Ata si unë apo unë si ata, akoma nuk e di

Kultura

Ata si unë apo unë si ata, akoma nuk e di

Nga: Rina Cukaj Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 14:10
Rina Cukaj

Ahengjeve si fëmijë i prisja deri në fund, edhe pasi mikëpritësit dorëzoheshin pritjeje dhe fillonin gostitjen me mysafirët e tashmëardhur, refuzoja të dorëzohesha edhe kur vdisja urie, kur këputesha këmbësh apo edhe pasi babai më tërhiqte veshazi të ulesha si të gjithë me të gjithë.

Ohhh veç s’vdisja gëzimi kur vinin, m’gëzonte mënyra si hynin brenda, si përshëndeteshin, si dhe ku ata zakonisht uleshin, por nga të gjitha akoma më dridhë gëzimthi afërsia që shprehnin me të moshuarit, me ata të cilët nuk pranonin të uleshin në tryezën kryesore…
Njejt i dua sot! I dua! I dua dhe pikë!

Ata janë ndryshe, them ndryshe se i njoh, bile ndryshe i njoh ata…

Mes lutjesh tjera, në mos qofsha një prej tyre sot, mos vdeksha pa qenë një ditë!

Ata në humbje janë kokëlartët, në braktisje zgjedhin veten, n’lotë falin gëzime, nuk shiten, nuk blihen, nuk falen as shkëmbehen! Pra vetëm të jeshë një prej tyre ti je fitues.

Nuk fajsojnë tjetrin por fajtorin e mbajnë larg vetes, dhe vazhdojnë të jenë prijësit e lojës, vetëm duke qëndru vetje.

I dua për çfarë ata duan, si duan çfarë duan dhe sa lehtë dinë të mos e duan më!

N’vetje gjejnë kohë për të gjitha, sikur të ishin mbretër të kohës, gjithçkaje i kushtojnë kohë, kohë të duan, kohë të kuptojnë se duan vërtëtë, kohë të largohen, kohë të pranojnë ikjen e tjetrit dhe mbi të gjitha kohë të vetëgjinden, të vetëduhen e të kthehen si vetje secilit duel teksa ky i fundit di me qenë sfidues mu në kohët kur stuhitë marrin vrull.

Shpesh harrojmë që nuk ka plagë më të thellë se plaga që ne vetë i hapim vetes…

Njerëzit që i mposhtë rutina, fillojnë të pajtohen me gjërat e zakonshme dhe vetëkufizohen edhe në dëshira të reja, si të kornizosh ëndrrën tënde pra aq budallallëk tingëllon.

Teksa ka frymorë që jetojnë k’si sisoji, këta përjashtojnë ata duke u arsyetuar se janë ndryshe apo ngjasojnë me rrebelë, rrugaqë e çka tjetër, tu harru me u ndalë njëherë veç të vetëpyetën se kur janë ndjerë vetja për herë të fundit! Dhe aq pak kohë rujtë i kanë vetes sa harru kanë që dikur vetënjiheshin teksa vetëduheshin mjaftushëm sa me guxu me thur andrra.

Unë edhe pa e ditë kush jam kam qenë një prej tyre, por akoma nuk e di nese ishin ata si unë apo unë si ata…

E unë dua më guxu, dua me dashtë e me u dashtë, dua me ngja me ata…

Me ata të cilët n’dashni vetëformohen, pa hatërmbetje, pa frikë nga e kaluara rizgjedhin veç veten teksa ballëhapur mirëpresin edhe thikat pas shpinde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat