Rrugëdalje

Kultura

Rrugëdalje

Nga: Kalosh Çeliku Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 10:20
Kalosh Çeliku

(Përpak u rroka fytas me “kapadahitë”)

Ehu,telefonin tim celular përveç

Rakisë rrushit. Shtamave Verë:

E sulmoi edhe Dudumi “kuqezi”

Dihet, me fajin e vetë Nënës Parti.

Përderisa, e prisja jashtë radhën

Për ndihmë nga personeli i A:

Erdhën edhe dy - tre djem të rinj

U ndalën para dere si “kapadahi”.

Me siguri, më morën për të huaj

Dhe, njëri zëshëm u tha shokëve:

Ne, nuk do të presim rend jashtë

Do të hyjmë para këtij “shkaut”.

Nuk mu durua dot pa një përgjigje

Edhe, u thashë në gjuhën shqipe:

Patjetër, dhe ju do të prisni në rend

Siç, kam pritur unë, dhe ende pres!

Heshtën, kur panë se jam shqiptar

Unë, hyra te sporteli për shërbim.

Pëshëndes djaloshin. I tregoj hallin

Dhe, ia bëj me dije se, Jam i juaji:

Fjalën duke e patur për Firmën A1

Plumb, përgjigjet: Jo, nuk je i joni.

Shpërtheva, nga zemërimi. Inati:

Po, i kujt jam unë, o dudum argati

I cilës parti politike. Apo, gjaku?!

Faj, jo: Nuk keni ju. Po, Nëna Parti

Që, u ka shpërblyer me vende pune:

Partizanë pulash - gjysëmanalfabetë.

Heshti. Papritmas, kërceu kolegu tij

I cili shërbente djemtë e mëparshëm:

Zotëri, ndërhyri: Ti ke hyrë pa rend.

E ngrita zërin. Dhe, ua përplasa në sy

Mirësjelljen. Shërbimin, në fytyrë:

Ma jepni telefonin! Nuk dua ndihmë!

Përpak, u rroka fytas me “kapadahitë”...

(Hyqymeti Sot e zë

lepurin me qerre)

Babai, që në fëmijëri. Katund

Hijen e Lisit, midis Livadhit.

Edhe, pranë oxhakut. Zjarrit

Rrëzë Ҫuke me porosi kaçaku:

Bir, sa më larg rri nga politika

Kurvë, është. Ta hanë, kokën!

Akull Fushe. Dhe, nëse nuk di

Të rrëshqasësh ski, në Dimër:

Ose, sajë tatëpjetë kodrës Ҫuke

Buthekrye, kërcen në përrua.

Ujin dhe zjarrin t’i kesh frikë

Miqtë në Politikë. Rrospitë:

Hyqymeti zë lepurin me qerre...

(Ekeqja është Ebukur)

Mëkat, e shani sot Ekeqen

Ekeqja, ështe edhe Ebukur.

Ashtu, siç është Pranvera

Vera. Vjeshta. Dhe, Dimri.

Ebukur, është Dita. Dielli

Ebukur, është Nata. Hëna.

Ebukur, është Bora. Shiu

Ebukur, është Bryma. Stuhia.

Ebukur, Vetëtima. Rrufeja.

Ebukur është, edhe Robëria

Liria, kur zbretë nga koçia...

(Jerm flas me xhindet)

Errët. Nata me ferexhenë krahëve

Pas dere. Unë me llambën ndezur:

Mbi tavolinë. Dhomën me libra.

Shahem sonte me xhindet. Ëndrrat

Që, ma prishin gjumin. Hënoren.

Përpiqen të më vjedhin nga shtrati

Hudhin dorë më dorë majë lisave.

Ҫati më çati. Dhe, Shelg më shelg:

Prehër, strehim radhe të Mikes Di

Herët pa dalë ende drita, shtrat uji...

( E përcolla Natën

E presAgimin)

Pasmesnate, zgjohem: flas jerm

Edhe, i turrem tavolinës punës:

Engjëlli mbrojtës, më pri para

Dy tjerat më mbajnë përkrahu.

Xhindet, që si fëmij më vidhnin

Mes Nanës dhe Babait. Shtrati:

Gjithë natën hudhnin mbi çatia

Majë lisave. Te Guri Zi i Ҫukës.

Sot, i varrosa mes poezive lirike

E përcolla Natën. E pres Agimin...

(Derëmadhja e Shtëpisë

Sot mbyllë me dry)

Derëmadhja e Shtëpisë. Katund

Dje me shul. Sot, mbyllë me dry.

Nuk jeton Nana. As, edhe Babai

Vëllai, që iku nga Parisi. Sena

U arratisë, struk mes varrreve.

Edhe, Unë ika nga Lisi Livadhit

Zonja Vdekje. Erdha, në Shkup:

Xhadia më dënoi në Voskopojë

Vdekje klinike. Ringjalli me lotë

Poezi. Cuca Boheme, në Korçë.

Pasmesnate, rrugës “Qafë-Thanë”

Pusi më kurdisi. Hudhi në përrua.

Mezi na nxorri Policia rrugore

Ndihma e shpejtë nga gremina.

E pritëm Agimin në Librazhd

Vendin e vdekjes e shpalla:

Vendi i Lindjes Hënës. Diellit...

(Rrugëdalje)

Vite e shekuj, rrethuar me kufinj

Armiq shekullor. Pushtuesë.

Dhe, miq “vëllezër” ende historik

Luftë me armik. Dhe, për armik.

Historia na vinte përmbrapa

Ne i dilnim para me flamur:

Pushkë. Bomba. Luftë me topa

Liria Nuse, na mbeti maleve.

Shteg, ende s’gjetëm zjarreve

Pas Ҫuke, e kemi një dhiare:

Babi, kurrë nuk i biente rrugës

Xhamisë Hoxhës të Allahut.

Po, dhiares pas Ҫuke. Varreve:

Rrugës Lumit malor. Dallgëve

Pusive. Shkollës. Dhe, librave...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat