Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur Andon Qesari

Kultura

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur Andon Qesari

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 14:13
Andon Qesari

Aktori i njohur dhe regjisori Andon Qesari është ndarë nga jeta  mëngjesin e sotëm në moshën 78-vjeçare. Lajmi për vdekjen e aktorit është bërë publik nga i biri, Edon Qesari.

Në postimin e tij në Facëbook ai thotë se babai i tij vuante nga një sëmundje e gjatë e cila e kishte sfilitur vitin e fundit.

“Të dashur miq e të njohur,

Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im ANDON QESARI u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.

Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la.

Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë.”

Artisti i Popullit Andon Qesari ka lindur më 27 qershor të vitit 1942 në fshatin Qeparo të Vlorës.

Pasi diplomohet në Institutin “Aleksandër Moisiu” (sot Akademia e Arteve) për aktor në vitin 1966, fillon punën në Teatrin e Vlorës.

Në vitin 1972 emërohet pedagog në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve).

Në vitin 1975 fillon punën si aktor në Teatrin Popullor sot (Teatri Kombëtar) ku dhe emërohet përfundimisht aktor i tij në vitin 1977.

Ka interpretuar shumë role.

Roli i tij i parë do të jetë me premierën e dramës “Shënomëni dhe mua” e Hilmi Minarollit në 17 Tetor 1976 ku ai do të luante rolin e Besnikut, më tej do të vazhdonin rolet e tjera si : Aleksi tek “Doktori pacient” e Ruzhdi Pulahës, Qamil Beu tek “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut, Ksanthi tek “Dhelpra dhe rrushtë (Ezopi)” e Guilherme Figueiredo, Konti tek “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” e Dorstit, Feni tek “Furnalta” e Ruzhdi Pulahës e shumë të tjerë.

Po kështu do të jetë regjisor edhe i shumë dramave si :
“8 Persona plus” e Ferdinand Radit e Dorstit, “Karnavalet e Korçës” e Dhimitër Pecanit, “Këmbanat e Muzgut” e Teodor Laços, “Në jetë” e Dhimitër Xhuvanit etj.

Nuk mungojnë rolet e tij as në kinematografi si p.sh: roli i Skënderit në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” në vitin 1967, rolin e Bilalit, Komandantit të Shtabit partizan tek filmi “Ata ishin katër” në vitin 1977, doktor Kozmai në filmin “Tela për violinë” e shumë të tjerë. Njëkohësisht më veprimtarinë e tij artistike Andon Qesari vazhdon edhe veprimtarinë akademike si pedagog i Akademisë së Arteve.
Për meritat e tij artistike Andon Qesari është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat