gazi thënë aq bukurisht,
Pas çdo fjale e vargu, -rreze dielli,
Jeta e gjuha e vakët, puqen urtësisht.

Vargëzohet verbi: zë-visar për gji,
gjuha prej flake djeg…flet…pret,
skaj liqenit Deti frymon me yllësi,
gjuhë e zjarrtë, o gjuhë, Det në valë, o Det!

Det në valë, o Det, Diell i llahtarisur,
zhurmërim i ëmbël vorbullësie,
melodi vargu në çdo notë praruar,-
gjuhë përflakjesh, gjuhë urtësie.

I HEDHURI

Mirë që e hodhe, dhe më as e sheh
dhe as mirresh me të për asgjë
dhe ta pashë, e sheh, por s'e njeh
edhe s'ke pse e njeh atë kokëgdhe.

 

Mirë që e hodhe si të lënat n'kosh
Se mjaft t'u soll si gjarpër, si mi
larg të qenit njeri ai kodosh,-
Kurrnjëherë më shumë se kakërdhi.

 

Mirë që e hodhe dhe s'e vret mendjen
për makiavelizmin e tij të pafund
tani qeshur e shihke në ngarendje
duke shmangur marrjes sate n`thumb.

 

ZOGJTË FLUTUROJNË...

Sa herë zogjtë më ikin pas shtatë botërash larg,
atje ku të gjithë si lumë lotësh shkojnë,
dhembjesh kur përplasem, valë pas valësh, varg,
më mban ajo jotja: Gafurr, zogjtë fluturojnë!...

Po.Zogjtë fluturuakan, sapo rrisin krahët...
Piketojnë t'ylbertat që larg dhe me kohë;
nga shoh këta këtu që n'lumë të vetin lahen,
kujtoj diellin tjetër, atë diellin që nuk ngroh...

 

ËNDRRA NGA PIKË-UJI TË BËSH DET

Ti e bën artin në mënyrë tjetër
dhe veten e sheh si çudinë vetë
Vërtitesh, vërtitesh si kokë n'eter,-
Ëndrra nga pikë-uji të bësh det.

 

Përpara i ndalesh një trëndafili
Të trëndafiltën e nxjerr si gjoks-buzë
Si gjithë sy në të, -plaku e bandilli:
-Buzë a gjoks a flakë..., o muzë?...

Poshtë e lart ndër fusha abstraksioni,
në botë vije, ngjyre, ..nuance ;
nuk ka pasaportë që s'e ka pasioni,
S'mbahet ai vizash, as kurrnjë spirance...

ËNDRRA E KËPUTUR

E,po njëmend,jo e thënë më kot:
gjumi, si gjumi…një botë më vete:
Dhe vjen ëndrra vjen, të vetën thotë,
nga qiejtë të gjuan në shtatë dete.

Valëvitesh si cohë në valë gjumi,
valëvitesh ëndrre në të gjumit det,
mes valësh ha bukën e një lloj brumi,
që as jetëson, as vret.

Të gjitha horizontet sa i merr në dorë
vala me valën derisa flasin mekur,
drejt teje pastaj vjen një nimfë a orë…-
Jo, po, është ai malli, asnjëherë fjetur…

Pastaj, deti ikën nimfa a ora
pastaj, pos gjarpërinj, s`sheh gjë tjetër
dhe, kur qielli u sterr nga korba, sorra
cingërimë oreje shqitesh ëndrreje- kthetër.

NËN HIJE TË LODHJES

Nën hije të lodhjes, i mërzitur,
rri me veten, larg as pranë,
Në buzëvaje duke u ngritur,
duke u lënurur ndër gërhanë.

Kjo përposhja, -ortek i rëndë,
Rëndë rënduaka porsi bjeshka,-
gur a mumje strukur n`kënd,
kupto, mik: balli digjet, jo eshka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat